Kërko

Kapaku i librit "Zoti dhe bota" Kapaku i librit "Zoti dhe bota" 

Papa: nuk mund të vijojmë të fabrikojmë armë, në vend që të shpëtojmë jetë

Del nesër në librari “Zoti dhe bota që do të vijë”, libër-intervistë i Papës Françesku, në bisedë me vatikanistin e gazetës “La Stampa”, Domenico Agasso (Edizioni Piemme-LEV). Po botojmë një fragment.

R. SH. - Vatikan

Nis me një pyetje biseda. Pyetje që ia bëjnë vetes gjithë njerëzit e tronditur nga  sotmja e të tmerruar nga frika e së nesërmes:

Shenjtëri, si e shpjegoni “tërmetin”, që e shkundi botën në formën e coronavirusit?

“Në jetë ka çaste të errëta. Tepër shpesh mendojmë se mund të ndodhin, por larg nesh, në vende të tjera, ndoshta në ndonjë kontinent të largët. Ndërsa përfunduam të gjithë në tunelin e pandemisë. Dhimbje e hije të tmerruara i shpartalluan portat e shtëpive tona, vërshuan në mendimet tona, sulmuan ëndrrat tona e programet tona! Bota nuk është më siç ishte. Por pikërisht brenda kësaj zezone, duhen dalluar shenjat, që mund të bëhen bazë e rindërtimit. Nuk mjaftojnë ndërhyrjet, për t’i zgjidhur emergjencat. Pandemia është sinjal alarmi, për të cilin njeriu detyrohet të reflektojë! Kjo kohë prove mund të bëhet edhe kohë vendimesh të urta, për të mirën e njerëzimit. Të gjithë njerëzimit!”.

Për cilat urgjenca e keni fjalën?

“Nuk mund të presim më me duar kryq që të marrin fund  pabarazitë dhe çrregullimet në ambient. Udha për shpëtimin e njerëzimit kalon përmes  rimendimit të modelit të ri të zhvillimit, që kërkon, në mënyrë të padiskutueshme, bashkëjetesën ndërmjet popujve, në harmoni me Krijimin. Të vetëdijshëm se çdo aksion individual nuk mbetet i izoluar, si në të mirë, ashtu edhe në të keqe, por ka pasoja edhe për të tjerët, sepse gjithçka është e ndërlidhur. Gjithçka! Duke ndryshuar stilet e jetesës, që i shtrëngojnë fort miliona njerëz, posaçërisht fëmijët, në morsën e urisë, mund të kalojmë një jetë më të thjeshtë, që do të krijonte mundësitë për rindarjen e drejtë të burimeve të jetesës. Kjo nuk do të thotë t’i pakësosh të drejtat e disave, për t’i barazuar me të tjerët, por t’u japësh më shumë  të drejta, atyre që nuk u njihen as nuk u mbrohen”.

A shihni kund shenja inkurajuese?

“Sot po provojnë t’i promovojnë këto nocione e operacione disa lëvizje të ndryshme popullore “nga poshtë”, por edhe disa institucione e shoqata. Po provojnë të konkretizojnë një mënyrë të re shikimi të Shtëpisë së përbashkët: jo më si të ishte ndonjë magazinë përplot me pasuri për t’u shfrytëzuar, por si një kopsht i shenjtë, për t’u dashur e për t’u respektuar vazhdimisht. E pastaj duhet kujtuar edhe ndërgjegjësimi i të rinjve, posaçërisht i lëvizjeve ekologjiste. Nëse nuk i shpërvjelim mëngët e nuk kujdesemi menjëherë për Tokën, me veprimtari personale e politike rrënjësore, me një kthesë ekonomike drejt ‘së gjelbrës’ e duke adresuar në këtë drejtim evolucionet teknologjike, heret a vonë Shtëpia jonë e përbashkët do të na flakë jashtë nga dritarja. Mjaft humbëm kohë! Nuk mund të presim më”.

Çfarë mendoni për financën dhe raportin me administratat publike?

 “Besoj se do të shërohet nga sëmundja e mendësisë spekulative sunduese  e do të rikthehet në shëndet me një frymë të re, sipas kritereve të paanësisë  e të objektivit për ta sheshuar hendekun ndërmjet atyre që kanë të drejtën të marrin kredi, e atyre që nuk e kanë këtë të drejtë. Në këto kushte, që po jeton njerëzimi, është shkandulluese të financohen akoma industritë që nuk japin ndihmesën e tyre në përfshirjen e të përjashtuarve e në promovimin e të fundmëve e që e penalizojnë  pasurinë e përbashkët, duke e ndotur Gjithësinë. Janë katër, kriteret që duhen ndjekur për të zgjedhur  sipërmarrjet, të cilat duhen mbështetur: “Përfshirja e të përjashtuarve, promovimi i të fundmëve, pasuria e përbashkët dhe kujdesi për Krijmin”.

