Kërko

Vatican News
Poster: Papa Françesku dhe  Ayatollah Ali al-Sistani Poster: Papa Françesku dhe Ayatollah Ali al-Sistani  

Iraku në pritje të Papa Françeskut: “Ju jeni pjesë e jona e ne, pjesë e juaja!”

Papa në Irak: Al-Sistani, “Ju jeni pjesë e jona e ne, pjesë e juaja”. Kardinali Sako “ta presim Françeskun në zemër e në shpirt”.

R. SH. - Vatikan

Një manifest vigan e paraqet Papën Françesku me Ajatullahun e madh Sayyid Ali Al-Husayni Al-Sistani me tre pëllumba të bardhë, që fluturojnë mbi kokat e tyre e me frazën e liderit shiit: “Ju jeni pjesë e jona e ne, pjesë e juaja”. Këtë e shikojmë në të katër anët mbi muret e Bagdadit e të Najafit, pesë ditë para fillimit të shtegtimit të Papës Françesku në Irak (5-8 mars). Një nga takimet më të pritura të vizitës apostolike do të jetë pikërisht ai privat i Papës me liderin shiit Al-Sistani, në qytetin shenjt  të Najafit, më 6 mars. Fjalët e Ajatollahut të madh përsëriten edhe nga kardinali Louis Raphael Sako, patriark kalde, për të përshkruar atmosferën që ndjehet fort në Irak me afrimin e arritjes së Papës, takim i cili tërheq pas syrin e botës mbi këtë vend të martirizuar.

“Për këtë vizitë - shkruan Mar Sako në kanalin e Patriarkatit - qeveria ka marrë masa të jashtëzakonshme  në të gjitha drejtimet. Askush nuk ka frikë për Papën, as për irakianët, që e presin me padurim e shpresë këtë vizitë baritore. Ndjehet fuqimisht dashuria e tyre, gjë që vërehet menjëherë kur njerëzit ndalohen para afisheve e fotografive, vendosur në vendet, që do t’i vizitojë Papa, kur shikojnë fytyrën e tij, lulet, e jo vetëm ndër kisha e ndër qytetet e krishtera, por në të gjitha viset ku do t’i shkelë këmba.

Kudo, veprimtari, këngë, procesione, por edhe ndonjë “thumb” drejtuar në kalim ndokujt, që paralajmëron se Papa Françesku do të kalojë ditë të vështira në Irak! Do të mbeten thellësisht të zhgënjyer të gjithë ata, që besojnë se mund të ndodhë edhe ndonjë e keqe e papritur dhe e pamenduar! Përkundrazi! Besimi i përgjithshëm është se irakianët do të shikojnë  një Papë që e viziton i lumtur Irakun, që takohet plot gëzim me autoritetet, me besimtarët katolikë, myslimanë, jazidë, sabei e të tjerë! Patriarku kalde fton “për ta pritur Papën në zemër e në shpirt” dhe citon, në vijim,  fjalët e Ajatollahut të madh Al-Sistani: “Ju jeni pjesë e jona e ne, pjesë e juaja”, që duken në parullën prej nga kalimtarin e përshëndesin Prijësi i madh shiit së bashku me Papën Françesku. Mar Sako përfundon duke i falënderuar përsëri të gjithë ata,  që e bënë të mundur shtegtimin dhe e përgatitën vizitën.

Të mërkurë, më 3 mars (në orën 11.00 vendase), në katedralen e Shën Jozefit parashikohet një konferencë shtypi për paraqitjen e shtegtimit. Do të jenë të pranishëm kardinali Sako dhe ndihmësit e tij: imzot Basilio Yaldo, koordinator i përgjithshëm dhe imzot Robert Jarijs, koordinator liturgjik i vizitës.

 

01 mars 2021, 15:48