Kërko

Papa në Karakosh: të keni aftësi për të falur e guxim për të luftuar

Të krishterët e qytetit martir të Karakoshit, në Pllajën e Ninives, përqafuan Papën, i cili bëri edhe një herë thirrje kundër terrorizmit dhe instrumentalizimit të fesë, duke e inkurajuar popullin të rindërtojë vendin, të mos dorëzohet dhe të mos e humbasë kurrë fenë e shpresën. Françesku fton për falje dhe i ngushëllon besimtarët: edhe përballë shkatërrimit të terrorizmit dhe të luftës, me sytë e fesë shihet triumfi i jetës mbi vdekjen

R.SH. - Vatikan

Terrorizmi dhe vdekja nuk mund ta thonë fjalën e fundit për njeriun. Bisedë mes miqsh, por edhe përkëdhelje e ngushëllim i Bariut të Kishës universale për grigjën e vet të munduar e të përndjekur në Karakosh. Ky qe takimi i Papës Françesku me bashkësinë e krishterë të qytetit asir në veri të Irakut, në ditën e tretë të shtegtimit të 33-të apostolik.

Karakoshi është qyteti kryesor i krishterë i vendit, me më se 50 mijë banorë, 90% e të cilëve janë të krishterë. Në vitin 2014 u pushtua nga xhihadistët e të ashtuquajturit Shtet Islamik, të cilët shkatërruan shtëpi ,kisha, biblioteka dhe ndërtesa të tjera. Dhjetra mijëra të krishterë ikën nga sytë-këmbët e u strehuan në Kurdistan. Katedralja e Zojës së Papërlyer, ku Papa takoi bashkësinë e besimtarëve, u rindërtua pas ikjes së Isisit, me ndihmën e Kishës universale dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Pas vitit 2016, në Karakosh janë kthyer 46% e banorëve, që emigruan për të shpëtuar nga Isisi.

Impenjimi për rindërtimin e vendit

Që në fillim, Papa vuri në dukje bukurinë e kësaj qendre të lashtë, emri i së cilës në gjuhën aramaike është Bakhida. Por, pastaj, iu referua shenjave të shkatërrimit, sjellë nga xhihadistët, të cilët hodhën poshtë kambanoren, u hoqën kokat shtatoreve, i vunë flakën kishës, mobiljeve, regjistrave dhe librave, duke e përdorur shtatoren e Zojës, së cilës i është kushtuar kisha, si shenjë për qitje,në sheshin e kthyer në poligon.

“Me trishtim të madh – pohoi Papa – shohim përreth e shohim… shenjat e pushtetit shkatërrues të dhunës, të urrejtjes, e të luftës. Sa gjëra janë shkatërruar! E sa duhen rindërtuar! Por ky takimi ynë tregon se terrorizmi dhe vdekja nuk e kanë kurrë fjalën e fundit”.

Rindërtoni, duke u bazuar në trashëgiminë shpirtërore

Papa u kujtoi besimtarëve të krishterë të parët e tyre, prindërit e të afërmit, që nuk u përkulën e që iu lutën Zotit në këtë kishë, duke u lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme shpirtërore.

“Përqafojeni këtë trashëgimi! – i inkurajoi Papa. – Kjo trashëgimi është forca juaj! Tani është koha për të rindërtuar e për të rifilluar, duke iu besuar hirit të Zotit, që udhëheq fatin e çdo njeriu e të të gjithë popujve. Nuk jeni vetëm! E gjithë Kisha është pranë jush, me lutjen e me bamirësinë konkrete. E në këtë rajon shumë ju hapën dyert në çastin kur kishit më tepër nevojë”.

Aleanca ndërmjet të rinjve e të moshuarve

Siç bën gjithnjë, Ati i Shenjtë nuk harroi t’u kujtojë besimtarëve të krishterë se për ta kaluar këtë trashëgimi nga një brez në tjetrin nevojitet një aleancë ndërmjet të rinjve e të moshuarve. “Kur të moshuarit dhe të rinjtë bashkohen, i ruajmë dhe i transmetojmë dhuratat, që na jep Zoti. I shohim fëmijët, duke ditur se ata do të trashëgojnë jo vetëm një tokë, një kulturë dhe një traditë, por edhe frytet e gjalla të fesë, që janë bekimet e Zotit mbi këto troje. Ju nxis të mos harroni kush jeni dhe nga vini! T’i ruani lidhjet që ju mbajnë të bashkuar, t’i ruani rrënjët!”

