Kërko

Papa me klerin e Irakut: urrejtja e dhuna nuk përkojnë me fenë

“Të jeni veprimtarë të paqes, brenda bashkësive tuaja, si edhe me besimtarët e traditave të tjera fetare, duke mbjellë farë pajtimi dhe bashkëjetese vëllazërore”, për të ringjallur kështu shpresën. Kjo është rruga, që u këshilloi Papa Françesku ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve dhe seminaristëve, të cilët i takoi në Katedralen e “Zojës së Shpëtimit”, skenë e atentatit terrorist të vitit 2010, që u kushtoi jetën 48 njerëzve, për të cilët ka filluar çështja e lumnimit

R.SH. - Vatikan

“Pendestar e shtegtar i fesë dhe i paqes në Irak, i lutem Zotit që, me ndërmjetësimin e shën Marisë Virgjër, t’i japë këtij populli forcën për të rindërtuar vendin së bashku, në vëllazërim”. Ky shkrim i Papës Françesku në Librin e Nderit, mbylli takimin e dytë e të fundit të ditës së parë të udhëtimit të 33-të apostolik, që sapo filloi në Irak e do të vazhdojë deri më 8 mars. Në katedralen siro-katolike të Bagdadit, Ati i Shenjtë u takua me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, seminaristët katolikë. E, që në fillim, e bëri të qartë misionin e Kishës në këtë vend të martirizuar, i cili deri në vitin 2016, qe nën thundrën e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

 “Jemi mbledhur në këtë Katedrale të Zojës së Shpëtimit, të bekuar nga gjaku i vëllezërve dhe i motrave tona, që këtu paguan çmimin më të lartë për besnikërinë e tyre ndaj Zotit dhe ndaj Kishës së tij. Kujtimi i sakrificës së tyre le të na frymëzojë për përtëritjen e besimit tonë në forcën e Kryqit dhe në mesazhin e tij shpëtimprurës të faljes, pajtimit dhe rilindjes. Në fakt, i krishteri është i thirrur të dëshmojë për dashurinë e Krishtit kudo dhe në çdo kohë. Ky është Ungjilli që duhet shpallur e mishëruar edhe në këtë vend të dashur”.

Martirët e Kishës Katolike në Irak

Papa kishte parasysh dy sulmet terroriste, që ka pësuar katedralja, sidomos atë të 31 tetorit të vitit 2010, kryer nga xhihadistët islamikë të Isisit, që shkaktoi vdekjen e 48 vetëve, ndër të cilët edhe dy meshtarë, si edhe plagosjen e rreth 70 të tjerëve. Më tej, gjatë fjalës së tij, Ati i Shenjtë kujtoi se për ta ëshë hapur tashmë çështja e lumnimit. “Vdekja e tyre – nënvizoi Françesku – na kujton me forcë se nxitja për luftë, urrejtja, dhuna dhe gjakderdhja nuk përkojnë me mësimet e fesë”. Nesër, në Ur, Papa do të takohet me krerët e feve të ndryshme të Irakut, për ta theksuar edhe një herë këtë të vërtetë.

Vaksina ungjillore e shpresës

Në vështirësi të jashtëzakonshme për gjendjen e krijuar, si edhe për problemet e shkaktuara nga pandemia e koronavisurit, ipeshkvijtë e meshtarët katolikë e gjetën forcën në rrënjët e lashta të krishtera të këtyre trojeve. Papa i nxiti të mos shkurajohen e të përdorin kundër këtij virusi, vaksinën ungjillore të shpresës, që lind “nga lutja këmbëngulëse dhe nga besnikëria e përditshme” ndaj shërbimit të tyre kishtar, në gjirin e Popullit të Zotit.

“Të mos harrojmë kurrë se Krishti kumtohet sidomos përmes dëshmisë së jetës së shndërruar nga gëzimi i Ungjillit. Siç e shohim nga historia e lashtë e Kishës në këto troje, feja e gjallë në Jezusin është ‘ngjitëse’, mund të ndryshojë botën. Shembulli i shenjtorëve na tregon se ndjekja e Jezu Krishtit ‘nuk është vetëm diçka e vërtetë dhe e drejtë, por edhe e bukur, e aftë të na e mbushë jetën me një shkëlqim të ri e me gëzim të thellë, edhe në mes të sprovave’ (Nxitja apostolike “Evangelii gaudium”, 167)”.

