Kërko

Delegacioni i Qendrës Françeskane të Solidaritetit i Firences Delegacioni i Qendrës Françeskane të Solidaritetit i Firences 

Papa Françesku: shkundini ndërgjegjet nga topitja e indiferencës

Papa priti sot në audiencë anëtarët e Qendrës Françeskane të Solidaritetit, lindur në Firence më 1983 për të ndihmuar familjet e varfëra, pleqtë, të gjymtuarit. Ati i Shenjtë i ftoi të përkulen dhembshurisht mbi njeriun e shembur nga barra e jetës, gjë që bëhet e mundur vetëm falë Krishtit.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë, në Vatikan, anëtarët e Qendrës Françeskane të Solidaritetit, lindur në Firence më 1983 për të ndihmuar familjet e varfëra,  pleqtë, të gjymtuarit. Kryesoheshin nga kryetarja, Maria Eugenia Ralletto, që e  përshëndeti Françeskun në emër të të pranishmëve. E Ati i Shenjtë u përgjigj duke i ftuar të gjithë të përkulen dhembshurisht mbi njeriun e shembur nga barra e jetës.

Qendra vepron në qytetin e Firencës, ku  ndihmon njerëz, që jetojnë në kushte ekonomike e shoqërore të vështira: familje, që duhet të përballojnë varfërinë e skajshme; njerëz të moshuar, që kanë nevojë për një fjalë të mirë, një buzëqeshje; varfanjakë të flakur në skutat e jetës. Duke vlerësuar lart veprimtarinë e tyre, Papa theksoi:

“Në një botë, që vrapon me dy shpejtësi, që nga njëra anë prodhon pasuri e nga ana tjetër krijon pabarazi, ju jeni vepër ndihme e bazuar mbi vullnetariatin e,  parë me syrin e fesë, ata, që hedhin farët e mbretërisë së Zotit”.

Në veprën tuaj - vijoi Papa, duke përmbledhur gjithë veprimtarinë e organizatës fiorentine - ju u frymëzuat nga dëshmia e ndritur e Shën Françeskut të Asizit, që predikoi vëllazërimin universal, “mbolli kudo paqe e eci pranë të varfërve, të braktisurve, të sëmurëve, të flakurve, të fundmëve”:

“Duke u përpjekur të ndiqni shembullin e tij, ju, që prej dyzet vjetësh, e çoni përpara këtë shërbim, shenjë konkrete shprese, por edhe  kundërshtish në jetën plot zhurmë të qytetit, ku shumë jetojnë të vetmuar, të shoqëruar vetëm me varfërinë e vuajtjen e tyre. Shenjë  që i shkund ndërgjegjet e mpira e i fton të dalin nga indiferenca, të kenë mëshirë për të plagosurin nga shoqëria e sotme e të përkulen ëmbëlsisht mbi njeriun e thyer më dysh nga barra e jetës”.

Fjalë, këto, që përmblidhnin gjithë të përditshmën e anëtarëve  të Qendrës Françeskane të Solidaritetit, të cilëve Papa, në përfundim të takimit, u drejtoi thirrjen:

 “Të dashur miq, ecni me guxim në punën tuaj! I lutem Zotit t’ju ndihmojnë, mbasi e dimë se as zemra jonë e mirë e as forcat tona njerëzore nuk mjaftojnë. Gjëja e parë që duhet bërë kur jemi para njeriut të varfër, është ta duam si të ishte vëllai ynë, motra jonë. E kjo bëhet e mundur vetëm falë Krishtit, që është i pranishëm në çdo njeri, aq më shumë në atë, që vuan”.

01 mars 2021, 14:42