Kërko

Vatican News
Iraku në pritje të Papës Iraku në pritje të Papës  (ANSA)

Irak: e ardhme për t’u shkruar, përtej gërmadhave të luftës

Vendi arab, cak i shtegtimit apostolik të Papës Françesku, në program nga 5 deri më 8 mars, është tokë ku jeta e popullit, mbartës i një trashëgimie jo vetëm kulturore, u trondit rëndë nga konflikte të dhimmshme, që pasuan njëri-tjetrin. Pa gjetur kurrë paqe!

R. SH.- Vatikan

Historia irakiane lidhet me popujt e Mesopotamisë, të Persisë, Arabisë, Mongolisë, Perandorisë romake. E edhe me praninë e të krishterëve që, në territorin e Irakut të sotëm, e kanë zanafillën që nga koha e predikimit  të Shën Tomës Apostull, ardhur në Mesopotami pas rrënimit të Tempullit të Jeruzalemit, në vitin 70 pas Krishtit. Një histori shumëshekullore, përplot me armë, gjak, luftëra, pushtime…

Nga popujt e Mesapotamisë, tek regjimi i Saddam Husseinit

Rrënjët e Irakut lidhen me Mespotaminë e me qytetërimet e lashta. Ndërmjet mijëvjeçarit IV e shekullit VI para Krishtit këto troje banoheshin nga Sumerët, Asirët e Babilonezët. Më pas u pushtuan nga Persianët e nga Aleksandri i Madh i Maqedonisë, pushtime që u pasuan nga një periudhë tejet e trazuar, kur nuk u mor më vesh kush hynte e kush dilte në këto hapësira të pafundme. Pastaj kontrolli mbi trojet e Irakut të sotëm kaloi disa herë nga duart e popullsive vendase, në ato të Partëve e të Perandorisë romake. Në shekullin VII pas Krishtit historia e Irakut të sotëm u lidh me shtrirjen e islamizmit e me pushtimet arabe. Në shekullin VIII Bagdadi u bë kryeqytet i kalifatit të Abassidëve, ndërsa në shekullin XIII u pushtua nga Mongolët. Në shekullin XVI turqit, të udhëhequr nga Sulejmani i Madh, pushtuan Bagdadin e trojet irakiane u përfshinë në perandorinë otomane. Në shekujt që pasuan, u sulmuan nga beduinët e nga fuqi të tjera, ndërmjet të cilave, persianët e mamelukët.

Pas luftës I Botërore dhe rënies së Perandorisë otomane, trojet aktuale të Irakut ranë nën kontrollin britanik. Më 1921 Iraku u bë monarki kushtetuese. Në vitin 1958, me një grusht shteti, gjenerali Abd al-Jarim Qasim shpalli Republikën. Pak vjet më vonë, më 1963, një grusht i ri shteti  solli në pushtet partinë Baath, me parime socialiste. Që nga viti 1968 Iraku u qeveris nga Ahmed al-Bakr e, nga viti 1979, nga Saddam Hussein, i lindur në vitin 1937 në një fshat në zonën e Tikritit, me pakicë sunite. E mori pushtetin me parullën e panarabizmit, për t’i bashkuar në një gjithë popujt arabë. Vitet ’70 janë edhe ato të pasurimit nga burimet e naftës, që i dhanë vendit një farë rëndësie ekonomike, por edhe politike.

Lufta ndërmjet Iranit e Irakut

Më 1980, pak kohë pasi Saddami kishte marrë në dorë pushtetin, nisi një konflikt gjakatar ndërmjet Irakut e një shteti jo arab: Iranit. Ky vend, pas revolucionit kundër shahut Mohammad Reza Pahlavi, udhëhequr nga  hoxha shiit Ruhollah Khomeini, formoi një ushtri tejet të aftë e të pajisur me armë moderne. Në planet e gjeneralëve irakianë, ndeshja duhet të zgjaste vetëm pak ditë. Por lufta, që shpërthei më 22 shtator 1980, do të zgjaste 8 vjet. Saddam Husseini u dha urdhër ushtrive irakiane të kapërcenin kufirin e të pushtonin territorin e Khuzestanit, zonë shumë e pasur me naftë, e banuar vetëm nga popullsi me origjinë arabe. Shkëndija e konfliktit u ndez për shkak të së drejtës së lundrimit në lumin e quajtur  Shatt al Arab nga irakianët, e Arvand nga iranianët. Nisi sakaq lufta, e me të, edhe barbaritë. Duke filluar nga viti 1988 shumë qytete iraniane e irakiane u bombarduan gjithnjë më rëndë. Duke nisur nga viti 1984, qytete të ndryshme iraniane, me sisteme ekonomike të dëmtuara rëndë nga financimi i luftës, nënshkruan armëpushimin. E epilogu i këtij konflikti, sipas burimeve të ndryshme, nuk u pagua vetëm me para, por edhe e sidomos, me jetën e më se një milion njerëzve.

