Kërko

Papa i nderit Joseph Ratzinger Papa i nderit Joseph Ratzinger 

Ratzinger përsërit: “Nuk janë dy Papë”

Intervistë e Papës së nderit, Benedikti XVI, me gazetën italiane “Corriere della Sera”: dorëheqja ishte “vendim i vështirë”, por që u mor “me vetëdije të plotë. Besoj se bëra mirë, që e mora”.

R. SH. - Vatikan

Dorëheqja nga papnia, vënë në jetë tetë vjet më parë, ishte “vendim i vështirë”, por “i bërë me vetëdije të plotë”, për të cilin  Benedikti XVI nuk është penduar aspak. Papa i nderit, ndonëse me një fill zëri, përsërit çka e ka thënë më se një herë për të përgënjeshtruar “miqtë pakëz fanatikë”, që vijojnë të shikojnë “teori konspirative” pas vendimit për të lënë Katedrën e Shën Pjetrit e për t’u tërhequr, për shkak të moshës së shkuar. E ripohon këtë vetë Joseph Ratzinger gjatë një bisede me gazetën “Corriere della Sera”. “Disa nga miqtë e mi pakëz ‘fanatikë’ vijojnë të jenë të zemëruar, sepse nuk deshën ta pranojnë vendimin tim. Mendoj për teoritë konspirative, që e ndoqën pas këtë vendim: dikush tha se kjo ndodhi për shkak të shkandullit të Vatileaks, dikush tjetër për komplot nga lobby gay, e dikush, për shkak të teologut konservator lefebvrian Richard Williamson. Nuk duan të besojnë se është vendim i marrë me vetëdije. Po ndërgjegjja ime është e qetë”.

Benedikti XVI flet edhe për shtegtimin e afërt të Françeskut në Irak: “Besoj se do të jetë shtegtim i rëndësishëm. Për fat të keq, realizohet në një çast shumë të vështirë, që e bën edhe të rrezikshëm: si për arsye sigurimi, ashtu edhe për shkak të Covid. E pastaj, situata irakiane e paqëndrueshme. Do ta shoqëroj Françeskun me lutje!”.

01 mars 2021, 10:39