Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme: të dialogosh me Zotin është hir

“E pse Zoti duhet ta dojë njeriun?”. Në audiencën e përgjithshme, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa Françesku bëri këtë pyetje e edhe të tjera, shumë të rëndësishme, duke nënvizuar se “lutja na hap në dy kanatat portat e Trinisë e të detit të pafundmë të Zotit Dashuri”.

R. SH. - Vatikan

“Ne nuk do ta kishim pasur kurrë guximin të besojmë në një Zot, që e do njeriun, po të mos kishim njohur Jezusin”. Papa Françesku, duke vijuar  udhën e katekizmit kushtuar lutjes, u ndalua tek “ky shkandull”, që e gjejmë “të skalitur në shëmbëlltyrën e atit të mëshirshëm, a në atë të bariut, në kërkim të deles së humbur”. Dhe e lidhi këtë me pyetjet, që shqetësojnë zemrën e çdo të krishteri:

“Rrëfime të tilla nuk do të kishim mundur t’i konceptojmë, e as t’i kuptojmë, nëse nuk do të ishim takuar me Krishtin. E cili Zot është gati të vdesë për njerëzit, pa pretenduar aspak që ta duan? Cili Zot e pranon mosmirënjohjen e tmerrshme të një biri, që i kërkon para kohe trashëgimin  dhe e niset e shkon në vise, ku e shkapëderdh gjithë pasurinë?”.

Dashuri, që pushton çdo njeri, deri tek më i fundmi

Atësia e Zotit “është afërsi, është përdëllim, është dashuri”. Ky, pohoi Ati i Shenjtë, është stili i Zotit, është mënyra e Tij për ta shprehur atësinë. “Të dialogosh me Zotin - shtoi - është hir: ne nuk jemi të denjë, nuk kemi asnjë të drejtë të pretendojmë! Çdo fjalë e çdo mendim yni çalon”… Por Jezusi është porta, që na hapet për këtë dialog me Zotin. Ne e përfytyrojmë mundimshëm e shumë prej së largu - pohoi Papa - dashurinë  me të cilën Trinia është përplot, si dhe honin e pafundëm të dashamirësisë reciproke, që lidh Atin me Birin e me Shpirtin Shenjt:

“Posaçërisht ishte larg nesh mundësia për të besuar se kjo dashuri hyjnore do të hapej, duke  dalë në bregun tonë njerëzor; jemi caku i një dashurie që nuk ka shoqe mbi dhe. Katekizmi shpjegon: ‘Humaniteti shenjt i Jezusit është udha përmes së cilës Shpirti Shenjt na mëson ta lusim Hyjin, Atin tonë”.

E ky - përfundoi Papa - është hiri i fesë sonë. E pamundur të shpresonim një thirrje më të lartë: humanizmi i Jezusit e bëri të mundshme për ne vetë jetën Trinisë”.

03 mars 2021, 11:54