Kërko

Një nga vizatimet e Udhës së Kryqit 2021, realizuar nga fëmijët Një nga vizatimet e Udhës së Kryqit 2021, realizuar nga fëmijët

Udha e Kryqit e Papës, shkruar nga fëmijët: Jezusi na ngushëllon, kur kemi frikë

Protagonistët e Udhës së Kryqit të kryesuar nga Papa, të Premten e Madhe të këtij viti, janë të vegjlit. Vërtet, autorët e teksteve e të vizatimeve të libretit me 14 ndalesat, janë fëmijët dhe të rinjtë e famullisë romake të Shenjtorëve Martirë të Ugandës, grupi i skautëve Agesci “Foligno I” dhe të strehuarit në dy shtëpi-familje në Romë. E do të jenë ata, që do t’i lexojnë meditimet dhe do ta shoqërojnë Papën gjatë ritit në Sheshin e Shën Pjetrit

R.SH. - Vatikan

Udh e e Kryqit kryesohet sot nga Papa Françesku, në të Premten e Madhe të Pashkëve, edhe këtë vit, ashtu si vjet, kur filloi pandemia, në Sheshin e Shën Pjetrit e jo në Koloseum, sipas traditës. Meditimet dhe vizatimet e 14 ndalesave janë shkruar nga fëmijët dhe të rinjtë e Romës e të Foligno-s, që me fjalë të thjeshta e konkrete, prekin thellë zemrën, duke i bërë njerëzit të reflektojnë e të dëshirojnë një botë më të drejtë dhe më të lumtur për të gjithë, të vihen në diskutim për t’u kthyer kah udha e Zotit.

Një nga vizatimet e Udhës së Kryqit 2021
Një nga vizatimet e Udhës së Kryqit 2021

Kryqet e shumta të fëmijëve në botë

         Vuajtjet e të vegjëlve shpesh nënvlerësohen. Në hyrjen e libretit (publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit), fëmijët, duke iu drejtuar Jezusit, e nënvizojnë këtë: “I dashur Jezus, Ti e di që edhe ne fëmijët kemi kryqe, të cilat nuk janë as më të lehta dhe as më të rënda se ato të të rriturve, por janë kryqe të vërteta, të cilave ua ndiejmë peshën edhe natën. E vetëm Ti e di e i merr seriozisht. Vetëm Ti”. Kryqet janë frika nga errësira, nga vetmia e nga braktisja, edhe për shkak të pandemisë, nga kufizimet personale, nga ngacmimet e të tjerëve, nga ndjenja se jemi më të varfër se bashkëmoshatarët, nga trishtimi për grindjet në familje, ndërmjet nënës e babait. Por ka fëmijë në botë, që vuajnë se “nuk kanë ushqim, nuk kanë arsim, se shfrytëzohen dhe detyrohen të shkojnë në luftë”. Ti, o Jezus, shkruajnë fëmijët, je gjithmonë pranë nesh dhe kurrë nuk na braktis, “na ndihmon çdo ditë t’i bartim kryqet tona, ashtu si barte tëndin”.

Akuza e të pafajshmit dhe mungesa e guximit

         Ndalesa e parë: Ponci Pilat e dënon Jezusin me vdekje. Mendimi i fëmijëve shkon në një episod, që ndodhi në një klasë të parë fillore: një fëmijë, Marku, akuzohet se i ka vjedhur një shoku bukën. Dikush e di që ai është i pafajshëm, por nuk ndërhyn për ta mbrojtur. Kush e tregon ngjarjen ndien turp për atë mungesë guximi. U soll si Pilati e tani pendohet që zgjodhi rrugën më të lehtë. “Nganjëherë, dëgjojmë vetëm zërin e atyre, që bëjnë dhe duan të keqen, ndërsa drejtësia është rrugë e përpjetë, me pengesa dhe vështirësi. Gjithsesi, ne kemi Jezusin në krah, i gatshëm të na mbështesë dhe të na ndihmojë” – ky, reflektimi, jo vetëm për fëmijët.