Po përballojmë një nga krizat më të këqija humanitare të pas Luftës II Botërore. Vendet e ndryshme po marrin masa urgjente për përballimin e pandemisë si dhe të dobësimit dramatik të ekonomisë globale. Çka pritet nga qeveritarët?

“Sot duhet rindërtuar duke u nisur nga gërmadhat E kjo barrë rëndon tepër mbi ata, që qeverisin. Në një epokë të ngarkuar me shqetësime për të ardhmen, për punën, që mund të humbasë a ka humbur tashmë, për të ardhurat, që janë gjithnjë më të pamjaftueshme e për pasojat e tjera, që sjell me vete kriza aktuale, është themelore të administrosh me ndershmëri, transparencë, largpamje. Po secili prej nesh, e jo vetëm qeveritarët, është i thirrur t’i japë fund indiferencës, korrupsionit, bashkëfajsisë me botën e krimit”.

Nga cili parim duhet të frymëzohemi?

“Kjo që po ndodh mund t’i zgjojë të gjithë! Është kohë për t’i zhdukur padrejtësitë shoqërore. Nëse e shfrytëzojmë këtë provë si mundësi, mund ta përgatisim nën shenjën e vëllazërimit njerëzor të nesërmen, për të cilën nuk ka alternativë, sepse pa një vizion të përbashkët, nuk ka as të ardhme, për askënd. Duke e vënë në jetë këtë mësim, liderët e kombeve, së bashku me ata që kanë përgjegjësinë shoqërore, mund t’u prijnë popujve të Tokës drejt një ardhmërie të lulëzuar e vëllazërore. Krerët e shteteve mund flasin, të ballafaqohen më shumë e të konkordojnë strategji. Ta ngulim mirë në kokë se ka edhe më keq  se kriza: është drama e humbjes së këtij rasti. Nga kriza nuk mund të dalim siç hymë; do të dalim më të mirë, ose më të këqij.

Si mund të fillohet, konkretisht?

“Nuk mund të durohet më që të fabrikohen e të trafikohen armë, duke shpenzuar kapitale të mëdha, që  do të duhej të përdoreshin për të mjekuar njerëzimin, për të shpëtuar jetë. Nuk mund të shtiresh sikur nuk ke dijeni për lidhjen dramatike ndërmjet dhunës së armatosur, varfërisë  dhe shfrytëzimit indiferent të ambientit.  Është cikël, që e pengon pajtimin, ushqen shkeljet e të drejtave të njeriut dhe pengon zhvillimim e qëndrueshëm. Kundër këtij sherri planetar, që po i a merr frymën pa lindur mirë ardhmërisë së njerëzimit, duhet nisur një veprimtari politike, fryt i harmonisë ndërkombëtare. Vëllazërisht të bashkuara, qeniet njerëzore janë në gjendje t’i përballojnë kërcënimet e përbashkëta pa fajësime reciproke, pa strumentalizime të problemeve, pa nacionalizma miope, propaganda mbylljeje, izolacionizmi  e forma të tjera të egoizmit politik”.

Mbi shpatullat e grave vijon të rëndojë barra e të gjitha shqetësimeve: mendimi Juaj?

“Gratë kanë nevojë të ngutshme për ndihmë, sidomos përsa i përket edukimit dhe mirërritjes së fëmijëve, por edhe punës, ku nuk duhen diskriminuar as në planin profesional, e as në atë të pagës. Përkundrazi. Sepse prania e tyre, gjithnjë më e çmueshme, luan një rol të dorës së parë në përtëritjen shoqërore, politike, profesionale, institucionale. Nëse do të jemi në gjendje t’u krijojmë kushtet e duhura, mund të japin një ndihmesë  vendimtare për rindërtimin e ekonomisë e të shoqërive të së ardhmes, sepse gruaja e bën botën më të bukur e jetën, më të këndshme. E pastaj të gjithë po provojmë të ngrihemi përsëri në këmbë, ndaj nuk mund të harrojmë se rilindja e njerëzimit nis gjithnjë nga gruaja. Nga Virgjëra Mari lindi shpëtimi: ja pse pa gruan nuk mund të ketë shpëtim! Nëse e kemi për zemër të ardhmen, nëse dëshirojmë një të nesërme plot me gjallëri e jetë,  gjëja e parë që duhet të bëjmë, është t’i  krijojmë hapësirën e duhur gruas”.

Çfar këshillash u jepni prindërve?