Lufta I e Gjirit

Pas asaj të vitit 1980, një verë tjetër qe preludi i një konflikti të ri e një kapitulli të ri dramatik të historisë irakiane. Jemi në gusht të 1990. Kanë kaluar dy vjet nga fundi i luftës ndërmjet  Irakut e Iranit. Bota gjeopolitike, pas rënies së Murit të Berlinit, më 1989, është në shndërrim të rrufeshëm. Në këtë skenar delikat, në fund të viteve ’80, në Irak thellohet tensioni politik, varfëria rritet me shpejtësi, e rënduar edhe nga borxhet, që u duhen paguar vendeve të tjera të Gjirit. Rreth 70 miliard dollarë. Saddami i kërkon Lidhjes Arabe shlyerjen e borxhit, duke pretenduar se luftoi për mbrojtjen e arabëve. Akuzon Kuwaitin për nxjerrjen e naftës në puset gjatë kufirit, për të dëmtuar Irakun. E vetëm pak ditë pas këtyre deklaratave, 100 mijë ushtarë irakianë vendosen gjatë gjithë vijës së kufirit, gati për sulm kundër Kuwaitit, një shtet i vogël që ka nën kontroll mbi 20% të burimeve botërore të naftës. Më 2 gusht 1990 trupat irakiane kapërcejnë kufirin e u japin zjarrin puseve të naftës.

Lufta II e Gjirit

Eshtë data 20 mars 2003. Në agim nis lufta II e Gjirit. Trupat e para tokësore amerikane arrijnë në trojet irakiane të Kuwaitit. Në veprimet luftarake marrin pjesë 150.000 ushtarë amerikanë e nga vende të tjera. Koalicioni ndërkombëtar, i udhëhequr nga SHBA-të, e thyen në më pak se një muaj rezistencën irakiane. Ndeshja përfundon më 1 maj 2003. Partia Baath nxirret jashtë ligji. Saddami ikën në Bagdad e, në dhjetor, kapet  në një strehë të nëndheshme në një fshat jo larg nga vendlindja, Tikriti. Në vijim dënohet me vdekje nga një gjyq irakian, krijuar ad hoc, për krime lufte e kundër njerëzimit, ndërmjet të cilave, masakrimi i 148 shiitëve në qytetin Dujail, më 1982. Vendimi zbatohet më 30 dhjetor të vitit 2006. Të nesërmën e Luftës II të Gjirit Saddami varet, ndërsa në  Irak hapet një faqe e re, dramatike.

Lindja e Shtetit të vetëquajtur islamik

Pas përfundimit të regjimit të Saddam Husseinit, Iraku tronditet nga një sërë atentatesh e aktesh dhune. Guerrilja fuqizohet e vijojnë ndeshjet ndërmjet grupeve shiite e sunite, gjë që e thellon mungesën e stabilitetit në vend. Në këtë skenar, shtohet numri i organizatave, që mbështesin islamizmin radikal. Më 29 qershor 2014 Abu Bakr al-Bagdadi shpall, në Xhaminë al Nuri të Mosulit, lindjen e Kalifatit në një territor që përfshin  Sirinë veri-perëndimore dhe rajonin perëndimor të Irakut. Menjëherë para krijimit të këtij shteti, miliona njerëz vihen nën kontrollin e milicëve të al-Baghdadit. Imponohet ligji islamik, sharia. Disa pakica, ndërmjet të cilave Yazidët, persekutohen. Kryeqyteti faktik i Shtetit Islamik, që kontrollon edhe disa puse nafte, është Raqqa, në veri të Sirisë. Milicët dhe ndjekësit e tij kryejnë atentate dramatike në botën perëndimore. Ndërmjet tyre, sulmet terroriste të 13 nëntorit të vitit 2015, që tronditën thellë Parisin, duke shkaktuar vdekjen e 137 personave.

Pikërisht duke nisur nga viti 2015, Shteti islamik nis të humbasë terren. Posaçërisht në Irak, sulmet e ushtrisë irakiane dhe raketat amerikane  çlirojnë disa qytete, ndërmjet të cilave, Tikriti, Ramadi e Falluja. Më 9 dhjetor 2017, kryeministri irakian al-Abadi deklaron zyrtarisht fitoren e luftës kundër milicive të Shtetit islamik.

Në pritje të Françeskut

Iraku, që pret Françekun, është akoma i plagosur nga luftërat, që lanë gjurmë të thella në historinë e kohëve të fundit. Po vendi mbetet ndërmjet Shteteve të para në botë për nxjerrjen e naftës. Gjë që ndikon pak në zhdukjen e varfërisë në një vend, ku shumica e popullsisë, rreth 40 milionë vetë, jetojnë në mjerim, pranë e pranë me pasurinë e pallogaritshme. Nga 7 maji 2020 kryeministër i Irakut është Mustafa Al Kadhimi. Kryeministri e ka vënë më se një herë në dukje pluralitetin  kulturor e fetar të Irakut. “Ne, irakianët - deklaroi këto ditë kryeministri, fjalët e të cilit u rimorën nga agjencia Fides - jemi të fortë në pluralitetin tonë e do të mbetemi simbol i bashkëjetesës, tolerancës dhe qytetarisë, pavarësisht nga kurthet e grupeve të errëta, planet shkatrrimtare të të cilave dështuan në vendin tonë të mrekullueshëm”. “Prania e bashkësive të krishtera autoktone në Irak, qysh nga kohët apostolike - nënvizon akoma kryeministri Al Kadhimi - pohon aftësinë e hapjes, që i karakterizon  qytetërimet, të cilat pasuan njëri-tjetrin që nga kohët e lashta në trojet e pafundme të Mesopotamisë”.

03 mars 2021, 10:33