Kërko

Vatican News

Papa në kthim nga Iraku: “Bamirësia, dashuria e vëllazërimi, kjo është udha”

Në intervistën e tij me gazetarët gjatë fluturimit për në Romë, Papa Françesku përshkon etapat e udhëtimit të tij historik në Irak: takimin me “njeriun e urtë e njeriun e Zotit” Al Sistani, emocionin para kishave të shkatërruara të Mosulit, emocionin për fjalët e nënës së krishterë, që humbi djalin e saj dhe i fali vrasësit, premtimin për një udhëtim në Liban

R.SH. -Vatikan

Bamirësia, dashuria dhe vëllazërimi janë rrugët, që duhet të ndjekë Iraku. Gjatë udhëtimit të kthimit nga Bagdadi në Romë, pas shtegtimit hisorik në vendin e Gjirit Persik, Papa Françesku reflekton me gazetarët, që e shoqërojnë, mbi katër ditët e kaluara në ato troje, ku të krishterët kanë jetuar prej shekujsh, por ku edhe sot e kësaj dite kanë vështirësi të jashtëzakonshme.

Ati i Shenjtë Françesku tregoi përshtypjet e tij në takimin me ajatollahun shiit Al Sistani, emocionin para kishave të shkatërruara në Mosul dhe pohoi se i premtoi Patriarkut Bechara Rai një udhëtim për në Liban. Në fillim të takimit në avion, Papa përshëndeti imzot Dieunonné Datonou, koordinatorin e ri të udhëtimeve papnore, të cilin e quajti “sherifi i ri”. Pastaj iu drejtua gazetarëve: “Së pari, faleminderit për punën, për shoqërinë dhe për lodhjen tuaj".

Dita e Gruas

"Sot është Dita e Gruas, urime grave! Në takim me gruan e presidentit të Irakut biseduam pse nuk ka festa për burra. Thashë: po sepse ne burrat festojmë gjithmonë! Gruaja e presidentit më foli për gratë, tha gjëra të bukura sot, foli për qëndresën e grave, të cilat bëjnë të vazhdojë jeta, hisoria, familja, shumë gjëra të tjera. Dhe e treta: dje ishte ditëlindja e gazetares së Cope-s: gëzuar e duhet ta festojmë, do të shohim pastaj si mund ta bëjmë këtu”.

Dokumenti i Abu Dabit, Al Sistani e Libani

I pyetur mbi Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor të Abu Dabit, mbi takimin me ajatollahun shiit e mbi udhëtimin në Liban, Papa Françesku nënvizoi:

"Dokumenti i Abu Dabit i 4 shkurtit u përgatit së bashku me Imamin e Madh në fshehtësi, për gjashtë muaj, duke u lutur, duke reflektuar dhe duke e korrigjuar tekstin. Ishte – si të themi, merreni si mendjemadhësi nga ana jonë – ishte një hap i parë. Mund të themi se ky [takimi me Al Sistanin] ishte i dyti dhe do të ketë edhe të tjerë. Rruga e vëllazërimit është e rëndësishme. Dokumenti i Abu Dabit më la shqetësimin për vëllazërimin e, më pas, u publikua “Fratelli tutti”. Të dyja dokumentet duhet të studiohen, sepse shkojnë në të njëjtin drejtim, në udhën e vëllazërimit. Ajatollahu Al Sistani ka një frazë, që përpiqem ta mbaj mend mirë: njerëzit, ose janë vëllezër nga feja ose janë të barabartë nga krijimi.