Udha e Kryqit 2021, vizatim i fëmijëve
Udha e Kryqit 2021, vizatim i fëmijëve

Veprimet tona mund të bëjnë keq

         Jezusi ngarkohet me kryq: ndalesa II. Pjesa e marrë nga shën Luka ungjilltar përshkruan si tallet dhe goditet Jezusi nga ata që e ruanin. Ndër fëmijët, jo rrallë, ndodh që të tallet njëri nga grupi, deri në bullizëm, si në rastin e Martinës, e cila ka vështirësi të lexojë me zë të lartë në klasë. “Ndoshta – shkruhet në tekst - nuk donim ta përqeshnim, por sa dhimbje i shkaktuam me të qeshurat tona!... Persekutimi nuk është ndonjë kujtim i largët i dy mijë viteve më parë: nganjëherë, disa nga veprimet tona mund ta gjykojnë, ta lëndojnë dhe ta shkelin me këmbë vëllain a motrën”.

Përvoja e dështimit

         Në ndalesën e tretë, Jezusi bie për herë të parë, Zoti merr përsipër mëkatet tona, poshtërohet e përqeshet. Përvoja që e shoqëron këtë etapë është ajo e një fëmije, i cili shkon gjithmonë mirë në shkollë, por, vetëm një herë, merr një notë të keqe: “Mendova se s’vleja asgjë - tregon ai - ndjeva peshën e dështimit të papritur, ndihesha vetëm e askush nuk më ngushëlloi. Por ai çast më bëri më të pjekur... Sot e di se çdo ditë lëkundemi e mund të biem, por Jezusi është gjithmonë aty për të na e zgjatur dorën”.

Udha e Kryqit 2021, vizatim i fëmijëve
Udha e Kryqit 2021, vizatim i fëmijëve

Dashuria e nënave

         Ndalesa IV: Jezusi takon Nënën e vet. Leximi ungjillor është ai i dasmës në Kanës, që ka në qendër marrëdhëniet e Birit me nënën. Për fëmijët, kjo është nxitje që të mendojnë për nënën e tyre dhe për dashurinë e saj, që i shoqëron në çdo çast. Edhe konkretisht, “në stërvitjen e futbollit, në kursin e anglishtes dhe në katekizmin e të dielave në mëngjes”. Meditimi flet për nevojën e të vegjëlve që ta ndiejnë dashurinë e prindërve e, ndoshta, i ndihmon edhe prindërit të jenë më të mirë. “Nëse kam një problem, një dyshim, ose thjesht mendime të këqija, nëna është gjithnjë gati të më dëgjojë me buzëqeshje”.

Gjest mikpritës: ta shohim Jezusin në fytyrën e tjetrit

         Ndalesa V: Cireneu ndihmon Jezusin të mbajë kryqin. Ka shumë raste për të ndihmuar dikë e dëshmia, që përshkruhet në këtë ndalesë të Udhës së Kryqit, është vëmendja ndaj një bashkëmoshatari të huaj. Mbërritur në lagje kohët e fundit, i shikon fëmijët e tjerë duke luajtur futboll, por nuk ka guximin të prezantohet. Një fëmijë i grupit e sheh, i afrohet dhe e fton të bashkohet me ta. “Që nga ajo ditë Walid - thotë ai - është një nga miqtë e mi më të mirë, përveçse portieri i ekipit tonë”. Vetëm kur shohim vëllain tek një person “ia hapim zemrat tona Jezusit”.

Udha e Kryqit 2021, vizatim i fëmijëve
Udha e Kryqit 2021, vizatim i fëmijëve

Nganjëherë, mjafton pak për të mos u ndierë të vetmuar

         “Për të vërtetë po ju them: gjithçka që i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma bëtë mua”: fjalët e Jezusit nga Ungjilli sipas Mateut, karakterizojnë ndalesën VI: një grua i fshin fytyrën Jezusit. Edhe fëmijët, në veprimtaritë e tyre të përditshme, kalojnë çaste të vështira, ose të trishtueshme dhe kanë nevojë për dikë, që t’i ngushëllojë. Siç ndodh kur humbasin një ndeshje të rëndësishme futbolli, në të cilën duan të vënë në dukje aftësitë e tyre më të mira. “Ndërsa po bëja dush, - tregon një sportist i vogël - isha i trishtuar dhe i shkurajuar, por, pasi dola nga dhoma e zhveshjes, gjeta shokun tim, që po më priste me lëng portokalli në dorë”. Në shoqërinë e tij, disfata “u kthye në një kujtim më pak të hidhur”.

