Kërko

Papa: do të kemi ardhmëri paqeje, po të ecim si vëllezër, duke shikuar të njëjtin Qiell

Në Ur të Kaldenjve, një takim ndërfetar historik: nga viset ku Abrahami nisi shtegtimin deri në Tokën e Premtuar, Françesku u bëri thirrje të fuqishme besimtarëve të të gjitha feve t’i shndërrojnë mjetet e urrejtjes në mjete paqeje, pavarësisht nga plagët e së kaluarës: “Sa njerëz këtu, në heshtje e pa shikuar interesat e botës, ecën në udhët e vëllazërimit”.

R.SH. - Vatikan

“Ky vend  i bekuar na çon në zanafillë, në burimet e veprës së Zotit, në lindjen e feve tona”. Me këto fjalë e nisi Papa Françesku fjalimin, drejtuar përfaqësuesve të besimeve të ndryshme, në takimin e mbajtur në Ur, ku jetoi Abrahami, ati i përbashkët. Na duket sikur kthehemi në shtëpinë tonë - kujtoi Papa -, këtu Abrahami e ndjeu thirrjen e Zotit, prej këtu u nis për shtegtimin, që ia ndryshoi rrjedhën historisë. Ne - nënvizoi - jemi  fryt i kësaj thirrjeje, i këtij shtegtimi. Zoti i kërkoi Abrahamit t’i lartonte sytë drejt qiellit e të numëronte yjet! Në ato yje ai pa premtimin e brezave, që do të vinin, na pa ne! E sot ne, hebrenj, të krishterë e myslimanë, së bashku me vëllezërit e motrat e feve të tjera, e nderojmë atin tonë, Abrahamin,  duke bërë çka pati bërë ai: shikojmë qiellin e ecim mbi dhe!

Shikojmë qiellin, e vëllazërohemi mbi tokë!

Më pas Papa zhvilloi më tej pikërisht këto dy shprehje. Duke kundruar pas mijëra vjetësh të njëjtin qiell - kujtoi së pari - shikojmë po ata yje. Ata e ndriçojnë edhe natën më të errët, sepse lëshojnë dritë së bashku. Qielli - theksoi Françesku - na dërgon kështu mesazhin e unitetit: i Tejetlarti mbi ne na fton të mos ndahemi kurrë nga vëllai, që kemi pranë. Por, nëse duam ta ruajmë vëllazërimin, nuk mund ta humbasim nga sytë Qiellin! Zoti, pra, na fton t’i ndihmojmë vëllezërit, me sytë lartuar drejt  qiellit:  “Ja cila është besa e vërtetë: ta adhurosh  Zotin e ta duash të afërmin!”.

Në botën e sotme harrohet tepër shpesh i Tejetlarti, ose kujtohet ashtu, si nuk është. Të krishterët janë të thirrur ta dëshmojnë mirësinë e Tij e atësinë e Tij përmes vëllazërimit ndërmjet tyre: “Fyerja më e madhe është ta dhunosh emrin e Zotit, duke urryer vëllain. Armiqësia, ekstremizmi e dhuna nuk lindin nga shpirti besimtar: janë tradhti e fesë. E ne, besimtarët, nuk mund të heshtim kur terrorizmi e dhunon fenë. Madje na takon ne ta sqarojmë çdo paqartësi. Nuk duhet të lejojmë që drita e Qiellit të vrugnohet nga retë e urrejtjes! E mbi këtë vend u dyndën retë e zeza të terrorizmit, të luftës, të dhunës”.

Këtë theksoi Papa, duke kujtuar, më pas, të gjitha viktimat e luftës; bashkësitë etnike e fetare, gratë e fëmijët, një popull të tërë, që u trajtua si skllav. E i ftoi të gjithë të luten për respektimin e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë, që e bëjnë njeriun të lirë të kundrojë qiellin, për të cilin u krijua.

Yjet shndrisin edhe në terrin më të dendur

Më pas Papa kujtoi pasojat e terrorizmit, gërmadhat e shtëpive, të kishave, të manastireve e vendeve të kultit të bashkësive të ndryshme. Por - kujtoi - edhe në këto çaste të errëta, yjet vijuan të ndriçojnë. E yje, për Papën, janë myslimanët e rinj të Mosulit, që ndihmuan për t’i ngritur përsëri në këmbë kishat e manastiret, duke ndërtuar jo vetëm mure, por edhe miqësi vëllazërore mbi gërmadhat e urrejtjes.

Prandaj - nënvizoi Ati i Shenjtë -  t’i duash e t’i ndërtosh vendet e shenjta është themelore, në kujtim të Atit tonë, Abrahamit, që i ngriti altare Zotit kudo shkeli: “Ai, për besnikërinë ndaj Zotit, u bë bekim për të gjithë njerëzit. Ndaj prania jonë këtu sot, mbi gjurmët e tij qoftë shenjë bekimi e shprese për Irakun, Lindjen e Mesme e për mbarë botën!”

Ky, urimi i Papës, që vijoi plot optimizëm: “Qielli nuk është lodhur nga Toka: Zoti e do çdo popull, çdo bijë e çdo bir! Nuk duhet të lodhemi kurrë duke shikuar këto yje që, në kohë të vet, i pati soditur edhe Abrahami”.