Inkurajimi i ipeshkvijve dhe i klerit

Ati i Shenjtë nuk i la pa përmendur vështirësitë: nga lufta tek persekutimet, nga prishja e infrastrukturave bazë të shoqërisë tek lufta për sigurinë ekonomike dhe personale, nga shpërnguljet e brendshme tek migrimet e të krishterëve. Falënderoi ipeshkvijtë e klerin që mbeti pranë popullit dhe i inkurajoi ta vijojnë impenjimin e tyre për bashkësinë e vogël katolike të Irakut, që ajo të japë fryte, ashtu si kokrra e sinapit në Ungjill. E pastaj, iu drejtua Kishave të tjera të krishtera në vend:

“Kishat e ndryshme të pranishme në Irak, secila me trashëgiminë e saj shekullore historike, liturgjike dhe shpirtërore, janë si shumë fije ngjyra-ngjyra që, të endura së bashku, formojnë një qilim të vetëm e të bukur, i cili jo vetëm dëshmon vëllazërimin ndërmjet nesh, por të kujton edhe burimin e tij. Sepse vetë Zoti është artisti, që e mendoi këtë tapet, që e endi me durim dhe vijon ta arnojë me kujdes, duke na dashur gjithmonë të ndërthurur mirë, si bijtë dhe bijat e tij”.

Kishat e ndryshme të krishtera t’i zgjidhin problemet me dashuri

Lutja e Jezu Krishtit “që të gjithë të jenë një gjë e vetme” nuk realizohet lehtë. Ka shpesh probleme, pranoi Papa. Por, problemet “mund të zgjidhen nga Hiri Hyjnor, nga një dashuri më e madhe; mund të lehtësohen nga falja dhe nga dialogu vëllazëror, duke bartur me durim barrët e njëri-tjetrit”.

Ipeshkvij e meshtarë, shërbëtorë të popullit

 Më pas, Ati i Shenjtë iu drejtua ipeshkvive, duke u kërkuar t’u qëndrojnë pranë meshtarëve, ndërsa vetë atyre, rregulltarëve e seminaristëve u tha të dalin nga zyrat e famullive e ta shoqërojnë grigjën e Zotit me praninë e tyre, sidomos të rinjtë, të moshuarit, të sëmurët e të varfërit.

“Të jeni barinj, shërbëtorë të popullit e jo zyrtarë shtetërorë. Gjithmonë mes popullit të Zotit, kurrë të shkëputur, si të ishit ndonjë klasë e privilegjuar. Mos e mohoni këtë ‘fis’ fisnik, që është populli i shenjtë i Zotit”.

Shpresa në Zotin

Së fundi, Papa tha një fjalë ngushëlluese edhe për të rinjtë e për të moshuarit, që kanë kaluar ditë vërtet të vështira, si për shkak të terrorizmit e të persekutimit, ashtu edhe për shkak të konflikteve shumëvjeçare e të gjendjes aktuale ekonomike, që nuk i ndihmon. Ati i Shenjtë e përfundoi fjalimin me shpresën në Zotin:

 “Dëshmia juaj, pjekur në fatkeqësi dhe përforcuar nga gjaku i martirëve, qoftë dritë që shndrit mbi Irak dhe më gjerë, për të kumtuar madhështinë e Hyjit dhe për ta bërë shpirtin e këtij populli të ngazëllehet në Zotin, Shpëtimtarin tonë”.

 Katedralja e rindërtuar pas sulmit terrorist të vitit 2010, që paraqet barkën e fesë, e cila mbart besimtarët, ashtu si Jezu Krishtin e dishepujt gjatë stuhisë, që përshkruhet në Ungjill, së bashku me varret e dy meshtarëve martirë në kriptën e saj, duket sikur i konfirmon këto fjalë të Papës Françesku, me të cilat u mbyllën veprimtaritë e sotme.

 

05 mars 2021, 15:40