Të humbësh diçka, duke menduar për nevojtarët

         Jezusi bie për herë të dytë: ndalesa VII. Meditimi na tregon përvojën e jetuar nga një fëmijë i klasës së katërt fillore. Po përgatitej shfaqja e fundvitit e ai dëshironte me çdo kusht rolin kryesor. Në vend të tij, mësuesja zgjedh Gjonin, një fëmijë mjaft të izoluar. Pas zemërimit fillestar, protagonisti i meditimit e kupton se gjithçka bëhej për ta integruar Gjonin në klasë e lumturohet. Komenton: “Zhgënjimi im shërbeu për të ndihmuar një tjetër, vendimi i mësueses i dha një mundësi kujt kishte vërtet nevojë për të”.

Fëmijët dhe edukatorët e Shtëpisë-familje "Il tetto (Catia)", ndërsa diskutojnë pë vizatimet e Udhës së Kryqit 2021
Fëmijët dhe edukatorët e Shtëpisë-familje "Il tetto (Catia)", ndërsa diskutojnë pë vizatimet e Udhës së Kryqit 2021

Të ndihmojmë vëllain në gabim

         Ndalesa VIII: Jezusi takon gratë e Jeruzalemit. Në Ungjillin sipas Lukës lexojmë se Jezusi, kur i pa, u tha: “Bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj”. Është pikënisje për të thënë se “të korrigjosh një vëlla është e vështirë, por e domosdoshme”. Këtë përjetuan dy vëllezër, të cilët kishin gënjyer nënën, duke e siguruar se i kishin bërë detyrat e shtëpisë atë pasdite, por, ndërkaq, kishin luajtur gjithë kohës. Të nesërmen, njëri prej tyre thotë se nuk ndihet mirë e nuk shkon në shkollë. Tjetri shkon, por kur kthehet flet me të vëllanë: “gabim që e gënjyem nënën e që ti i the se kishe dhimbje barku”. “I propozova - tregon djali - të bënim detyrat e shtëpisë menjëherë e, edhe e ndihmova t’i plotësonte të tjerat. Sapo përfunduam, e kaluam pjesën tjetër të pasdites duke luajtur”.

Vetmia e shkaktuar nga pandemia

         Jezusi bie për herë të tretë, jemi në ndalesën IX. Pjesa ungjillore është ajo e kokrrës së grurit, që vdes për të prodhuar shumë fryte. Pandemia e Covid-19 ka shkaktuar pasoja të rënda edhe tek të vegjlit. Ndjenja mbizotëruese është vetmia: nuk mund të shkojnë për vizitë tek gjyshërit, shkolla është e mbyllur, nuk mund të takohen me shokë e miq. “Trishtimi i vetmisë nganjëherë bëhet i padurueshëm – shprehet një vajzë, - ndihemi të ‘braktisur’ nga të gjithë, të paaftë të buzëqeshim sërish. Ashtu si Jezusi, shembemi përtokë”.

Udha e Kryqit 2020
Udha e Kryqit 2020

Gëzimi, që vjen nga dhurimi

         Ndalesa X: Jezusin e zhveshin. Edhe këtu, fjalën e merr një vogëlushe: ka një koleksion kukullash në dhomën e saj, për të cilën kujdeset shumë. Një ditë dëgjon se në famulli po mblidheshin lodra për fëmijët refugjatë nga Kosova. Ajo zgjedh disa nga kukullat më të vjetra, me të cilat është më pak e lidhur dhe përgatit një kuti. Pastaj tregon: “Në mbrëmje ndieva se nuk kisha bërë aq sa duhej. Para se të flija, kutia u mbush plot me kukulla, ndërsa raftet u boshatisën”. Kur dhuron ç’ke me tepri, arsyeton vajzukja, e lehtëson shpirtin dhe lumturohesh.

