Kërko

Vatican News
Këmba e foshnjës, në dorë të atit Këmba e foshnjës, në dorë të atit 

Françesku: ta mbrojmë familjen nga gjithçka ia vrugnon bukurinë

Në fillim të Vitit të Familjes, Papa i dërgon një mesazh takimit, organizuar nga Dikasteri vatikanas, për të ripohuar se çdo baritori familjare duhet të hyjë “në mishin e në gjakun” e jetës reale, posaçërisht në kohën e pandemisë, që i vë në provë të rëndë të gjitha lidhjet.

R. SH. - Vatikan

Të ripohosh doktrinën mbi familjen “nga lart e nga jashtë”, pa i marrë parasysh “brishtësitë e saj e plagët e saj”, krijon rrezikun që kjo të bëhet së pari “teori” e, së dyti, të  mos i prekë fare zemrat. Françesku rikthehet tek vija magjisteriale e përvijuar tek Amoris laetitia, me një mesazh, dërguar  pjesëmarrësve në takimin  online me titull: “Dashuria jonë e përditshme”, organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen e Jetën”, së bashku me Dioqezën e Romës dhe Institutin Papnor Teologjik Gjon Pali II, për të kremtuar pesëvjetorin e botimit  të Nxitjes pas-sinodale.

Plot freski e dashuri

Amoris laetitia - ripohon Papa - “skicoi një fillim, duke kërkuar të inkurajojë rrugën e re baritore në realitetin familjar”. “Ishte Dokument me shikim të ri, në një kohë e një kulturë thellësisht të ndryshuar”, në të cilën ruajtja e “bukurisë së familjes nuk mund të shkëputet nga kujdesi për të”. E zemra e çdo pune baritore me familjen - kujton menjëherë pas Papa - shkëlqen pikërisht në këto dy aspekte: “në çiltërsinë e kumtit ungjillor dhe në  dashurinë e shoqërimit”.

Doktrina “është mishi e gjaku” i jetës

 Papa vijon të kujtojë rëndësinë që ka Fjala gjithnjë e re e Ungjillit, nga e cila mund të marrë formë çdo doktrinë, edhe kjo mbi familjen. Një fjalë kërkuese, që synon t’i çlirojë marrëdhëniet njerëzore nga skllavëritë, “të cilat shpesh ia përçudnojnë fytyrën  dhe e bëjnë të luhatet”. Françesku vijon edhe me listën e tyre: “diktatura e emocioneve, mbivlerësimi i së përkohshmes, frika nga ardhmëria”. Nga ana tjetër Kisha që, “ashtu si Mësuesi i saj”, është e thirrur të mishërohet, të zhytet në jetën reale, duke i njohur nga afër shqetësimet e përditshme të bashkëshortëve e të prindërve. E kjo, sepse - vëren Papa -  një Ungjill, që do të propozohej  si doktrinë  e rënë nga lart e nuk do të mund të hynte “në mishin e në  gjakun e së përditshmes, do të rrezikohej të mbetej teori e bukur, e, nganjëherë, edhe të jetohej si detyrim moral.

Gramatika e bukurisë

Po Papa nuk fton për ta ndjekur këtë teori! Fton për të shoqëruar, për të dëgjuar, për ta bekuar udhën në të cilën ecin familjet, si të donte t’u thoshte bashkëshortëve: “Kisha është me ju; Zoti është pranë jush; duam t’ju ndihmojmë  ta ruani dhuratën që morët”. Pikërisht në këtë mënyrë - thekson Papa në mesazh - Kisha  “u ripohon bashkëshortëve të krishterë vlerën e martesës, parë si plan i Zotit, si fryt i hirit të Tij e si thirrje, që duhet jetuar plotësisht, besnikërisht, bujarisht. E kjo është edhe udha, në të cilën duhet të ecin marrëdhëniet, ndonëse përmes shtigjeve, ku mund të zënë pritë edhe dështimet, ku mund edhe të rrëzohesh a t’i nënshtrohesh ndryshimeve, për t’u bërë tharm i vëllazërisë e i dashurisë në gjirin e shoqërisë”. Një përvojë, që ka edhe “gramatikën” e vet, “ka gjuhën, që nuk bëhet vetëm me fjalë, por edhe me mënyrën  si jemi, si flasim, si shikojmë, si sillemi në hapësitrë e në kohë, tipike për jetën familjare!”.

19 mars 2021, 16:22