Vëllazërimi është barazi e, nuk mund të shkojmë poshtë barazisë. Besoj se është edhe një rrugë kulturore. Le të mendojmë për ne të krishterët, për Luftën e 30 viteve, për natën e Shën Bartolomeut, sa për të dhënë një shembull. Si ndryshon mendësia, edhe ndërmjet nesh: sepse feja na bën të kuptojmë se kjo është zbulesa e Jezu Krishtit e se dashuria dhe bamirësia na çojnë drejt saj: sa shekuj për t’i vënë në praktikë këto! Kjo është e rëndësishme, vëllazërimi njerëzor, si njerëz jemi të gjithë vëllezër e duhet të ecim përpara bashkë me fetë e tjera. Koncili II i Vatikanit bëri një hap të madh përpara e, edhe institucionet pas tij, si Këshilli për Bashkimin e të Krishterëve dhe Këshilli për Dialogun Ndërfetar.

Ti je njerëzor, ti je bir i Zotit e vëllai im, pikë! Kjo do të ishte këshilla më e madhe e, shpesh, duhet rrezikuar për ta ndërmarrë këtë hap. Ka disa kritika: se papa nuk është guximtar, se është i papërgjegjshëm, se po bën hapa kundër doktrinës katolike, se është një hap nga herezia, se ka rreziqe. Por këto vendime merren gjithmonë në lutje, në dialog, duke kërkuar këshilla, në reflektim. Nuk janë teka e shkojnë në drejtimin e mësimeve të Koncilit.

Përsa i përket Libanit, ai është mesazh: Libani vuan, Libani është më tepër se një ekuilibër, ka brishtësinë e ndryshimeve, disa prej të cilave nuk pajtohen ende me njëra-tjetrën, por ka edhe qëndresën e popullit të tij të madh, si kalaja e kedrave. Gjatë këtij udhëtimi, Patriarku Rai m’u lut të bëja një ndalesë në Bejrut, por m’u duk pak... Një thërrime, para një problemi, një vendi, që vuan si Libani. I shkrova një letër, i bëra premtimin për të shkuar atje në shtegtim. Tani për tani, Libani është në krizë, por në një krizë jete – pa dashur ta fyej. Libani është kaq bujar në pritjen e refugjatëve".

Takimi me Al Sistanin, mesazh universal

Sipas Papës, takimi me ajatollahun shiit Al Sistani është mesazh universal për të gjithë. “E ndieva për detyrë të bëj këtë shtegtim feje e pendese, të shkoj për të takuar një njeri të madh, të urtë, një njeri të Zotit: vetëm duke e dëgjuar kuptohet kjo. Duke folur për mesazhet, unë do të thoja se mesazhi është për të gjithë, e ai është njeri, që e ka atë urti e maturi. Më tha: “Që prej 10 vitesh nuk pres njerëz, që vijnë të më vizitojnë me qëllime politike e kulturore… vetëm me ato fetare. E ishte shumë i respektueshëm, shumë i respektueshëm në takim. U ndjeva i nderuar. Edhe në çastin e përshëndetjes, ai nuk ngrihet kurrë në këmbë... U ngrit për të më përshëndetur mua, dy herë… njeri i përvuajtur dhe i mençur, më bëri mirë në shpirt ky takim. Është një dritë e, këta të urtë janë kudo, sepse mençuria e Zotit është e përhapur në të gjithë botën.

E njëjta gjë ndodh me shenjtorët, që nuk janë vetëm ata, të cilët lartohen në altar. Ndodh përditë, janë ata që unë i quaj shenjtorë të portës përballë, burra dhe gra, të cilët e jetojnë fenë me qëndresë, çdo fe. Ata, që i jetojnë vlerat njerëzore me koherencë, e jetojnë vëllazërimin me koherencë. Mendoj se duhet t’i zbulojmë këta njerëz, t’i nxjerrim në pah, sepse ka kaq shumë shembuj... Kur ka shkandulle, edhe në Kishë, - janë shumë e kjo nuk ndihmon – le t’u tregojmë njerëzve që po kërkojnë rrugën e vëllazërimit, shenjtorët e portës përballë e, me siguri do të gjejmë njerëz të familjes, ndonjë gjysh, ndonjë gjyshe".

