Kërko

Vatican News

Takimi ndërmjet Papës Françesku dhe Ajatollahut Al-Sistani për paqen në Irak e në Lindjen e Mesme

Në Naxhaf, veprimtaria e parë e Papës në ditën e tij të dytë në Irak: takimi me kreun e bashkësisë shiite irakiane. U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet bashkësive fetare

R.SH. - Vatikan

Rëndësia e bashkëpunimit dhe e miqësisë ndërmjet bashkësive fetare në mënyrë që, “duke kultivuar respektin e dialogun e ndërsjellë, të kontribuohet në të mirën e Irakut, rajonit dhe gjithë njerëzimit”: këtë theksoi Papa Françesku sot në mëngjes, në takimin e tij privat në Naxhaf me Ajatollahun e Madh Seyyid Ali Al-Husayni Al-Sistani, kreu i bashkësisë myslimane shiite të Irakut, vend ku Ati i Shenjtë ndodhet që dje, në udhëtimin e tij të 33-të apostolik.

Lutja drejtuar Zotit, Krijuesit të të gjithëve

Takimi, sipas një deklarate të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, zgjati rreth 45 minuta dhe i dha mundësi Papës për ta falënderuar Al-Sistanin, pasi “së bashku me bashkësinë shiite, para dhunës dhe vështirësive të mëdha të viteve të fundit, e ngriti zërin në mbrojtje të më të ligshtëve e më të persekutuarve, duke ripohuar shenjtërinë e jetës njerëzore dhe rëndësinë e unitetit të popullit irakian”. Para se të përshëndetej me Ajatollahun e Madh, Papa Françesku nënvizoi se i lutet Zotit, Krijuesit të të gjithëve, që toka e dashur irakiane, Lindja e Mesme dhe e gjithë bota të ketë një ardhmëri në paqe e vëllazërim.

Mikpritja në Naxhaf

Për ta pritur Papën në Naxhaf, në rrugën që shkon nga aeroporti në rezidencën e Ajatollahut të Madh – e cila ndodhet brenda shenjtërores kushtuar Imam Aliut, kushëririt dhe dhëndrit të Muhametit, vend i shenjtë për shiitët – disa të rinj me flamujt e Irakut dhe të Vatikanit. Në parrullat e mirëseardhjes përgjatë udhës, shkruhej “Ju jeni pjesë e jona e ne jemi pjesë e juaja”, nën fotografitë e Papës dhe të Al-Sistanit. Në përfundim të takimit, Ati i Shenjtë u nis me avion për në Nasirija, ku në Ur të Kaldeasve merr pjesë në takimin ndërfetar.

06 mars 2021, 09:36