Askush nuk shpëton vetëm!

Ecim mbi tokë - kujtoi më pas Papa - duke kujtuar rrugën që bëri Abrahami, duke u nisur pikërisht nga ky vend, nga Ur. Ishte udhëtim në dalje, që këkonte shumë flijime: iu desh të linte trojet e veta, shtëpinë, farefisin. Por, duke lënë familjen e vet, u bë atë i një familjeje popujsh. E kështu ngjet edhe sot - kujtoi Ati i Shenjtë:

“Jemi të thirrur t’i lëmë lidhjet që, duke u mbyllur në grupet tona, na pengojnë ta mirëpresim dashurinë e pakufishme të Zotit e ta shikojmë në vëllezërit e tjerë. Kemi nevojë njëri për tjetrin, sepse askush nuk mund të shpëtojë i vetëm”.

Qielli na tregon rrugën e paqes

E në vijim Papa tregoi edhe rrugën, që duhet bërë. Qielli - kujtoi - na e tregon këtë rrugë. Ajo kërkon t’i lëvizim rremat së bashku, në të njëjtin drejtim. “Është e padenjë që, ndërsa të gjithë vuajmë nga kriza pandemike, e sidomos këtu, ku konfliktet shkaktuan kaq shumë mjerim, ndokush të mendojë vetëm për interesat e veta. Nuk do të ketë paqe, derisa të mos ketë ndarje të përbashkët e mirëpritje; nuk do të ketë paqe pa drejtësinë, që siguron barazi për të gjithë, duke nisur nga më të ligshtit. Nuk do të ketë paqe, pa popuj, që ua shtrijnë dorën popujve të tjerë. Nuk do të ketë paqe  derisa  të tjerët  të jenë ata, e jo ne!”. Paqja nuk kërkon fitmtarë as të mundur. Kërkon vëllezër  e motra!

T’i shndërrojmë shpatat në parmenda!

Duke vijuar të kujtojë Abrahamin, profetin e të Tejetlartit, Papa rikujtoi profecinë e lashtë, që u bën thirrje popujve: “t’i shndërrojmë shpatat në palla parmendash e shtizat në drapërinj”. Po kjo profeci - kujtoi - nuk është realizuar akoma. Madje shpatat e shigjetat janë bërë raketa e bomba! E atëhere prej nga duhet të nisë udha e paqes? – pyeti: “Kush ka guximin t’i shikojë yjet, kush beson në Zotin, nuk ka armiq për t’i luftuar. Ka një armik të vetëm, që i troket te porta e zemrës: armiqësinë. Po kush ndjek udhën e Zotit, nuk mund të jetë kundër ndokujt, sepse është për të gjithë! Nuk do të na shpëtojë konsumizmi, që vë në gjumë mendjet e paralizon zemrat!”.

Thua e gjithë kjo është e mundur - pyeti Papa - për t’iu përgjigjur plot me besim kësaj pyetjeje të vështirë, duke kujtuar se ati ynë, Abrahami, shpresoi kundër çdo shprese.

“Na takon ne tani, të shpresojmë si ai, t’i kthejmë mjetet e urrejtjes në mjete paqeje. Na takon ne t’i nxisim drejtuesit e kombeve të prodhojnë bukë, ilaçe, arsim, drejtësi, dinjitet, jo armë. E të heqin dorë nga akuzat reciproke, për t’u dhënë zë të shtypurve të Planetit, duke e ruajtur shtëpinë e përbashkët prej cubave. Na takon ne t’i kujtojmë botës se jeta njerëzore vlen për çka është, jo për çka ka”. Na takon ne t’i  lartojmë sytë e të shikojmë yjet, yjet që pa ati ynë Abrahami, yjet e premtimit!

Vetëm me të tjerët, mund t’i shërojmë plagët e së kaluarës

Vetëm me të tjerët mund t’i shërojmë plagët e së kaluarës - theksoi me forcë Papa në fjalimin e mbajtur në Ur - duke kujtuar, më pas se pikërisht përmes mikpritjes, në çadrën e Abrahamit shkoi për vizitë vetë Zoti, që i solli dhuratën e papritur, të birin, aq të dëshiruar. Prej këndej, thirrja e Papës: “Ne, vëllezër e motra të feve të ndryshme, të mbledhur këtu, në shtëpinë e përbashkët, duam të impenjohemi që të realizohet ëndrra e Zotit: që familja njerëzore të bëhet shtëpia e Zotit dhe e mikut për të gjithë bijtë e tij, e që, duke soditur qiellin lart, të ecim në paqe këtu poshtë, mbi të njëjtën tokë!”.

Kjo, ftesa që Papa u drejtoi përfaqësuesve të besimeve të ndryshme, në takimin e mbajtur në Ur, në trojet e Abrahamit, atit të përbashkët, prej nga nisi shtegtimi i tij e prej nga Papa shpreson të rinisë shtegtimi i ri i popujve të Planetit, bij të Profetit, nën qiellin me yje e mbi tokën me vëllazërimin aq të dëshiruar!

06 mars 2021, 10:42