Kthimi në Argjentinë

 Gazetarët e pyesin Papën nëse dëshiron të kthehet ndonjëherë në Argjentinë, në udhëtim apostolik e nëse shtegtimi në Irak mund të konsiderohet kryeudhëtimi i papnisë së tij.

“Përgjigjem gjithnjë pak me ironi – vërejti Papa. – Kam qenë për 76 vite në Argjentinë, mjafton, apo jo? Ka diçka që, nuk e di pse, nuk thuhet: një udhëtim në Argjentinë ishte planifikuar në nëntor 2017. Filluam punën, duhej të shkonim në Kili, në Argjentinë dhe në Uruguaj. Ishte për fundin e nëntorit… Por atëherë, Kili ishte në fushatë zgjedhore. Ato ditë, në dhjetor, u zgjodh pasardhësi i Michelle Bachelet e unë duhej të shkoja përpara se qeveria të ndryshonte. Nuk munda. Ne kishim menduar ta bënim kështu: të shkonim në Kili në janar dhe më pas në Argjentinë e Uruguaj… Por nuk ishte e mundur, sepse janari është si korriku e gushti për të dyja vendet. Duke pasur parasysh këtë, u sugjerua: pse të mos bashkojmë edhe Perunë? Peruja ishte hequr nga udhëtimi në Ekuador, Bolivi e Paraguaj. U la mënjanë. E prej andej lindi udhëtimi në janar 2018 në Kili dhe Peru. Dua ta them këtë që të mos ketë fantazi për ndonjë “fobi nga atdheu”: kur të krijohet mundësia, do të bëhet, sepse presin Argjentina, Uruguaj dhe Brazili i Jugut. E përsa u përket udhëtimeve... Për të marrë një vendim për to, unë dëgjoj, dëgjoj këshilltarët e nganjëherë dikush vjen e më thotë çfarë mendon. Më bën mirë të dëgjoj, kjo më ndihmon të marr vendime më vonë. Dëgjoj këshilltarët dhe në fund lutem, reflektoj shumë, për disa udhëtime reflektoj shumë”.

Papa shpjegon se për udhëtimin në Irak e ka ndihmuar edhe leximi i librit “Vajza e fundit” shkruar nga Nadia Mourad, që flet për historinë e jazidëve. Vetë Nadien, Ati i Shenjtë e takoi personalisht, duke dëgjuar nga goja e saj gjithë historitë e tmerrshme të vajzave të keqtrajtuara nga Isisi. Ati i Shenjtë tregon se tani duhet të shkojë në Hungari, në meshën përfundimtare të Kongresit Eukaristik ndërkombëtar. Nuk do të shkojë për vizitë në atë vend, por vetëm për meshën. Budapesti, vërejti, është një orë me makinë nga Sllovakia e kështu, udhëtimi mund të përmbajë etapa të tjera.

Pandemia e udhëtimi në Irak

Gjatë kremtimeve e takimeve të Papës në Irak pati shumë njerëz. Njëri nga gazetarët e pyeti Françeskun nëse mendon se pjesë e atyre njerëzve mund të sëmuren nga Covid-19, që ndoshta, mund të jetë përhapur këto ditë. E Ati i Shenjtë nënvizoi se Zoti, i cili pas lutjeve e reflektimeve të shumta, bëri të mundur realizimin e udhëtimit, do të mendojë për njerëzit. Gjithsesi, masat kundër pandemisë u respektuan.

Sfidat e të krishterëve në Lindjen e Mesme

Ndërsa, përsa u përket sfidave të krishterëve në Lindjen e Mesme – tjetër pyetje kjo – Papa Françesku nënvizoi se deri tani nuk ka menduar një sinod për ta, por mund të jetë një ide.

