Kërko

Vatican News
Papa Francesco me Patriarkun katolik Gewargis III  Papa Francesco me Patriarkun katolik Gewargis III   (Vatican Media)

Papa takohet me Patriakun e Kishës Asire të Lindjes: martirët tanë na prijnë drejt unitetit!

Në Erbil, Papa u takua me Catholicos Mar Gerwargis III. Gjatë bisedës së përzemërt, u kujtuan të krishterët e shumtë, që derdhën gjakun e që tani shndrisin së bashku si yje nën të njëjtin qiell, duke treguar rrugën drejt bashkimit të plotë.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të Meshës shenjte në stadiumin “Franso Hariri”, në veri të Irakut, Papa Françesku u takua përzemërsisht me Catholicos-Patrikun e Kishës Asire të Lindjes, Mar Gerwargis III, që banon në këtë qytet. “Faleminderit, i dashur vëlla”- e përshëndeti Papa që, përmes tij, përqafoi  të krishterët e të gjitha konfesioneve: “Të shumtë janë ata, që derdhën gjakun në të njëjtin vend! U martirizuan për të njëjtin Krisht, e sot shndrisin së bashku si yje, nën të njëjtin qiell! Prej atje lart, na kërkojnë edhe ne të ecim së bashku, pa ngurruar, drejt bashkimit të plotë – i kujtoi Papa Patrikut.

Kisha Asire e Lindjes

Kisha Asire e Lindjes është shumë e lashtë, e pranishme në këto troje  që në zanafillë të krishterimit. Veprat e Apostujve na kujtojnë se “partët, medët, elamitët e banorët e Mesopotamisë ishin të pranishëm në Çenakull, ditën e Rrëshajëve. Asirët ishin edhe të krishterët e parë në Persi ku, sipas traditës, më pas predikuan Shën Toma apostull dhe dishepujt e tij Addai e Mari. Pastaj kjo Kishë, në kontekstin kulturor kryesisht semitik e siriak, eci në rrugën, shumë pranë bashkësive apostolike, të një tradite origjinale teologjike e shpirtërore, duke predikuar Ungjillin edhe në Azinë qendrore,  në Indi e në Kinë. Ka të njëjtën trashëgimi teologjike e liturgjike  të Kishës kaldease e të asaj siro-malabareze në Indi, që të dyja në bashkim me Kishën e Romës që në shekullin XVI. Kishë martire, që zanafillë, shkroi faqe të tëra historie plot me persekutime, dëshmi, heroizëm, martirë. Që nga lashtësia e deri në vitet 1914 e 1924, kur mbi të krishterët shpërtheu një persekutim i papërshkrueshëm, i njohur me emrin “Seyfo”(në gjuhën siriake - shpata). Atëherë shumica e besimtarëve të saj migruan në Perëndim, duke mbartur me vete traditat shekullore. Ndonëse në Lindjen e Mesme ka akoma shumë bashkësi, gati gjysma e 450 mijë besimtarëve  të kësaj Kishe të  lashtë, jetojnë në SHBA, Kanada, Evropë e Australi.

Deklarata kristologjike e përbashkët

Dialogu ndërmjet Kishës katolike e asaj Asire të Lindjes arriti një nga kulmet në vitin 1994, me nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët kristologjike. Në këtë dokument Papa Gjon Pali II dhe Katholichos-Patriaku i Kishës Asire të Lindjes, Mar Dinkha IV, pohojnë se besojnë në të njëjtën fe në Jezu Krishtin. “Si trashëgimtarë e rojtarë të fesë, të trashëguar nga apostujt - lexohet në tekst - ne besojmë në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin, Birin e vetëm të Hyjit, lindur prej Atit para të gjithë shekujve, i cili, kur u përmbush koha, zbriti nga qielli e u bë njeri për shëlbimin tonë”. Pavarësisht nga divergjencat kristologjike, që patëm - nënvizohet - sot ne e shpallim të bashkuar të njëjtin besim në Birin e Zotit”. “Misteri i Mishërimit, të cilin ne e shpallim së bashku, nuk është abstrakt. Ka të bëjë me Birin e Zotit, që u dërgua për të na shpëtuar”.

Në vitin 2014, Papa Françesku, duke pritur në Vatikan Patriakun Mar Dinkha IV, e quajti Deklaratën kristologjike të përbashkët, nënshkruar më 1994 “gur kilometrik” në udhën “drejt bashkimit të plotë”. Me të - tha Françesku - pohuam se besojmë në fenë e vetme të Apostujve, në natyrën  hyjnore e njerëzore  të Zotit tonë Jezu Krishtit, të bashkuara në një Vetje!

Deklarata e përbashkët e 2018-tës

Në vitin 2015 Katholichos-Patrik i Kishës Asire të Lindjes u zgjodh Mar Gewargis III. Në mesazhin menjëherë pas kësaj zgjedhjeje, Papa Françesku kujtoi të krishterët edhe pakicat e tjera fetare në Irak e Siri. “Së bashku me ju - lexohet në këtë dokument - i lutem Zotit t’u japë forcë të vijojnë udhën e dëshmisë së krishterë”. E, në vitin 2018, Papa Françesku dhe Mar Gerwasis III nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi situatën e të krishterëve në Lindjen e Mesme. Në tekstin me tetë pika, nënvizohet  mirënjohja ndaj Zotit “për afrimin e vazhdueshëm të Kishës asire të Lindjes dhe Kishës katolike në fe e në dashuri. Kujtohet edhe se dhjetëvjeçarët e fundit, Kishat tona u afruan më shumë sesa në rrjedhë shekujsh”. E sot janë në pritje të ditës, kur do të bëhet e mundur  të kremtojnë së bashku, në të njëjtin altar, ndërsa dëshmojnë të njëjtin Ungjill!

07 mars 2021, 16:18