Kërko

Parrullë në rrugët e Ur të Kaldeasve, ku Papa u takua me ajatollahun Al-Sistani, gjatë udhëtimit të 33-të në Irak Parrullë në rrugët e Ur të Kaldeasve, ku Papa u takua me ajatollahun Al-Sistani, gjatë udhëtimit të 33-të në Irak

Irak, Papa takohet me Al-Sistanin, pastaj, vizita në Ur të Kaldeasve

Në Naxhaf, vizita e shumëpritur e Papës Françesku tek kreu i bashkësisë shiite, pastaj, mbërritja në qytetin e Patriarkut Abraham për takimin ndërfetar dhe, akti i fundit i ditës, kremtimi i meshës në ritin kaldeas, në katedralen e Shën Jozefit në Bagdad. Ky, programi i ditës së dytë të udhëtimit apostolik të Atit të Shenjtë në Irak

R.SH. - Vatikan

Vijon udhëtimi historik i Papës Françesku në Irak si “shtegtar dhe pendestar”, me dëshirën për të sjellë paqe dhe shpresë dhe për t’i kërkuar falje Zotit e vëllezërve të çdo feje për shkatërrimet dhe mizoritë e kryera në këtë tokë të dashur. Pak ceremoni, pothuajse asnjë takim për të ndenjur shpenguar të gjithë bashkë, përveç turmave, që mblidhen, pavarësisht nga masat kundër koronavirusit e lëvizjeve të blinduara, për shkak të rregullave të sigurisë. E megjithatë, edhe dita e dytë e udhëtimit të 33-të apostolik të Atit të Shenjtë, i pari Papë që viziton Irakun, ka vlera të fuqishme simbolike, është përqafimi i bariut të Kishës universale për këtë grigjë të martirizuar, që ecën në gjurmët e Abrahamit, “Patriarkut të shumë njerëzve”.

Françesku dhe Al-Sistani

Nga aeroporti i Bagdadit, herët në mëngjes, Papa Françesku shkoi me avion në Naxhaf, qytet i lashtë, themeluar në vitin 791 pas Krishtit, nga kalifi Hārūn al-Rashīd, i njohur si Imām Alī. Sot, ai përbën qendrën kryesore fetare shiite irakiane. Etapa kryesore e vizitës së Pasardhësit të shën Pjetrit në këtë vend të shenjtë për myslimanët është takimi me Ajatollahun e Madh Sayyid Ali Al-Husayni Al-Sistani, kreu i bashkësisë shiite irakiane dhe drejtor i havzës së Naxhafit (seminarit fetar shiit imamìt).

Që në vitin 2004, ai mbështeti zgjedhjet e lira, duke dhënë kështu një kontribut të madh në vendosjen e qeverisë së parë demokratike në vend. Në vitin 2014, po ai i bëri thirrje popullit të bashkohet dhe të luftojë kundër shtypjes dhe përparimit të të ashtuquajturit Shtet Islamik, ndërsa në vitin 2019, gjatë trazirave për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe krizës politike, nxiti demonstruesit dhe policinë të ruajnë qetësinë e të mos përdorin dhunën, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe reformën zgjedhore, që e çuan Irakun drejt hapave të parë të stabilizimit të ngadaltë dhe të vështirë. Takimi me Papën u mbajt në rezidencën e Ajatollahut të Madh, e cila ndodhet brenda Xhamisë së Imām Alī-ut, ndërtuar mbi varrin e kushëririt dhe dhëndrit të Muhametit, njeriu i parë i kthyer në Islam. Pas Mekës dhe Xhamisë së Profetit në Medinë, ky konsiderohet si vendi i tretë i shenjtë për shiitët.

Takimi ndërfetar në Ur

Një avion tjetër nga Naxhafi në Nasirija e, më pas, zhvendosja me makinë në Ur të Kaldeasve, e çojnë Papën në një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishme sumere, që sot njihet si Tell al-Muqayyar, emër që në arabisht do të thotë “kodra e paqes”. Kryeqytet i perandorisë sumere, e cila në fund të mijëvjeçarit të tretë para Krishtit dominonte gjithë Mesopotaminë, sipas traditës, në Ur u lind Abrahami, “Patriarku i shumë vetëve”, figurë që bashkon fatin e hebrenjve me atë të të krishterëve e të myslimanëve. Siç thuhet në Bibël, pikërisht këtu, për herë të parë, Zoti i foli Abrahamit, duke e urdhëruar të largohej nga atdheu i tij për të shkuar në tokën e Kanaanit. Prej këndej, gjatë takimit ndërfetar, Papa Françesku shqipton mesazhin e tij për vëllazërim. Ati i Shenjtë dëgjon disa dëshmi, ndër të cilat atë të një gruaje të fesë sabease mandease dhe të një myslimani.

Kremtimi në ritin kaldeas

Pas këtij takimi, Papa kthehet në Bagdad, ku, në orën 6 pasdite, kur në Evropë do të jetë ora 16, kryeson meshën në ritin kaldeas dhe mban homelinë në katedralen e Shën Jozefit. Në fund të kremtimit, përshëndetja e Patriarkut të Babilonisë së Kaldeasve, kardinalit Louis Raphaël Sako, gjithmonë përkrah Atit të Shenjtë në këtë udhëtim të 33-të apostolik. Guri i parë i kësaj katedraleje u vendos nga Patriarku Kaldeas Yusef VII Ghanima më 14 shtator 1952, ditën e Lartimit të Kryqit Shenjt.

06 mars 2021, 08:54