Kërko

Vatican News
POPE-IRAQ/SPEECH POPE-IRAQ/SPEECH 

Papa në Irak: respekt për të gjitha bashkësitë fetare

Papa, në takimin e tij parë, u kujtoi irakianëve se “Duhet vendosur drejtësia, duhet ndershmëri, transparencë, forcim i institucioneve”. Se bashkëjetesa paqësore ka nevojë për dialog durimtar e të sinqertë, të mbrojtur nga drejtësia dhe respektimi i ligjit. Detyrë aspak e lehtë, që kërkon lodhje e angazhim nga ana e të gjithëve, për të zhdukur rivalitetet e kundërvëniet e për t’u nisur nga identiteti më i thellë që kemi, ai i bijve të një Krijuesi të vetëm!

R. SH. - Vatikan

Takimi i parë i Papës në Republikën e Irakut, me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik, filloi me përshëndetjen e rastit drejtuar të pranishmëve, duke nisur nga presidenti Salih, për të përfunduar me përfaqësuesit e Kishës katolike dhe me anëtarët e Kishave, të bashkësive të tjera kishtare, si dhe me ato të islamit e të bashkësive të tjera fetare:

“Zoti ju ndihmoftë të ecni së bashku, si vëllezër e motra, me bindjen e  patundur se mësimet e vërteta të feve ftojnë për të ndenjur të lidhur fort me vlerat e paqes, të njohjes reciproke, të vëllazërimit njerëzor e të bashkëjetesës”.  E menjeherë pas, Papa nënvizoi edhe qëllimin e shtegtimit. Vij - kujtoi duke iu drejtuar gjithë të pranishmëve - si shtegtar në gjirin e shoqërisë irakiane, për ta inkurajuar në dëshminë e fesë, të shpresës e të dashurisë.

Të dalim nga koha pandemisë më të mirë se ishim!

Më pas, menjëherë, Ati i Shenjtë u ndalua tek koha, në të cilën zhvillohet vizita, kohë pandemie, me pasoja të rënda mbi jetën e njerëzve e të shoqërive, që po kalojnë çaste të vështira krize. E pikërisht kjo krizë - kujtoi Papa gjatë takimit të parë në Republikën e Irakut, me autoritetet, shoqërinë civile - kërkon përpjekje të përbashkëta nga ana e secilit, për të bërë hapat e shumtë e të nevojshëm, ndërmjet të cilëve, shpërndarja e vaksinave për të gjithë. Po kjo nuk mjafton! Kriza është sidomos thirrje për ‘t’i rimenduar stilet  e jetës, për të gjetur kuptimin e jetës sonë. E për të dalë nga kjo kohë prove, më të mirë se ishim; “për të ndërtuar ardhmërinë më shumë mbi çka na bashkon, se mbi çka na ndan”.

Një shikim në të kaluarën e Irakut

Më pas Françesku sintetizoi historinë e këtij vendi të martirizuar nga luftërat, fatkeqësitë, nga shuplaka e terrorizmit e konfliktet sektare, shpesh të bazuara mbi fundamentalizmin, i cili nuk mund, as nuk do ta pranojë bashkëjetesën paqësore të grupeve etnike e fetare, të ideve e të kulturave të ndryshme. E gjithë kjo solli vdekje, shkatërrime, gërmadha, që duken edhe sot! E jo vetëm në nivelin material: plagët më të thella, që nuk shërohen aq shpejt, u hapën në zemrat e njerëzve - vërejti Papa - duke kujtuar posaçërisht yazidët, që u persekutuan e u vranë thjesht për shkak të përkatësisë së tyre fetare:

“Prandaj, vetëm nëse arrijmë ta shikojmë njëri tjetrin me ndryshimet tona, si anëtarë të së njëjtës familje njerëzore, mund të nisim një proces të vërtetë rindërtimi e t’u lëmë breznive që do të vijnë një botë më të mirë, më të drejtë, më njerëzore”.

Duke e quajtur larminë fetare të Irakut “burim i çmuar për t’u shfrytëzuar, e jo pengesë për t’u zhdukur”, Papa i ftoi irakianët  t’u tregojnë të gjithëve, posaçërisht në Lindjen e Mesme, se larmitë, në vend që të ngjallin konflikte, duhet të bashkëpunojnë në harmoni, në jetën civile”.

Solidaritet e dialog, në emër të bashkëjtesës paqësore

Pa harruar - kujtoi në vijim - se bashkëjetsa paqësore ka nevojë për dialog  durimtar e të sinqertë, të mbrojtur nga drejtësia dhe respektimi i ligjit.  E kjo nuk është detyrë e lehtë! Kërkon lodhje e angazhim nga ana e të gjithëve, për të zhdukur rivalitetet e kundërvëniet e për t’u nisur nga identiteti më i thellë që kemi, ai i bijve të një Krijuesi të vetëm.

