Kërko

Vatican News
Misioni i meshtarit Misioni i meshtarit 

Papa Françesku: meshtari nuk është njeri i klerikalizmit, por i mëshirës.

Gjatë audiencës me Kolegjin Papnor meksikan, Papa shqyrtoi me hollësi thirrjen e barinjve të Kishës. Në përpjekjen për t’iu kundërvënë tundimit të shpirtit të botës, kujtoi, duhet lëshuar vetja në dorë të Zotit, për t’u modeluar me dashurinë e Tij, që ta zgjeron zemrën e të nxit t’i përqafosh të përjashtuarit.

R. SH. - Vatikan

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të Kolegjit Papnor Meksikan, Papa Françesku vuri në dukje sfidat kryesore për ungjllëzimin e Meksikës dhe të gjithë kontinentit amerikan, posaçërisht në atmosferën plot vështirësi, shkaktuar nga pandemia.

Në një shoqëri të dërmuar nga dhuna dhe nga pabarazitë, e tani të gjunjëzuar nga koronavirusi,  meshtari - kujtoi - është i thirrur të sjellë në botë  shikimin e dashurisë, të pajtimit, të vëllazërimit. Problemet kryesore, që presin të zgjidhen - vijoi Papa - kërkojnë nga ne, meshtarët, t’i shëmbëllejmë Zotit e shkimi ynë, shikimit të dashurisë, me të cilin na kundron.

Sfidat e krijuara nga pandemia

Kolegji Papnor meksikan, që merret pikërisht me formimin e meshtarëve të ardhshëm, u themelua në vitin 1967, fillimisht si seminar, por shumë shpejt fitoi identitetin e tij si bashkësi meshtarake, me misionin që të favorizojë formimin e përhershëm të gjithanshëm të meshtarëve meksikanë, të dërguar në Romë nga ipeshkvijtë përkatës, për t’u vënë, pastaj, në shërbim të popullit të Zotit në atdhe. Në fillim të fjalimit, Papa falënderoi rektorin, atë Viktor Ulises Vásques Moreno që, në përshëndetjen e  tij,  kujtoi sfidat kryesore për ungjillëzimin në Meksikë e në gjithë kontinentin amerikan, posaçërisht në kushtet e pandemisë. Sfida, që  kanë ndikim edhe mbi formimin e  përhershëm të meshtarëve.

Jo vetëvlerësimit e shmangies nga përgjegjësitë  

E pikërisht duke pasur parasysh formimin, Papa kujtoi se në këtë drejtim  është themelore të harmonizohet përmasa akademike, me atë shpirtërore, njerëzore e baritore. E njëkohësisht, të korrigjohet vazhdimisht jeta, duke mos i nënvleftësuar tundimet, që vijnë nga mendësia  botës.

E në vijim nënvizoi tre tiparet kryesore, që duhet të ketë barinjtë e Kishës.

Ta shikojmë botën me sytë e Zotit

“Para së gjithash - u kujtoi të pranishmëve - duhet t’i shikojmë problematikat me atë shikim plot dashuri, që i shikon Zoti, Ati ynë problematikat, që trondisin shoqërinë: dhunën, pabarazitë shoqërore dhe ekonomike, polarizimin, korrupsionin dhe mungesën e çdo shprese, posaçërisht në radhët e të rinjve:

“Duhet të ndjekim shembullin e Virgjërës Mari që, me dashurinë e nënës, pasqyron dashurinë e thellë të Zotit, i cili i pranon të gjithë, pa asnjë dallim”.

E shembulli i Bariut të mirë ngjall në shpirtin e çdo meshtari mëshirë të mirëfilltë, si për delet që iu besuan, ashtu edhe për ata, që humbën.

Papa kërkoi që meshtarët të modelohen nga Krishti, mbasi vetëm Ai mund t’u kujtojë se nuk duhet të mbyllen në shtëpi, në zyrë e as ta kalojnë kohën kot. Përkundrazi: i inkurajon të shkojnë gjithnjë në mes të njerëzve!

Tipari i dytë i bariut, lidhja ndërmjet njerëzve

Vështirësitë shoqërore, që po kalojmë - u kujtoi Papa përfaqësuesve të Kolegjit Papnor Meksikan - ndryshimet e mëdha dhe korrupsioni, që i bën njerëzit të humbasin çdo shpresë për ndryshime pozitive, kërkojnë nga ne t’i shikojmë me sy plot vëmendje sidomos ata që flaken nga radhët për shkak të rrënjve të tyre indigjene ose  të besimeve të tyre popullore:

“Ne, barinjtë, jemi të thirrur të rikrijojmë lidhje respektuese e konstruktive ndërmjet njerëzve, grupeve njerëzore e kulturave në gjirin e shoqërisë,  duke u bërë të gjithëve propozimin: ‘Pajtojuni me Zotin’ e duke u angazhuar në rivendosjen e drejtësisë”.

Së fundi, një vështrim mbi vëllazërimin

“Sfidat që përballojmë janë aq të mëdha - kujtoi Papa, duke vijuar porositë drejtuar  përfaqësuesve të Kolegjit Papnor Meksikan - sa të përfshijnë gjithë indin shoqëror si dhe realitetin e globalizuar, të ndërlidhur me rrjetet  shoqërore dhe me mjetet e komunikimit. Prandaj, së bashku me Krishtin, shërbëtor e bari – ishte porosia e Françeskut -  duhet të jemi të aftë për të pasur vizionin e së tërës e të unitetit, që na nxit të krijojmë vëllazërim në gjirin e kulturave e të bashkësisë së kishterë.

Një shikim, që ta lehtësojë bashkimin vëllazëror, t’i inkurajojë e t’i udhëheqë  besimtarët  për të qenë plot respekt ndaj shtëpisë së përbashkët e ndërtues të një bote të re, në bashkëpunim me të gjithë burrat e gratë vullnetmira.

Virgjëra e Guadalupes, model i inkulturimit

Në përfundim të takimit, thirrja drejtuar meshtarëve që të mos lodhen kurrë duke i thelluar rrënjët e fesë. Rrënjë - pohoi - që vijnë nga procesi i inkulturimit të Ungjillit, model i të cilit është Zoja e Gadalupes. Ajo na kujton “dashurinë e të Birit Jezus, për të gjithë ata, që bëhen pjesëmarrës në meshtarinë e Tij”.

Në krye të fjalimit, Papa pohoi se i kujton ende takimet që pati me popullin e Zotit gjatë shegtimit të tij në Meksikë, në vitin 2016. Kujtime, që i përtërihen  çdo vit kur kremtohet Solemniteti i Zojës së Guadalupes në Vatikan.  E është pikërisht “Zoja zeshkane, Nëna e Zoti e Nëna jonë”, ajo që i fton të gjithë të vijojnë plot me besim misionin e tyre:

“Asaj e Shën Jozefit - përfundoi Papa  -u lutem të kujdesen për gjithë klerin e Meksikës e për bashkësinë e këtij Kolegji Papnor meksikan”.

29 mars 2021, 15:41