 “Jeta e të krishterëve është e trazuar, por jo vetëm ajo e të krishterëve, folëm edhe për jazidët… E kjo, nuk e di pse, më dha një forcë shumë të madhe. Kemi problemin e migrimit. Ndërsa po ktheheshim nga Karakoshi në Erbil, pashë shumë njerëz, të rinj, mosha është shumë e re. E dikush më pyeti: cila është e ardhmja për këta të rinj? Ku do të shkojnë ata? Shumë do të detyrohen të largohen nga vendi. Para se të niseshim për udhëtim u takova me 12 refugjatë irakianë: njëri kishte protezë në këmbë, sepse iku nën kamion dhe u aksidentua. Migrimi është një e drejtë e dyfishtë: e drejta për të mos migruar, e drejta për të migruar. Këta njerëz nuk kanë as njërën, as tjetrën, sepse nuk mund të mos migrojnë, nuk dinë ku të rrinë. E nuk mund të migrojnë, sepse bota nuk është ende e vetëdijshme se migrimi është e drejtë e njeriut. Një sociolog italian më tregoi një herë për dimrin demografik në Itali: brenda dyzet viteve do të na duhet të “importojmë” të huaj që të punojnë dhe të paguajnë taksat për pensionet.

Por migrimi shihet si pushtim. Dje u takova, sepse ma kërkoi ai vetë, me babain e Alan Kurdit, pas meshës. Ky fëmijë është simbol, Alan Kurdi është simbol, që shkon përtej çdo fëmije, që ka vdekur gjatë migrimit. Është simbol i qytetërimeve që vdesin, që nuk mund të mbijetojnë, simbol i njerëzimit. Duhet të merren masa urgjente për t’u siguruar njerëzve punë në vendin e tyre, që të mos kenë nevojë për të migruar e, edhe masa për ta mbrojtur të drejtën për të migruar. Është e vërtetë që çdo vend duhet të studiojë mirë aftësinë e mikpritjes, sepse s’është fjala vetëm për t’i pranuar, por edhe për t’i shoqëruar, për t’u dhënë mundësi emigrantëve të përparojnë e të integrohen”.

Papa dha shembullin e terroristëve në Belgjikë, të lindur në atë vend, ku kishin emigruar prindërit e tyre, por të paintegruar. Ndërsa në Suedi, vetë Ati i Shenjtë pati takuar një ministre me origjinë të huaj, plotësisht të integruar. Françesku falënderoi Libanin, ku strehohen dy milion sirianë, si edhe Jordaninë, ku strehohen një milion e gjysmë migrantë.

Udhëtimi në Siri

I pyetur për mundësinë e një udhëtimi në Siri, Papa Françesku u përgjigj se e ndien veten pranë atij vendi të martirizuar, por tani për tani, është ftuar vetëm për një udhëtim në Liban. E kujtoi lutjen e përbashkët memsylimanët për Sirinë.

Audiencat e përgjithshme

Më pas, gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Papa Françesku vuri në dukje se dëshiron me gjithë zemër të kthehen audiencat e përgjithshme, në praninë e njerëzve. Tani për tani, ka filluar lutjen e Engjëllit të Tënzot nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, por për të bërë hapa të tjera, duhen dëgjuar ekspertët e pandemisë së koronavirusit. Megjithatë, Papa kujtoi fjalët, që Zoti i tha Davidit: “Unë të hoqa nga grigja, mos e harro grigjën”. Kontakti me popullin e Hyjit, na shpëton  e na bën të mos e konsiderojmë veten si ndonjë kastë e privilegjuar klerikësh, nënvizoi Ati i Shenjtë.

Ndjenjat e Papës në Karakosh e Mosul

E sërish, gazetarët kthehen në përshtypjet e Papës në Karakosh e Mosul, ku u takua me bashkësinë e martirizuar të krishterë, aty ku Isisi u pati vënë flakën kishave, i pati shndërruar shtatoret e shenjtorëve në shënjestra për qitje e pati vrarë e prerë kë mundi.