“Kini besim tek shenjtorët tuaj”

  Ka çaste kur feja mund të lëkundet e, këto kohë, është shtuar edhe kriza shëndetësore e shkaktuar nga koronavirusi. Por Papa i kërkoi grigjës së krishterë të Karakoshit të mos harrojë se Jezu Krishti u qëndron pranë e të kenë besim tek shenjtorët, që i mbrojnë nga qielli, si edhe tek shenjtorët e këtyre trojeve të martirizuara, që mund t’i shoqërojnë drejt një të ardhme më të mirë, plot shpresë.

Aftësi për të falur e guxim për të luftuar

Duke iu drejtuar zonjës Doha Sabah Abdallah e atë Ammar Yako-s, që dhanë dëshminë e tyre para Papës, Françesku kujtoi fjalët e gruas, që nënvizoi se të mbijetuarit nga terrorizmi duhet të falin.

“Duhet aftësi për të falur e, njëkohësisht, guxim për të luftuar – pohoi Papa, duke pranuar se rruga mund të jetë akoma e gjatë. -  E di se kjo është shumë e vështirë. Por ne besojmë se Zoti mund të sjellë paqe në këtë tokë. Ne kemi besim në Të e, së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, duhet t’i themi ‘jo’ terrorizmit dhe instrumentalizimit të fesë”.

Të falënderojmë Zotin

Atë Ammari, ndërsa fliste për tmerret e xhihadistëve, falënderoi Zotin, që e mbështeti popullin e vet e Papa nënvizoi se mirënjohja lind e shtohet kur i kujtojmë dhuratat e premtimet e Hyjit:

 “Në çdo çast, ta falënderojmë Zotin për dhuratat e tij dhe t’i kërkojmë t’i japë paqe, falje dhe vëllazërim kësaj toke e njerëzve të saj. Të mos lodhemi së luturi për kthimin e zemrave dhe për triumfin e kulturës së jetës, të pajtimit dhe të dashurisë vëllazërore, duke respektuar dallimet, traditat e ndryshme fetare, në përpjekjen për të ndërtuar një të ardhme në unitet e bashkëpunim ndërmjet gjithë njerëzve vullnetmirë”.

Shtatorja e Zojës, lutja për Zojën

Ndërsa mbërrija me helikopter, tregoi së fundi Papa, pashë shtatoren e re të Virgjërës Mari, e cila është rivendosur sërish në kulmin e kishës, pasi xhihadistët e Isisit e bënë shoshë me plumba të vjetrën. Ati i Shenjtë e kujtoi me dhimbje atë kohë, por e shfrytëzoi edhe si rast për të folur mbi të drejtat e grave.

“Figura e saj – tha Papa - këtu u plagos dhe u shkel me këmbë, por fytyra e Nënës së Zotit vazhdon të na shikojë me butësi. Sepse kështu bëjnë nënat: ngushëllojnë, përkëdhelin, japin jetë. Dua t’i falënderoj nga zemra edhe të gjitha nënat dhe gratë e këtij vendi, gra të guximshme, që vazhdojnë të dhurojnë jetën, pavarësisht nga abuzimet dhe plagët. Të respektohen dhe të mbrohen gratë! Të tregohet kujdes për to e t’u jepen mundësi!”

E me lutjen drejtuar Zojës, duke i kërkuar ndërmjetësimin e saj për nevojat e për planet e të krishterëve të Karakoshit, Papa Françesku e përfundoi takimin me bashkësinë e besimtarëve, për t’u nisur drejt seminarit të shën Pjetrit në Erbil, çast pushimi, para veprimtarive të pasdites.

07 mars 2021, 11:30