Kërko

Vatican News
Manifestime kundër racizmit Manifestime kundër racizmit  (AFP or licensors)

Papa: racizmi, virus që fshihet, në vend që të zhduket

Sot, kur kremtohet Dita ndërkombëtare për zhdukjen e dallimeve racore, Papa, në një tweet, nënvizon se “shprehjet e racizmit na bëjnë të turpërohemi përsëri”.

R. SH. - Vatikan

“Racizmi është virus, që ndryshon lehtësisht e, në vend që të zhduket, fshihet, po duke mbetur gjithnjë në pritë. Shprehjet e racizmit na bëjnë të turpërohemi përsëri, duke  dëshmuar se progreset e shoqërisë nuk janë të siguruara përgjithmonë e jetës”. Kështu shkruan Papa Françesku në profilin e tij twitter sot, kur kremtohet Dita ndërkombëtare për zhdukjen e diskriminimit racor.

Dita e 21 marsit

Dita kremtohet çdo vit më 21 mars. Data u zgjodh për të përkujtuar 21 marsin e vitit 1960 kur, në Afrikën Jugore, në kulmin e apartheid-it, policia hapi zjarr mbi një grup demonstruesish me ngjyrë, duke vrarë 69 prej tyre e duke plagosur 180 të tjerë. Një episod dramatik, që njihet si masakra e Sharpeville. Duke e shpallur  këtë ditë ndërkombëtare në vitin 1966, me Rezolutën 2142, Asambleja e Përgjithshme nënvizoi nevojën e një angazhimi më të madh për zhdukjen e të gjitha formave  të diskriminimit racor.

Manifestime në SHBA-të

Në Shtetet e Bashkuara qindra vetë dolën dje nëpër rrugët e Atlantës, në Gjeorgji, për të protestuar kundër masakrimit të tetë personave, ndërmjet të cilëve, gjashtë gra me origjinë aziatike, nga ana e një 21 vjeçari të bardhë. Ndërmjet manifestuesve dukeshin një mori kartelash, ku shkruhej: “Stop Asian Hate!”, dhe “Racisme Is A Virus!”. Disa vlera e bindje themelore - kujtoi presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, në fjalimin e tij drejtuar Emory University të Atlantës - duhet t’i bashkojnë amerikanët,  si për shembull “lufta kundër urrejtjes e racizmit - helm, që e persekutoi dhe e stërmundoi tepër gjatë Kombin tonë”.  

21 mars 2021, 13:12