“Loja me fëmijët është shfrytëzimi më i mirë i kohës së lirë. Njoh një familje që ka krijuar një element “institucional”, në shtëpi: “Programin”. Çdo të shtunë e të diel babai e nëna marrin një fletë e, së bashku me fëmijët, programojnë e shkruajnë të gjitha takimet dhe lojërat, që do t’i realizojnë së bashku gjatë javës së ardhshme. Së bashku, prindër e fëmijë! E pastaj e varin listën mbi një tabelë në kuzhinë. Fëmijëve u shndrisin sytë kur ulen për të shkruar “programin”, gjë që tashmë është bërë rit. Kjo nënë e ky baba mbjellin, kështu, edukimin. “Mbilleni edukimin!”. Duke luajtur me babain e me nënën, fëmija mëson të jetojë në mes të njerëzve, mëson rregullat e jetës e nevojën për t’i respektuar, fiton atë besim, që do ta ndihmojë më pas të dalë pa frikë në realitetin e jashtëm, në botë. Njëkohësisht fëmijët ndihmojnë prindërit, sidomos për dy gjëra: për ta shfrytëzuar më mirë kohën e jetës e për të qenë gjithnjë kokulur. Për ta nëna e babai zënë gjithnjë kryet e vendit, të tjerat: puna, udhëtimet, sukseset e shqetësimet, janë të dorës së dytë. E kjo i mbron nga tundimi i narcizizmit, domethënë, i vetëdashjes, i egoizmit të shfrenuar, në të cilin rrezikohemi të biem çdo ças”.

Dhuna e Covid i rrënoi keqas perspektivat, edhe ashtu të pakta,  të miliona të rinjve në mbarë botën. Të rinjtë ndodhen para një mori paqartësish, duke nisur nga riorganizimi shkollor, profesional, shoqëror, ekonomik e politik, që po ua rrëmben të ardhmen. Çfarë dëshironi t’u thoni “breznive të Covid”?

“I inkurajoj të mos u nënshtrohen hamendjeve të pafavorshme. E të vijojnë  të shikojnë ëndërra me sy hapur. Nuk duhet të kemi frikë nga ëndrrat e mëdha. Puna për t’i realizuar këto ëndrra mund të na mbrojë nga ata, që do të dëshironin t’i jepnin fund çdo ëndrre: nga pesimistët, nga ata, që duan të përfitojnë nga rasti. Asnjëherë më shumë se sot breznitë e reja nuk i paguan haraç më të lartë krizës ekonomike, punësuese, shëndetësore, morale. Por lotët nuk sjellin asgjë të mirë, madje e kënaqin krizën. Në vend të lotëve, duhet derdhur djersë, siç po bën shumëkush. Të rinjtë nuk duhet të rrinë duarkryq, si të ishin të paaftë, të papërgatitur,  të papjekur. Nuk duhet të rrinë duarkryq, duke pritur t’u trokasë fati tek porta. E pastaj, është edhe dija! Në Librin e Zanafillës (Kap. 2) lexojmë se Zoti, pasi  krijoi  qiellin e tokën, e mori njeriun dhe e vuri në kopshtin e Edenit, që ta kultivonte e ta njihte. Nuk e nxori në pension, nuk e nisi për pushime, nuk e la të shtrirë në divan: e çoi  për të studiuar, për të punuar.

Zoti e bëri njeriun të aftë e përplot me dëshirë për dije e për të luajtur këmbë e dorë. E natyrisht, edhe për të dashur. ‘Do ta duash të afërmin tënd si vetveten!’. Nuk ka urdhërim më të rëndësishëm se ky, u thotë Jezusi dishepujve të vet. Ja pra, të rinjtë kanë freskinë dhe forcën për t’i kryer me hov të ri detyrat e caktuara nga Zoti. Kanë forcë të bëhen burra e gra të dijes, të dashurisë, të mirësisë. Duke ia hapur zemrën takimit e mrekullisë, mund gëzohen nga bukuritë dhe dhuratat e jetës e të natyrës, nga emocionet e nga dashuria, në të gjitha shprehjet e saj. Duke ecur gjithnjë përpara për të mësuar nga çdo përvojë, duke përhapur dijen e duke shumëfishuar shpresën që buron nga rinia, do të mund ta marrin në dorë timonin e jetës e, njëkohësisht, do të përhapin kudo gjallërinë, që e çon përpara njerëzimin, duke e bërë të lirë. Ndaj edhe pse natës nuk i duket fundi, nuk duhet ta humbasim guximin. E, siç thoshte Shën Filip Neri, nuk duhet të harrojmë të gëzohemi, sa më shumë që të jetë e mundur!”.

15 mars 2021, 11:30