Kërko

Papa me Patriarkun Louis Raphaël I Sako Papa me Patriarkun Louis Raphaël I Sako 

Sako: Papa ndërmjet nesh, “Kohë e Ardhjes”, që do ta ndryshojë Irakun

Një çast i jashtëzakonshëm për mbarë vendin, që do të shndërrohet. Ky, koment i parë, në përfundim të vizitës së Papës në Irak, është i Patriarkut të Babilonisë së Kaldejve, kardinalit Louis Raphaël I Sako

R. SH. - Vatikan

Vizitë e shumëpritur, e shumëdëshiruar nga të gjithë irakianët! Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, kardinali Louis Raphaël I Sako, pranë Papës Françesku në këto ditë të ngarkuara me veprimtari dhe emocione të fuqishme, të paharrueshme, e quan “Advent” - “Kohë të re Ardhjeje”, për të krishterët e myslimanët që, pasi kishin lexuar lajme për Papën në mjetet e komunikimit, mundën ta përqafojnë, ta dëgjojnë nga afër e ta prekin, ashtu si kishin ëndërruar me vite. Me Të - nënvizon Patriarku - në Irak arriti “edhe “mesazhi i ngushëllimit e i paqes”, që e prisnim, e megjithatë, na çuditi e na mrekulloi. Kardinali Sako shpreh habinë e tij, duke kujtuar pritjen që turmat i bënë Papës. Brohoritjet, që tundën vendin. Vallet. Këngët. E thirrjet e fuqishme, ngarkuar me entuziazëm e me shpresë.  Përsërit edhe fjalët, që ua tha shumëkush të krishterëve: “Ju keni një thesar! Një Atë kaq të përvuajtur, që i dëgjon njerëzit, që i do”. Buronin natyrshëm këto fjalë nga zemrat e trembura, që vitet e fundit kishin takuar  vetëm njerëz të ardhur prej kush e di se ku për të mbjellë tmerr, rrënim, vdekje në këto troje të etura për një përqafim miqësor, një fjalë shprese, një premtim për të ardhmen!

Ndikimi i vizitës mbi Irakun: ndryshon mendësinë

Vizita do të ketë ndikim shumë të madh mbi jetën shoqërore e kulturore. Mendësia - shpjegon Hirësia e Tij Sako - po ndryshon. Nis një kohë e re, Ajo e respektit për tjetrin, e zhdukjes së dhunës e fundamentalizmit. Irakianët, të moderuar nga natyra, u ndikuan nga fundamentalizmi i ardhur nga jashtë,  por  do të rikthehen në natyrën e tyre të butë e të mirë. Më pas, një reflektim edhe për politikën. “Vizita - kujton Patriarku - do të ketë ndikim edhe mbi jetën politike, mbi paqen e stabilitetin në prag të zgjedhjeve. Do të jetë - u shpreh - një ndryshim i vërtetë. Edhe politikanët e ndoqën me interes çdo fjalë të Atit të Shenjtë”. Më pas Patriarku u ndalua tek etapat më domethënëse. Kujtoi Najafin “gjë e madhe për myslimanët”, pastaj Urin, “ku u lutën të gjithë bashkë për paqen e vëllazërimin”. Në përfundim Patriarku kujtoi edhe mesazhet e panumërta,  që arritën në vend përmes fjalimeve të Papës: “Foli me zemër, duke treguar interesimin e tij të thellë për popullin irakian. Erdhi - përfundoi Patriarku - ndenji tri ditë  e ndau me ne vuajtjet e së kaluarës e shpresat për të ardhmen”.

08 mars 2021, 10:49