 “Ajo që më emocionoi më shumë – tregoi Françesku - ishte dëshmia e një nëne në Karakosh. Dhanë dëshmi një meshtar, që e njeh vërtet varfërinë, shërbimin, pendimin dhe një grua, që humbi djalin e saj në bombardimet e para të Isisit. Ajo tha një fjalë: falje. U emocionova. Një nënë që thotë: fal, kërkoj falje për ta… E kemi humbur këtë fjalë, dimë vetëm të fyejmë, dimë të dënojmë, unë i pari. Por të falësh ... të falësh armiqtë, ky është Ungjill i pastër. Kjo më bëri më shumë përshtypje në Karakosh”.

 Papa u ndal edhe në emocionet e tij në Mosul:

 “Ndalova para kishës së shkatërruar, nuk kisha fjalë. E pabesueshme, e pabesueshme... Jo vetëm ajo kishë por edhe kishat e tjera, madje edhe një xhami e shkatërruar. Shihet se s’ishte dakord me këta njerëz. E pabesueshme mizoria jonë njerëzore. E në këtë çast, as që dua ta them fjalën, por po rifillojmë: mjafton të shohim Afrikën. E me përvojën e Mosulit, me këto kisha të shkatërruara dhe gjithçka tjetër, krijohet armiqësi, krijohet luftë dhe i ashtuquajturi Shtet Islamik po fillon të veprojë përsëri. Kjo është diçka e keqe, diçka shumë e keqe. Një pyetje që më erdhi në mendje në kishë ishte kjo: kush po u shet armë këtyre shkatërrimtarëve? Sepse ata nuk i prodhojnë armët në shtëpi, përveç ndonjë bombe... Por kush i shet armët? Kush është përgjegjës? Të paktën do t’u kërkoja atyre, që shesin armë, sinqeritetin për të thënë: po, ne shesim armë. Por nuk e thonë. Shëmti e gjallë!”.

Roli i grave

Në Meshën e kremtuar në Erbil, Papa Françesku përmendi rolin e grave, por pavarësisht nga toleranca, kur një grua e krishterë martohet me një mysliman, ose ansasjelltas, familja e përjashton nga gjiri i saj, shoqëria nuk e pranon. E Ati i Shenjtë komentoi:

“Gratë janë më të guximshme se burrat, por gjithnjë ka qenë kështu. Por gruaja poshtërohet edhe sot, deri në ekstrem: njëri prej jush më tregoi listën e çmimeve të grave (përgatitur nga Isisi, që blinte gra të krishtera dhe jazide). Nuk mund ta besoja: nëse gruaja është kështu e ashtu, ajo moshë kushton kaq… Gratë shiten, gratë skllavërohen. Edhe në qendër të Romës, puna kundër trafikimit është e përditshme. Gjatë Jubileut shkova për të vizituar një nga shtëpitë e shumta të Veprës së Don Benzit. Vajza të shpëtuara, njëra me veshin e prerë, sepse nuk solli para atë ditë, tjetra e marrë nga Bratislava në bagazhin e makinës, skllave, e rrëmbyer. Kjo ndodh mes nesh, eh! Trafikimi i njerëzve. Në këto vende, veçanërisht në Afrikë, gratë gjymtohen përmes një rituali të zakonshëm. Gratë janë akoma skllave dhe ne duhet të luftojmë për dinjitetin e tyre. Ato e çojnë historinë përpara, kjo nuk është ekzagjerim, gratë e çojnë historinë përpara dhe nuk është një kompliment për Ditën e Grave, që festohet sot... Të mendosh se diku është diskutuar nëse refuzimi i gruas nga burri duhej bërë me shkrim a me gojë. As e drejta për të pasur aktin e refuzimit! Kjo ndodh sot, por për të mos shkuar larg, majfton të mendojmë për qendrën e Romës, për vajzat që rrëmbehen dhe shfrytëzohen. Mendoj se i thashtë të gjitha ç’kisha. Ju uroj fund të mbarë të udhëtimit dhe ju kërkoj të luteni për mua se kam nevojë”.

08 mars 2021, 14:07