Papa Bangladeshit: ruajini vlerat e dialogut dhe të mikpritjes
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku i flet “popullit të dashur të Bangladeshit”, me rastin e dy përvjetoreve tejet të rëndësishme për kombin e ri aziatik: pesëdhjetëvjetorit të pavarësisë së Pakistanit dhe njëqindvjetorit të lindjes së Shehut Mujibur Rahman. Nga videomesazhi i Papës arrijnë fjalë, që pasqyrojnë gjithë bukurinë dhe forcën e Sonar Bangla (Bengali i artë), tokë e pasur me ngjyra e natyrë, që lind prej fushës së formuar nga delta e lumenjve Ganxh e Brahmaputra. Përveç bukurisë “tejet të rrallë” - pohon Papa - vendi përpiqet të ruajë një pasuri tjetër të çmuar: trashëgiminë e Shehut Mujibur Rahman, figurë politike me rëndësi të dorës së parë:
“Ai përkrahu kulturën e takimit e të dialogut, karakterizuar nga urtia e nga vizioni i hapur e largpamës. Qe i bindur se vetëm në një shoqëri pluralistike e përfshirëse, në të cilën çdo njeri mund të jetojë në liri, paqe e siguri, është e mundur të ndërtohet një botë më e drejtë e më vëllazërore”.
Një vend, në zemër të Papëve
Papa flet edhe për qëndrimin e veçantë, që mbajtën Papët paraardhës ndaj Bangladeshit, qëndrime që edhe Françesku i bëri të vetat, pas përvojës së shtegtimit apostolik në këtë vend, në vitin 2017:
“Bangadeshi është shtet i ri, që ka pasur gjithnjë vend të veçantë në zemrën e Papëve të cilët, që në fillim, i shprehën solidaritetin e tyre popullit të tij e deshën ta shoqëronin në kapërcimin e vështirësive fillestare, duke e mbështetur në detyrën e rëndësishme për ta ndërtuar e për ta rritur Kombin”.
Për një shoqëri paqësore dhe të drejtë
Papa dëshiron që “marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bangladeshit të vijojnë lulëzimin, duke uruar që klima e takimit dhe e dialogut ndërfetar në vend të bëhet gjithnjë më e favorshme” e t’u krijojë besimtarëve kushtet e nevojshme për shprehjen e lirë të bindjeve të tyre më të thella mbi kuptimin dhe fundin e jetës, në mënyrë që të mund të promovojnë vlerat shpirtërore, bazë e sigurt për një shoqëri paqësore e të drejtë”.
Inkurajimi i Papës
Ardhmëria e demokracisë dhe shëndeti i jetës politike - pohon akoma Françesku - lidhen ngushtë me idealet themeluese dhe me trashëgiminë e dialogut të sinqertë e të respektit të larmisë së ligjshme, që Bangladeshi është përpjekur ta arrijë gjatë këtyre viteve. Si “mik i Bangladeshit”, Françesku përfundon duke i ftuar jo vetëm të rinjtë të punojnë për paqen e prosperitetin e vendit, por mbarë Kombin, që të vijojë qëndrimin bujar e humanitar ndaj refugjatëve, të varfërve, të pastrehëve e të gjithë atyre, që nuk kanë zë”.