Kërko

Vatican News

Pesëvjetori i @franciscus, faqja papnore në instagram

Ishte 19 marsi 2017, kur nisi aventura në rrjet e kanalit të Françeskut, me synimin për të qenë pranë botës plot me mëshirë e dashuri. Sot e ndjekin 7 milionë njerëz që, si e lexojnë, japin mendimet e tyre a e komentojnë, në çaste të ndryshme, shpesh herë të veçanta, misionin papnor.

R. SH. - Vatikan

Kaluan pesë vjet që kur u hap, me postimin e parë, kanali i Papës Françesku në Instagram. Që atëhere - ishte data 19 mars 2016 - @franciscus  ndiqet nga një numër gjithnjë më i madh lexuesish, njerëz me moshë ndërmjet 25 e 34 vjetësh, sot 7.722.000 vetë, posaçërisht në Brazil, SHBA, Kolumbi e Itali.

Shkëmbim mendimesh dhe shoqërim

Eshtë kanal i jashtëzakonshëm për të shkëmbyer mendimet, i dëshiruar nga Papa me synimin që e lexojmë në Biografinë e Instagramit: “Dëshiroj të ec me ju gjatë udhës së mëshirës e të dashurisë së Zotit”.

 Figurat  tregojnë Françeskun, që e shoqëron popullin e Zotit dhe vëllezërit e motrat e besimeve të tjera, në situata nga më të ndryshmet, nga audiencat - tek vizitat; nga shtegtimet apostolike - tek ngjarjet e veçanta të Kishës. Gjithnjë me vëmendjen e përqendruar tek  të vegjlit, të brishtët, të varfërit.

Disa nga postimet më të pëlqyera
Disa nga postimet më të pëlqyera

Por jo vetëm: faqja papnore e Instagramit, me kalimin e kohës, është shndërruar edhe në mundësi për ta shoqëruar Papën përmes ecjes simbolike pas Tij, komenteve, shkëmbimit të mendimeve. E simbol i kësaj afërsie është fotografia më popullore  e këtyre pesë vjetëve: ajo e Papës Françesku, që ngjitet, i vetëm, drejt tremes së Bazilikës së Vatikanit, duke përshkuar me ngadalësi dramatike, nën një shi të imtë, të akullt, sheshin bosh, më 27 marsin e kaluar, kur përgatitej për një kremtim sa rrënqethës, aq të dëshiruar: lutjen drejtuar Zotit për mbarë njerëzimin, që tmerrohej në kthetrat e pandemisë. Papa vijonte ecjen. I ndjekur nga mijëra sy. E më pas, edhe nga një milion “likes” e 24.200 komente, shumica fjalë falënderimi e bashkimi me atë lutje, që pasqyronte ankthet e shpresat e mbarë botës. E që mbeti e vulosur ndër zemra!

Disa nga postimet më të pëlqyera
Disa nga postimet më të pëlqyera

Çastet më të ndjekura : ato që Papa kaloi në Irak

Një shembull tjetër është ai i shtegtimit në Irak, që pati në Instagranm 17 milionë  vizualizime e dy milionë bashkëveprime. Ndërmjet komenteve, spikasin ato të irakianëve, si të krishterëve, ashtu edhe të myslimanëve, të cilët e falënderojnë Papën për shtegtimin, për fjalët e forta kushtuar pajtimit e paqes e për tërheqjen e vëmendjes së mbarë botës drejt vendit të tyre.

Me kalimin e kohës  besimtarët kanë nisur t’i vlerësojnë posaçërisht postimet, në të cilat figura e Atit të Shenjtë  shoqërohet me simbolet e fesë, që vënë me forcë – e pa fjalë - në dukje, rolin e Papës në jetën e botës: me Kryqin e Shën Pjetrit; me Zojën e Guadalupes; me Shën Jozefin që tund djepin e Foshnjes Hyjnore në Shpellën e Betelehemit  a me Sindonën e Shenjtë….

Kanë kaluar pesë vjet, që atëhere….. Pesë vjet pranë botës, me të cilën Papa ndan bashkë dashurinë e mëshirën! E bota i përgjigjet, duke e shoqëruar në misionin e tij  të pasardhësit të Shën Pjetrit!

19 mars 2021, 12:57