Kërko

Vatican News

Ndjeti i lutjes së Papës për muajin mars: “Nga mjerimi tek mëshira”

“Nga mjerimi tek mëshira”: për Papën Françesku, rrëfimi, të cilit ia kushton ndjetin e lutjes së muajit mars, ka të bëjë me mëshirën e pafundme të Zotit e është takim dashurie me Të

R.SH. - Vatikan

U bë e njohur sot Videoja e Papës, me të cilën Ati i Shenjtë Bergoglio njofton ndjetin e lutjes për muajin mars, duke ia besuar gjithë Kishës Katolike, përmes Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës. Është një mesazh plot shpresë, ftesë për të rizbuluar forcën përtëritëse të Sakramentit të Rrëfimit në jetën e çdo besimtari.

“Të lutemi – kërkon Papa Françesku - që ta jetojmë Sakramentin e Pajtimit me përkushtim të thellë e të përtërirë, për të shijuar kështu, mëshirën e pafundme të Zotit”. Gjë, që bëhet edhe më e rëndësishme gjatë periudhës së Kreshmëve, të cilat shumë besimtarë po i përjetojnë të mbyllur në shtëpi, për shkak të koronavirusit. Videoja e këtij muaji hapet me vetë Atin e Shenjtë, që shkon të rrëfehet: “për t’u shëruar”, thotë ai, “për t’u kujdesur për shpirtin”.

“Është Jezusi që na pret, na dëgjon dhe na fal”

“Në zemrën e Zotit ne vijmë para gabimeve tona”, pohon Ati i Shenjtë në Videon e Papës, duke nënvizuar edhe një herë fuqinë e dashurisë së Zotit përmbi veprimet tona. Kur shkojmë të rrëfehemi nuk paraqitemi para një gjykatësi, por shkojmë në takimin e dashurisë me një Atë, që na mirëpret dhe na fal gjithnjë. “Në qendër të Rrëfimit nuk janë mëkatet që tregojmë, por dashuria hyjnore që marrim, për të cilën kemi gjithnjë nevojë”, shton Papa. E kjo dashuri vjen para gjithçkaje: para gabimeve, rregullave, gjykimeve dhe rënieve.

Meshtarë të mëshirshëm

 Së fundi, Papa Françesku u kërkon besimtarëve “të luten që Zoti t’i japë Kishës meshtarë të mëshirshëm e jo torturues”. Nuk është hera e parë, që Ati i Shenjtë kërkon prej Zotit këtë hir. Si bari i mirë, i njeh vuajtjet e njerëzve, mëkatet e tyre, nevojën për të takuar “shërbyes të mëshirës”. Në Letrën e tij apostolike “Misericordia et misera”, në përfundim të Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, i ftoi meshtarët të jenë si Jezu Krishti, të dhembshur e të durueshëm.

Sipas Papës, edhe vetë meshtari bën një udhë kthese kah Hyji, kur bëhet “dëshmitar i dhembshurisë atërore”, kur i shoshit punët me largpamësi e kur është “bujar në mbarështimin e faljes së Zotit”. Në Engjëllin e Tënzot të 14 shkurtit, Ati i Shenjtë kërkoi të falënderohen e të lëvdohen rrëfyesit e mëshirshëm. Zoti nuk lodhet së faluri.

Ja, teksti i plotë i ndjetit të Papës për marsin:

“Kur shkoj të rrëfehem shkoj për ta shëruar vetveten, për t’u kujdesur për shpirtin. Për të dalë më i shëndetshëm shpirtërisht. Për të kaluar nga mjerimi në mëshirë. E, në qendër të Rrëfimit nuk janë mëkatet që tregojmë, por dashuria hyjnore që marrim, për të cilën kemi nevojë gjithnjë. Qendra e Rrëfimit është Jezusi, që na pret, na dëgjon dhe na fal. Mos harroni: në zemrën e Zotit ne vijmë para gabimeve tona. Të lutemi që ta jetojmë Sakramentin e Pajtimit me përkushtim të thellë e të ripërtërirë, për ta shijuar mëshirën e pafundme të Zotit. E, të lutemi që Zoti t’i japë Kishës së vet meshtarë të mëshirshëm, jo torturues”.

02 mars 2021, 17:02