Duke kujtuar se Selia e Shenjtë u bën vazhdimisht thirrje autoriteteve kompetente për respektimin e të gjitha bashkësive fetare, Papa, gjatë takimit të parë në Republikën e Irakut, me autoritetet, shoqërinë civile theksoi me forcë vlerën e solidaritetit:

“Solidariteti na ndihmon ta shikojmë tjetrin si i afërmi ynë, si shok udhe. Është virtyt, që të shtyn të bësh gjeste konkrete kujdesi e shërbimi,  posaçërisht në ndihmë të nevojtarëve. Mendoj - shtoi Papa - për ata që, për shkak të dhunës, të persekutimit e të terrorizmit humbën familjarët, njerëzit e dashur, shtëpitë e gjithçka patën. Por edhe për ata, që luftojnë ditë për ditë në kërkim të sigurisë e të mjeteve të jetesës, në një kohë kur thellohet papunësia e shtohet mjerimi”.

Pas krizës nuk mjafton rindërtimi

Duke iu drejtuar krerëve politikë e diplomatikë, Françesku theksoi se janë të thirrur të nxisin frymën e solidaritetit vëllazëror. T’i kundërvihen plagës së korrupsionit, shpërdorimeve të pushtetit e ilegalitetit. Por as kjo nuk mjafton: “Duhet vendosur drejtësia, duhet ndershmëri, transparencë, forcim i institucioneve. Në këtë mënyrë mund të rritet stabiliteti e të zhvillohet një politikë e shëndetshme, e aftë për t’u ofruar të gjithëve, posaçërisht të rinjve, kaq të shumtë në këtë vend, shpresën për një ardhmëri më të mirë”.

Vij si pendestar

Më pas fjalë prekëse, të paharrueshme: “Vij si pendestar, që i kërkon falje Qiellit e vëllezërve për gjithë këtë shkatërrim e mizori! Vij si shtegtar i paqes, në emër të Krishtit, Princit të Paqes! Sa u lutëm këto vite për paqen në Irak! Shën Gjon Pali II nuk i kurseu nismat, e sidomos, lutjet. E Zoti e dëgjoi! Zoti dëgjon gjithnjë”! E tani na takon ne ta dëgjojmë, të ecim në rrugë e Tij. Të heshtin armët! Të marrin fund interesat e palëve, e interesat e jashtme, që nuk i interesojnë fare popullsisë vendase. T’u jepet zë artizanëve të paqes! Të vegjëlve! Njerëzve të thjeshtë, që duan të jetojnë, të punojnë, të luten në paqe”.

E më pas thirrja: “Mjaft më dhunë, ekstremizëm, fraksione, intolerancë. T’u krijohet hapësira e nevojshme të gjithë qytetarëve, që duan ta ndërtojnë së bashku këtë vend... Askush nuk duhet shikuar si qytetar i klasit të dytë!”.

Këtë theksoi Papa,  duke i kërkuar edhe bashkësisë ndërkombëtare të luajë rolin e saj vendimtar për paqen në këtë tokë e në të gjithë Lindjen e Mesme, pa harruar edhe Sirinë si edhe angazhimin e gjithë familjes njerëzore për bashkëpunim në shkallë botërore, duke nisur nga Organizatat ndërkombëtare, që punojnë në Irak për rindërtimin e asistencën e refugjatëve e të të shpërngulurve të brendshëm, të cilët duan të rikthehen në shtëpitë e tyre, për të vijuar me agjencitë katolike e edhe kombet e ndryshme, që duhet t’ia shtrijnë dorën miqësisht këtij populli kaq të vuajtur.

Feja duhet të jetë në shërbim të paqes

Feja, për vetë natyrën e saj - vijoi të kujtojë Papa në fjalimin e parë drejtuar mbarë popullit të Irakut - duhet të jetë në shërbim të paqes e të vëllazërimit. Emri i Zotit nuk mund të përdoret për të “përligjur akte vëllavrasëse, internimi, terrorizmi, shtypjeje”. Përkundrazi, Zoti, që i krijoi njerëzit me të njëjtin dinjitet e të njëjtat të drejta, kërkon të përhapim kudo dashurinë, mirësinë, harmoninë.

Roli i Kishës katolike në Irak

Kisha katolike - kujtoi në përfundim Papa - dëshiron të jetë edhe në Irak mike e të gjithëve e, përmes dialogut, të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me fetë e tjera, për kauzën e paqes, duke u shërbyer të gjithëve.

Fjalim prekës ky, drejtuar autoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit diplomatik - në të cilin Papa përmblodhi me pak fjalë, kaq shumë vuajtje, ëndrra, shpresa e që përfundoi me fjalët: “I kërkoj të Gjithëpushtetshmit t’ju mbështesë në përgjegjësitë tuaja e t’ju prijë në udhën e dijes, të drejtësisë e të së vërtetës!”.

05 mars 2021, 13:29