Kërko

Vatican News
Shën Alfons Maria de Liguori Shën Alfons Maria de Liguori 

Papa: Shën Alfonsi, mësues i mëshirës për ungjillëzimin e të largtëve

Pesëqind vjet më parë, më 23 mars 1871, Piu IX e shpallte Shën Alfons Maria de’ Liguorin, Doktor i Kishës. Shenjti jetoi një kthesë graduale drejt veprimtarisë baritore, që kishte në qendër të vëmendjes mëshirën. Radikaliteti ungjillor nuk duhet t’i kundërvihet ligështisë së njeriut, pohon Françesku në mesazhin e rastit, duke kujtuar sfidat e sotme të krijuara nga pandemia, nga inteligjenca artificiale e nga kërcënimi antidemokratik.

R. SH. - Vatikan

“Duhet gjetur gjithnjë rruga, që nuk i largon, por i afron zemrat tek Zoti, ashtu si pati bërë Shën Alfons de’Liguori, “mësues e pajtor i rrëfyesve dhe i moralistëve, që u dha përgjigje konstruktive sfidave të shoqërisë së kohës së vet, përmes ungjillëzimit popullor, me një stil teologjie morale të aftë për t’i harmonizuar kërkesat e Ungjillit me brishtësinë njerëzore”. Ndonëse ishte avokati më i shkëlqyer i Napolit të kohës së vet e bir i një prej familjeve më të kamura, Shën Alfonsi Maria de’ Liguori e kuptoi se Zoti po e thërriste për një detyrë të re: detyrën e meshtarit ndërmjet të varfërve. Duke iu përgjigjur zërit të Zotit, ai u largua përgjithnjë nga gjykata dhe u bë avokat i mëshirës dhe i dashurisë hyjnore në gjirin e shoqërisë napolitane të fillimit të ‘700-ës.

Prej këndej Papa nxit të ndiqet shembulli i Shën Alfonsit, “përtëritësit të teologjisë morale”, në udhën drejt shëlbimit. Udhë, në të cilën “radikaliteti ungjillor nuk i kundërvihet ligështisë së njeriut”. Ky, mendimi që shprehu sot Papa në mesazhin me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së Shën Alfonsit “Doktor i Kishës”, drejtuar atë Michael Brehl, epror i përgjithshëm i Kongregatës të  Shën Shëlbuesit e Moderator i përgjithshëm i Akademisë Alfonsiane.

“Sipas shembullit të Alfonsit - nxit Papa - “i ftoj teologët moralistë, misionarët  e rrëfyesit  të hyjnë në lidhje të gjalla me anëtarët e popullit të Zotit e ta shikojnë jetën duke u nisur nga këndvështrimi i tyre, për t’i kuptuar vështirësitë e vërteta që ndeshin e për t’i ndihmuar t’i shërojnë plagët”. Papa kujton edhe periudhën e jetuar nga Shenjti si dhe vetë Bulën e shpalljes së tij Doktor i Kishës, duke vënë në dukje veçantitë  e propozimit moral e shpirtëror të atij, që diti të tregojë “udhën e sigurt në lëmshin e ngatërruar të opinioneve kundërshtare të rigorozizmit e të lasizmit, apo të lirisë për të mos e respektuar ligjin moral. E kujton edhe se mesazhi i tij “është model  për mbarë Kishën në dalje misionare” e se tregon rrugën kryesore për t’i afruar ndërgjegjet tek fytyra mikpritëse e Atit, sepse “shëlbimi, që na ofron Zoti, është vepër e mëshirës së Tij” - nënvizon Françesku, duke cituar Evangelii Gadium, tekst programatik i papnisë, që përshkohet i tëri nga ky mesazh.

Përballë sfidave aktuale, të formohen ndërgjegjet për të bërë të mirën

Shikimi i Papës përqendrohet, më pas, tek aktualiteti i sfidave të kohës sonë: nga pandemia - tek problemi i punës në botën pas-covid; nga mjekimet e siguruara për të gjithë - tek mbrojtja e jetës e tek input që vijnë nga inteligjenca artificiale. E akoma,  problemi i mbrojtjes së krijimit, kërcënimi antidemokratik dhe urgjenca e vëllazërimit. “Mjerë ne, nëse në këtë angazhim ungjillëzues do ta veçonim “britmën të varfërve” nga  “ britma  e tokës”, pohon.

Në nivelin e teologjisë morale, ndjehet fort ftesa e Papës për ta përballuar “britmën e Zotit”, që na pyet ne të gjithëve: “Ku është yt vëlla?” Ku është yt vëlla skllav? Ku, ai që po e mbyt ditë për ditë në fabrikën e vogël klandestine, në rrjetin e prostitucionit, në jetën e fëmijëve, që i përdor si lypës?”.

Përballë kalimeve epokale si ky aktual, “duket konkretisht rreziku për t’i absolutizuar të drejtat e të fortit, duke i harruar fare nevojtarët”. Prej këndej “caku i domosdoshëm për çdo të krishterë është formimi i ndërgjegjeve për të mirën. U duhet krijuar hapësira e duhur ndërgjegjeve - vend ku jehon zëri i Zotit - që të mund t’i ngjasin Samaritanit të mirë.

Nga dëgjimi, tek ungjillëzimi

Papa ecën kështu, mbi gjurmët e Shën Alfonsit, që lindi në Napoli, më 1696. Propozimi i tij teologjik - kujton Papa - lindi nga dëgjimi e mirëpritja e ligështisë së njerëzve më të braktisur shpirtërisht. I formuar me një mendësi morale rigoroziste, u kthye në  mendësinë e mëshirës, duke dëgjuar realitetin  - vëren Françesku. E ishte pikërisht kjo përvojë misionare e periferive ekzistenciale të kohës së tij, kërkimi i të largtëve e dëgjimi i rrëfimeve, që e nxitën Alfonsin ta rishikonte, jo pa lodhje,  formimim teologjik e juridik, që kishte marrë.  Edhe themelimi i Kongregatës së Shën Shëlbuesit e akoma, përgjegjësitë si Ipeshkëv i një Kishe të veçantë,  e bënë mësues  i mëshirës,  me sigurinë se “Parajsa e Zotit është zemra e njeriut”.

Një Kishë që ka fituar pjekurinë, është e aftë për t’iu përgjigjur brishtësive shoqërore

Problemi, prandaj, është ai i takimit me kë i mungon ndihma shpirtërore, gjë që ndihmon për kapërcimin e etikës individualistike dhe promovimin e pjekurisë morale, të aftë për të zgjedhur të mirën e vërtetë”. Duke formuar ndërgjegje plot përgjegjësi e  mëshirë - nënvizon në përfundim Papa -  kemi edhe një Kishë plot pjekuri, të aftë për t’iu përgjigjur si duhet ligështive shoqërore, me sytë drejtuar nga mbretëria e qiellit”. Takimi me njerëzit më të brishtë “krijon edhe mundësinë për ta luftuar logjikën e konkurencës e të ligjit të më të fortit”, që e shikon njeriun si mall konsumi, duke i hapur kështu udhën,  kulturës së hedhurinës.

23 mars 2021, 14:35