Kërko

Papa në Mosul: vëllazërimi është më i fuqishëm se vëllavrasja

Një ndër çastet nevralgjike, në ditën e tretë të Papës në Irak, ishte lutja për viktimat e luftës në Mosul, qytet i rrënuar nga tërbimi i Is, por që e ka nisur tashmë udhën e rindërtimit edhe me bashkëpunimin e të krishterëve me myslimanët. Tepër mizore, theksoi Françesku, dhuna çnjerëzore ushtruar mbi këtë vend. E, si ia besoi Zotit të vdekurit, u lut edhe për persekutuesit.

R. SH. - Vatikan

Ndërmjet rrënojave, atje ku Shteti i vetëshpallur Islamik mbolli errësirë, vdekje e terror, Papa solli dritën e fesë e të shpresës. Në një Mosul në kërkim të rindërtimit të shtëpive e të zemrave, Françesku i lypi Zotit falje  e hir, ndërsa tregonte rrugën e vënies në jetë të Planit të Atit për njeriun, plan dashurie, paqeje, bashkëpunimi ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Çaste të paharrueshme. Të jetuara me lutje e heshtje, ndërmjet gërmadhave të katër kishave, dëshmitare të vuajtjeve të të krishterëve, kur këtu shkeli këmba barbare e Isis. Ndërmjet viteve 2014 e 2017, në Hosh al-Bieaa, shesh i katër kishave: siro-katolike, armeno-ortodokse, siro-ortodokse e kaldease, të katra u hodhën në erë nga sulmet terroriste. Pati, prandaj, edhe çaste përhumbjeje… Ndërmjet çasteve kur mbi gërmadhat u lartuan himne falënderimi e këngë gëzimi, nën një diell të shndritshëm, që dukej sikur premtonte rilulëzimin e jetës, mbi gërmadhat e vdekjes.

Vitet e errëta në Mosul edhe ikja e të krishterëve

Mosuli është vendi-simbol i Isis-it, kryeqytet i tmerreve e i masakrave, ndërmjet viteve 2014 e 2017. Qyteti i lashtë, mbi bregun perëndimor të lumit Tigri, përballë mbetjeve arkeologjike të Ninives, nga udhëkryq etnish e fesh që ishte në rrjedhë shekujsh, gjatë këtyre viteve u shndërrua në vend terrori. Nga “qyteti i profetëve”, i quajtur kështu për shkak të pranisë së varreve të pesë profetëve myslimanë, rreth një gjysëm milioni njerëz, ndërmjet të cilëve 120 mijë të krishterë, u detyruan të ikin në këto vite të errëta e vendi mbeti shkret. U rrënua, ndërmjte tjerash, Mauzoleu i Awn ad-din, i Nabi Ynis (mauzoleu i Profetit Jona), përveç dorëshkrimeve  të rralla, më se 100.000 librave të ruajtura në Bibliotekë, vlerave arkeologjike e deri xhamisë së Mur-ad-din. Tepër të rënda, pasojat e  terrorit - kujtoi Papa - duke i lartuar lutjen Zotit të gjithëpushteshëm për të gjitha viktimat e luftërave dhe të konflikteve të armatosura:

“Sa mizore është për këtë vend, djep i qytetërimit, të goditet nga një stuhi kaq çnjerëzore, t’i shkatërrohen vendet e lashta të kultit  e mijëra e mijëra njerëz - myslimanë, yazidë e të tjerë - të shpërngulen me forcë a të vriten! Pamje tragjike këto, që u kujtuan në këtë ditë! Pamje urrejtjeje e dhune! Në dukje pa shpresë! Por të krishterët e dinë mirë se shpresa është më e fortë se vdekja; paqja, më e fortë se lufta. Kjo bindje flet me zë më të fuqishëm se urrejtja e dhuna, e kurrë nuk do të mund të mbytet në gjakun e derdhur nga ata, që e fyejnë emrin e Zotit, duke ecur në udhët e shkatërrimit”.

Dëshmi prekëse rrënimi e rindërtimi

Para se të niste lutja kushtuar viktimave të luftës, Papa falënderoi të pranishmit për urimin e mirëseardhjes, duke nisur nga atë Raid Kallo e zoti Gutayba Aagha për dëshmitë e tyre prekëse. Atë Raid kujtoi çastet tragjike kur shumë familje të krishtera u dëbuan përdhunisht nga shtëpitë e tyre, duke theksuar se dëbimi i dishepujve të Krishtit, këtu e në gjithë Lindjen e Mesme është dëm i pallogaritshëm jo vetëm për njerëzit e bashkësitë e tyre, por për mbarë shoqërinë, që lënë pas shpine. Me dhimbje të thellë, rregulltari kujtoi se indi kulturor e fetar, tejet i pasur me larmi, u ligështua ndjeshëm, duke theksuar se edhe një i ikur i vetëm, sado i vogël të jetë, është i pazëvendësueshëm për këtë vend aq të pasur, që u varfërua kaq shumë! Ju, atë - vijoi Papa bisedën me rregulltarin - na folët edhe për përvojën vëllazërore, që po jetoni me myslimanët tani, pas rikthimit në Mosul, ku gjetët mikpritje, respekt, bashkëpunim. Për të falënderuar, më pas, folësin për këto shenja që Shpirti Shenjt bën të lulëzojnë në shkretëtirë, duke dëshmuar se mund të shpresohet akoma e se njerëzit do të mund të pajtohen e të nisin një jetë të re.

