Kërko

Vatican News
Mesha e së Dielës së Larit Mesha e së Dielës së Larit  (Vatican Media)

Papa: të mahnitemi përballë Jezusit, që ngadhënjen mbi kryq

Mahnitja para Kryqit të Krishtit e para veprës së Zotit, për të marrë forcë në jetë e për të përvijuar një udhë shërbimi në favor të më të varfërve e më të mënjanuarve. Ky është mësimi i Ungjillit të së Dielës së Larit, nënvizoi Papa Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në kushte pandemie

R. SH. - Vatikan

“Ende sot, Zoti na i mahnit mendjet dhe zemrat. Le të na përshkojë kjo mahnitje, ta shohim të Kryqëzuarin e të themi: ‘Ti je me të vërtetë Biri i Zotit. Ti je Zoti im”. Fjalët e Papës Françesku, në homelinë e meshës të së Dielës së Larit, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, me masat kufizuese të pandemisë, i ftojnë besimtarët të mos mbyllen në frikën nga koronavirusi, por ta lejojnë Hyjin t’i mahnisë me veprën e tij. Në këtë ditë, Kisha Katolike përkujton hyrjen triumfale të Jezu Krishtit në Jeruzalem, por edhe mundimet e Birit të Zotit në kryq. Një dualitet, që Papa e vë menjëherë në dukje, duke shpjeguar edhe pse njerëzit fillimisht e brohoritën e pastaj, e kryqëzuan:

“Populli e pret me solemnitet, por ai hyn në Jeruzalem me një gomar të përvuajtur. Njerëzit presin çliruesin e fuqishëm për Pashkë, por Jezusi vjen për t’i përmbushur Pashkët me flijimin e tij. Njerëzit mendojnë të festojnë fitoren kundër romakëve me shpatë, por Jezusi vjen për të kremtuar fitoren e Zotit me kryq”.

Nga i Gjithëpushtetshëm, në asgjë

Këta njerëz, vijoi Papa, e admironin Jezu Krishtin, por nuk ishin në gjendje të mahniteshin prej Tij, nuk kishin sy për të parë se me çfarë mendësie kishte ardhur Biri i Zotit mes tyre, nuk mund ta ndiqnin në udhën e vështirë të përvijuar prej Tij. Për ta bërë këtë, duhet kaluar nga admirimi në mahnitje. E çfarë na mahnit e na befason, pyeti Ati i Shenjtë:

“Kjo na mahnit: ta shohim të Gjithëpushtetshmin të reduktuar në asgjë. Ta shohim Atë, Fjalën që di gjithçka, të na japë mësim në heshtje në katedrën e kryqit. Ta shohim mbretin e mbretërve, që ka si fron vendin ku do të kryqëzohet. Ta shohim Zotin e gjithësisë të privuar nga gjithçka. Ta shohim të kurorëzuar me ferra me gjemba, në vend të lavdisë. Ta shohim Atë, mirësia vetë, që fyhet e nëpërkëmbet”.

“E bëri për ne”

E përgjigjja më e ëmbël për këtë gjendje, por që na vë edhe përpara një përgjegjësie të madhe si besimtarë, është: “E bëri për ne”. E bëri për të mos na lënë të vetëm në dhimbje, shpjegoi më tej Papa Françesku. E bëri për ta marrë mbi vete vuajtjen tonë e për të na shpëtuar, për të na shndërruar:

“E tani e dimë se nuk jemi vetëm: Zoti është me ne në çdo plagë, në çdo frikë: asnjë e keqe, asnjë mëkat nuk e ka fjalën e fundit. Zoti fiton, por palma e fitores kalon përmes drurit të kryqit. Prandaj palmat dhe kryqi qëndrojnë së bashku”.

Të lutemi për hirin e mahnitjes

Ati i Shenjtë vuri kështu në dukje edhe simbolet e së Dielës së Larit, palmat e dafinat, që çdo besimtar mbante sot në duar për të kujtuar pikërisht mënyrën si e pritën Krishtin fillimisht në Jeruzalem. E për të mos e kryqëzuar edhe ne, siç bënë më pas jeruzalemasit, Papa kërkoi:

“Të lutemi për hirin e mahnitjes. Jeta e krishterë, pa mahnitje, bëhet gri. Si mund të jemi dëshmitarë për gëzimin e takimit me Jezusin, nëse nuk e lemë veten të mahnitemi çdo ditë nga dashuria e tij befasuese, e cila na fal dhe na bën të fillojmë gjithçka nga e para? Nëse feja e humbet mahnitjen, bëhet e shurdhër: nuk e ndjen më mrekullinë e Hirit hyjnor, nuk e ndjen më shijen e Bukës së jetës dhe të Fjalës, nuk e kupton më bukurinë e vëllezërve dhe dhuratën e krijimit”.

Ta duam Krishtin, në të varfrit

Në këtë Javë të Madhe të Pashkëve, Papa i ftoi besimtarët të dalin nga jeta e përditshme, nga pakënaqësitë, nga rutina e zakonshme, nga mosbesimi se gjërat mund të përmirësohen, nga gabimet e mëkatet. “T’i lartojmë sytë drejt Kryqit”, sepse aty do të gjejmë hirin e mahnitjes, i cili na ndihmon të ecim përpara në jetë, edhe në këtë kohë pandemie:

“Të rifillojmë nga mahnitja; ta shohim të Kryqëzuarin dhe t’i themi: ‘O Zot, sa më do! Sa i çmuar jam për Ty!’. Le të mahnitemi nga Jezusi për t’u kthyer në jetë, sepse madhështia e jetës nuk qëndron në pasurinë e në afirmimin e vetvetes, por në zbulimin se Dikush na do. E në bukurinë e dashurisë për të tjerët. Në të Kryqëzuarin shohim Zotin e poshtëruar, të Gjithpushtetshmin të reduktuar në hedhurinë. E me hirin e mahnitjes, e kuptojmë se duke i mirëpritur të mënjanuarit, duke iu afruar të poshtëruarve nga jeta, ne duam Jezusin: sepse Ai është atje, në të fundmit, në të refuzuarit”.

28 mars 2021, 13:30