Papa: nëse nuk ka frymë skuadre, nuk ka sport të vërtetë
R.SH. - Vatikan
Sy të gjallë dhe energji, në fytyrat e qeshura të lojtarëve të vaterpolos nga Gjenova e Italisë, të cilët gati e rrethuan Papën Françesku gjatë takimit me të, sot paradite. E dëgjuan me vëmendje dhe emocion, sepse edhe audienca me Papën është fitore e madhe. E Ati i Shenjtë përfitoi nga rasti për t’u kujtuar djemve dhe drejtuesve të tyre dy qëndrime të dashura për të, sepse, siç e dimë, sporti përfaqëson jetën.
“Gjithmonë punoni si ekip, jo vetëm”, u tha Françesku të rinjve, pasi kur “nuk ka skuadër, nuk ka sport të vërtetë”. Për Papën, ata që duan të bëjnë gjithçka të vetëm, e dëmtojnë krejt lojën:
“Ata, që duan të bëjnë gjithçka vetë, në fund të fundit nuk bëjnë asgjë, ose kërkojnë vetëm të duken, duke e dëmtuar ekipin”.
Fryma amatoriale
Por ka edhe një aspekt tjetër, që duhet mbajtur gjallë, nënvizoi Papa, i cili si trajner – megjithëse stërvit shpirtin – theksoi me bindje:
“Mos e humbisni kurrë frymën amatoriale. Sporti i vërtetë është amator, të paktën ruajeni gjithmonë këtë. Skuadrën dhe frymën amatoriale”.