Pastaj Papa vijoi me falënderimin drejtuar zotit Aagha, që kujtoi se identiteti i vërtetë i këtij qyteti është ai i bashkëjetesës së harmonishme të njerëzve me origjinë e kulturë të ndryshme. Prandaj Papa e mbështeti fort ftesën drejtuar bashkësisë së krishterë për t’u rikthyer në Mosul e për të luajtur përsëri rolin jetik në procesin e shërimit të plagëve e të përtëritjes së vendit!

Sot - kujtoi në vijim Françesku - do të lartojmë një lutje drejtuar Zotit të gjithëpushtetshëm për të gjitha viktimat e luftës e të ndeshjeve të armatosura. Këtu, në Mosul - nënvizoi - pasojat tragjike të luftës e të armiqësisë janë tepër të dukshme:

Para lutjes për viktimat e luftës

Më pas, lutja për viktimat e luftës, që Papa e hapi me fjalët:

“Para se të lutem për viktimat në Mosul, në Irak e në të gjithë Lindjen e Mesme, dëshiroj të ndaj me ju këto mendime:

“Nëse Zoti është Zoti i jetës - e kështu edhe është - ne nuk na lejohet t’i vrasim vëllezërit në emër të Tij!

Nëse është Zoti i paqes - e është - ne nuk na lejohet të bëjmë luftë në emër të Tij!

Nëse Zoti është Zot i dashurisë - e edhe është - ne nuk lejohemi t’i urrejmë vëllezërit!”.

Më pas lutja drejtuar Zotit të gjithëpushtetshëm që t’u japë viktimave të luftës pushimin e pasosur e dritën e pambaruar e t’i presë me krahë hapur në përqafimin e amshuar. Lutje edhe për ne - kujtoi Papa - që, pavarësisht nga përkatësitë fetare, të mund të jetojmë në harmoni e paqe, të vetëdijshëm se para syve të Zotit jemi të gjithë vëllezër e motra:

Lutja e Papës

“O Zot i tejelartë, Perëndi i kohës e i historisë. Ti për dashuri e krijove botën e nuk pushon së dikuari përsëri bekime mbi krijesat tua. Ti, pavarësisht nga oqeani i vuajtjes e i vdekjes, pavarësisht nga tundimi i dhunës, i padrejtësisë e i fitimit të padrejtë, i shoqëron bijtë e bijat tua me dashurinë e ëmbël të Atit.

Po ne, njerëzit, mosmirënjohës për dhuratat e tua e të hutuar nga shqetësimet tona e nga ambicjet tepër tokësore, shpesh i harruam planet tuaja të paqes e të harmonisë. U mbyllëm në vetvete e në interesat tona e, duke të harruar Ty e të tjerët, ia mbyllëm me shul portat paqes. U përsërit, kështu, çka Jona profet i pati thënë Ninives: ligësia e njerëzve arriti deri në qiell. Nuk lartuam drejt qiellit duar të pastra, por nga toka u lartua britma e gjakut të pafajshëm. Banorët e Ninives, pas britmës së Jonës, e dëgjuan zërin e profetit dhe e gjetën shpëtimin në pendesë. Edhe ne, o Zot, ndërsa  t’i besojmë  viktimat e shumta të urrejtjes së njeriut kundër njeriut, lypim ndjesën tënde e lutemi për hirin e pendimit.

Kyrie eleison! Kyrie eleison! Kyrie eleison!

O Zoti ynë, në këtë qytet dy simbole dëshmojnë dëshirën e përhershme të njerëzimit për t’u afruar tek Ti: xhamia Al-Nouri, me minarenë Al Hadba dhe Kisha e Zojës së Sahatit. Është një orë e cila, që prej njëqind vjetësh, u kujton kalimtarëve se jeta është e shkurtër e koha, e çmuar. Na mëso, të lutemi, ta kuptojmë se Ti na e besove ne planin e dashurisë, të paqes e të pajtimit, që ta jetonim në kohë, në jetën tonë të shkurtër tokësore. Bëj ta kuptojmë  se vetëm duke e vënë në jetë pa vonesë mund ta  rindërtojmë këtë qytet e këtë vend e se mund të shërohen edhe zemrat e copëtuara nga dhembja.

Ndihmona të mos e kalojmë kohën në shërbim të interesave tona egoiste, personale a të grupit, por në shërbim të planit të dashurisë. E, kur dredhojmë rrugë, ndihmona ta dëgjojmë  zërin e  njerëzve  të vërtetë të Zotit e të pendohemi me kohë, për të mos u dërmuar përsëri me shkatërrim e vdekje!

Po t’i besojmë ata, jeta tokësore të cilëve u këput nga duart e dhunshme të vëllezërve të tyre; e po të lutemi edhe për ata, që i bënë keq vëllezërve e motrave të tyre: bëj të pendohen, të prekur nga pushteti i mëshirës sate!”.

Requiem æternam dona eis, Domine, et lux perpetua luceat eis.

Requiescant in pace. Amen.

(Jepjau Zot pushimin e pasosur, e i ndritët drita e pambaruar

Pushofshin në paqe. Ashtu qoftë!)

07 mars 2021, 10:25