Krishtlindja, në shërbimin për të varfërit

         “Ditën e Krishtlindjes, së bashku me skautët, shkuam në Romë, te Motrat Misionare të Dashurisë (motrat e Nënë Terezës), për t’u shpërndarë drekën nevojtarëve, duke hequr dorë nga dita e festës në familje”. Nuk është sakrificë e vogël ajo, që përshkruhet në meditimin e ndalesës XI: Jezusi gozhdohet në kryq. Por një nga të rinjtë shpjegon: “Ndërsa kthehesha në shtëpi, mendoja për fytyrat e njerëzve që u kisha shërbyer, për buzëqeshjet dhe historitë e tyre... Mendimi se u kisha sjellë atyre njerëzve një çast qetësie e bëri atë Krishtlindje të paharrueshme”. T’u shërbejmë të tjerëve me dashuri: ky “është mësimi, që na jep Jezusi në kryq”.

Nga Udha e Kryqit 2020
Nga Udha e Kryqit 2020

Krishti e fal mëkatarin, që pendohet

         Ndalesa XII: Jezusi vdes në kryq. Shembulli i Jezu Krishtit, që e fal kë i bëri keq, i nxit fëmijët të reflektojnë mbi të keqen e pranishme në botë, për shembull, mbi mafiet që vrasin edhe të vegjlit. Si është e mundur të falësh në situata të tilla? E kështu, shkruajnë: “Jezusi, duke vdekur në kryq, u dhuroi të gjithëve shpëtimin. Ai nuk erdhi për të thirrur të drejtët, por mëkatarët, që kanë përvujtërinë dhe guximin për t’u kthyer në udhën e Zotit”.

Morën gjyshin e nuk e pashë më

         Gjithçka u plotësua, ndalesa XIII: Trupi i Jezusit zbritet nga kryqi. Në këtë periudhë, shumë fëmijë e kanë vuajtur vdekjen e papritur të gjyshërve, për shkak të koronavirusit. Njëri prej tyre tregon: “Nga ambulanca zbritën njerëz, që dukeshin si astronautë, të mbuluar me tuta, doreza e maska. E morën gjyshin, që po luftonte prej ditësh për të marrë frymë. Ishte hera e fundit që e pashë”. Vuajtja lind edhe nga pamundësia për të qenë afër gjyshit dhe për t’i dhënë guxim: “U luta për të çdo ditë, kështu, munda ta shoqëroja në udhëtimin e tij të fundit tokësor”.

Nga Udha e Kryqit 2020
Nga Udha e Kryqit 2020

Faleminderit, o Jezus, se më mësove të dua

         Ndalesa XIV dhe e fundit: Trupi i Jezusit vendoset në varr. Meditimin e falënderimin për Jezu Krishtin e propozon Sara 12-vjeçare. Dua të të falënderoj, shkruan ajo, sepse “më mësove të kapërcej çdo vuajtje, duke të besuar Ty; ta dua tjetrin si vëllain tim; të bie e të ngrihem... Sot, falë gjestit të dashurisë tënde të përjetshme, e di se vdekja nuk është fundi i gjithçkaje”.

Nëse nuk do të bëheni si fëmijët…

         Në lutjen përfundimtare të Udhës së Kryqit, e rimarrin fjalën të rriturit. Jezusi i jep fëmijët si shembull kur përshkruan karakteristikat e nevojshme për të hyrë në mbretërinë e qiellit. E kështu, lutja e parë për Zotin është ndihma për t’u “bërë si ata, të vegjël, nevojtarë për gjithçka, të hapur për jetën”. Pastaj, të gjithë fëmijët e botës i besohen Hyjit që të “rriten në moshë, mençuri dhe hir”. Në fund, lutja për prindërit dhe edukatorët, “që të ndihen gjithmonë të bashkuar me Krishtin në dhurimin e jetës dhe të dashurisë”.

31 mars 2021, 15:18