Kërko

Vatican News

Papa për shenjtëroren e Knock: heshtja e Zojës flet më shumë se gjithçka tjetër

Videomesazh i Papës Françesku me rastin e ngritjes së shenjtërores së Zojës së Knock në rangun e shenjtërores ndërkombëtare për përkushtimin e veçantë eukaristik e marian

R.SH. - Vatikan

“Ju keni qenë popull misionarësh. Është mirë të kujtohet sa meshtarë e kanë lënë tokën e tyre për t’u bërë ungjillëzues. E nuk mund të harrojmë as laikët e shumtë, që emigruan në shumë troje, ku mbajtën gjallë përkushtimin e tyre ndaj Virgjërës së Knock”. Në një videomesazh me rastin e ngritjes së Shenjtërores irlandeze të Zojës së Knock-ut në rangun e Shenjtërores Ndërkombëtare të përkushtimit të veçantë eukaristik dhe marian, Papa Françesku kujton “sa e sa familje, që gjatë pothuajse një shekulli e gjysmë ua transmetuan fenë fëmijëve dhe u mblodhën në lutje rreth Rruzares, pas lodhjes së përditshme, me figuren e Zojës së Knok në qendër”.

Heshtja e Zojës flet

Që nga dukja e 21 gushtit 1879, kur e Lumja Virgjëra Mari iu duk disa banorëve të fshatit Knock, së bashku me Shën Jozefin dhe me Shën Gjonin Apostull, populli irlandez e ka shprehur përkushtimin e tij ndaj saj kudo ku ndodhej. "Krahët e Virgjërës në qëndrim lutjeje na tregojnë edhe sot sa themelore është jeta e lutjes, që vjen si mesazh shprese nga kjo shenjtërore - pohon Papa në videomesazh. - Ju e dini: në dukjen e saj në Knock, Virgjëra nuk shqipton asnjë fjalë. Megjithatë, edhe heshtja e saj flet; madje, është gjuha më shprehëse, që na jepet. Mesazhi, që vjen nga Knock, është vlera e madhe që ka heshtja për fenë. Është heshtja para misterit, që nuk do të thotë të heqim dorë e të mos kuptojmë, por të kuptojmë të mbështetur e të ndihmuar nga misteri i dashurisë së Jezusit, i cili e dhuroi veten për të gjithë ne, si Qengj i flijuar për shpëtimin e njerëzimit. Është heshtja para misterit të madh të dashurisë, që nuk gjen asnjë mundësi përgjigjeje tjetër përveçse lëshimit me besim në duart e vullnetit të Atit të mëshirshëm".

Heshtja, që na kërkon Krishti

E së fundi, vëren Ati i Shenjtë, "është heshtja që Jezusi na kërkon kur na mëson: 'Kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. E kur të thoni uratë, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet urata nëse thonë shumë fjalë. Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni' (Mt 6,6-8).

Dukjet dhe shtegtimet

Në Knock, 151 vite më parë, u duk një Zojë, që nuk foli asnjëherë, së bashku me Shën Jozefin dhe me Shën Gjonin Ungjilltar, kthyer drejt një altari në të cilin ndodhen një Qengj e një Kryq. Që atëherë, drejt këtij vendi vijnë shtegtarë nga e gjithë bota. Pati ardhur në vitin 1979 edhe Shën Gjon Pali II, në 110-vjetorin e dukjeve të Zojës, duke lënë në shenjtërore trëndafilin e artë të papëve. Pati ardhur edhe shenjtja shqiptarë, Nënë Terezë, në vitin 1993 e, më 2018, edhe vetë Papa Françesku, me rastin e udhëtimit të tij apostolik për Takimin Botëror të Familjeve në Dublin.

Përgjegjësi e madhe

Ngritja e Shenjtërores Kombëtare të Zojës së Knock-ut në rangun e Shenjtërores Ndërkombëtare për Devocionin e veçantë Eukaristik dhe Marian, u thotë Papa besimtarëve, është përgjegjësi e madhe. "Ju impenjoheni të jeni gjithnjë krahëhapur, në shenjë mikpritjeje ndaj çdo shtegtari, që vjen tek ju nga e gjithë bota, duke mos i kërkuar asgjë, por vetëm duke e pranuar si vëlla a motër, që dëshiron të bëjë të njëjtën përvojë të lutjes në vëllazërim me të gjithë. Mikpritja të kombinohet me bamirësinë dhe të bëhet dëshmi e frytshme e zemrës, e cila hapet për të pranuar Fjalën e Zotit dhe hirin e Shpirtit Shenjt, që jep forcë. Misteri eukaristik, që na bashkon me Zotin e Ringjallur e ndërmjet nesh, qoftë gjithnjë mbështetje për të jetuar me besnikëri thirrjen tonë për të qenë “dishepuj misionarë”, siç ishte Virgjëra Mari, e cila u bë shtegtare e Ungjillit të Birit të saj. Ajo na ruajtët dhe na ngushëlloftë me fytyrën e Tij të mëshirshme".

19 mars 2021, 20:55