Kërko

Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Françesku: Kreshmë do të thotë t’ia hapësh zemrën dashurisë së Zotit

Në të Dielën e katërt të Kreshmëve, e Diela “Laetare”, gjatë lutjes së Engjëllit, Papa kujtoi se rruga e Zotit të çon në dritë e të nxit të bësh vepra të mira. Në kohën e përgatitjes për Pashkë, nënvizoi vlerën e Sakramentit të Pajtimit, për të gjetur “gëzimin e vërtetë”.

R. SH. - Vatikan

 E diela e sotme, e katërta e Kreshmëve, është e diela “Laetare”, që fton për gëzim. Liturgjia eukaristike nis pikërisht me këtë ftesë “Gëzoju, Jeruzalem!”. E me këtë ftesë e filloi edhe Papa lutjen e sotme të Engjëllit, duke e vijuar me pyetjen e natyrshme: “Po pse duhet të gëzohemi?”. Përgjigjen - kujtoi menjëherë Françesku - na e jep Ungjilli i sotëm:

“Zoti e deshi aq shumë botën, sa  të jepte Birin e vetëm, që kushdo beson në Të,  të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur”.

E ky mesazh është zemra e fesë së krishterë: kulmi i dashurisë së Zotit, që ia dhuroi të Birin njerëzimit të ligshtë e mëkatar.

Tre aspektet e paraqitjes së Jezusit

Këtë e mësojmë nga dialogu i Jezusit me Nikodemin, që përshkruhet në të njëjtën faqe ungjillore: Nikodemi -  shpjegoi Papa në lutjen e Engjëllit -  si çdo anëtar i popullit të Izraelit, ishte në pritje të Mesisë, të cilin e përfytyronte si burrë të fortë, që do ta gjykonte botën me pallë zhveshur. Po Jezusi e vë në krizë këtë lloj pritshmërie, duke u paraqitur në tre aspekte:  si Bir i njeriut i lartuar mbi kryq; si Bir i Zotit, i dërguar për të shëlbuar botën e si bir i dritës, që di ta dallojë kë ndjek të vërtetën e kë ndjek gënjeshtrën. Këtë theksoi Papa, duke shpjeguar, më pas, domethënien e këtyre aspekteve.

Jezusi, Bir i njeriut

Jezusi - kujtoi - paraqitet sidomos si Bir i njeriut. Bën aluzion për gjarpërin prej bronzi i cili, sipas vullnetit të Zotit, u lartua nga Moisiu në   shkretëtirë, kur populli u sulmua nga gjarpërinjtë helmatisës; kush kafshohej dhe e shikonte gjarpërin prej bronzi, shërohej menjëherë. E edhe Jezusi u lartua mbi kryq. E kush beson në Të, shërohet nga “pickimi” i mëkatit  e jeton!

Jezusi, bir i Zotit

Aspekti i dytë - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot -  është ai i paraqitjes së Jezusit si Bir i Zotit. Zoti Atë i do njerëzit deri në atë pikë, sa “të japë Birin e vet të vetëm”: e jep në mishërim, e jep edhe duke ia dorëzuar vdekjes:

“Qëllimi i dhuratës së Zotit është jeta e pasosur e njerëzve: Zoti e dërgoi të Birin në botë jo për ta dënuar botën, por që bota të mund të shpëtonte përmes Jezusit. Misioni i Krishtit është mision shëlbimi, për të gjithë”.

Jezusi, drita e botës

Emri  i tretë i Jezusit është “dritë”. Thotë Ungjilli: “Drita erdhi në botë, po njerëzit deshën më shumë errësirën sesa dritën”. Ardhja e Jezusit në botë na vë para përzgjelljes: kush zgjedh errësirën, shkon drej gjykimit e dënimit, kush zgjedh dritën, drejt gjykimit e shpëtimit. Gjykimi është pasojë e zgjedhjes së lirë të secilit - kujtoi Papa - që më pas nënvizoi:

“Kush bën keq, kërkon errësirën, kush bën mirë, del në dritë. E kush del në dritë, bën vepra të mira. Pikërisht për këtë jemi të thirrur  gjatë Kreshmëve”

E në vijim, ftesa:

“Ta mirëpresim dritën në ndërgjegjen tonë, posaçërisht në sakramentin e Pajtimit, për t’ia hapur zemrat tona pafundësisë së Zotit, mëshirës së Tij plot me dashuri e mirësi. E kështu do të gjejmë gëzimin e vërtetë e do të mund të ngazëllehemi nga ndjesa e Zotit, që  ringjall e jep jetë”.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit, si zakonisht, Papa i drejtoi sytë e lutjen drejt Marisë:

“Shenjtja Mari na ndihmoftë të mos kemi frikë në çastin kur Jezusi ‘ na vë në krizë’. Eshtë krizë e shëndetshme, për shërimin tonë; që gëzimi ynë të jetë i përkryer”.

14 mars 2021, 13:20