Kërko

Vatican News
Mesha Shenjte me bashkësinë filipinase Mesha Shenjte me bashkësinë filipinase  (Vatican Media)

Papa Françesku: është e bukur Kisha, që e do botën pa e gjykuar

Në Meshën e kremtuar sot në Shën Pjetër për 500-vjetorin e ungjillëzimit të Filipineve, Françesku i falënderoi katolikët e vendit aziatik, të tretët në botë si numër, për gëzimin me të cilin e çojnë fenë nëpër botë përmes punës së tyre të përditshme: “Kjo është ‘sëmundje e lume’, ruajeni!”- ishte porosia e Papës.

R. SH. - Vatikan

“Është tërheqëse një Kishë, që e do botën pa e gjykuar e që për botën dhuron vetveten”. Me këtë brohoritje e përshëndeti Papa Françesku   bashkësinë filipinase të Romës, e pranishme e gjitha simbolikisht në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Meshën e falënderimit për 500-vjetorin e ungjillëzimit të vendit të tyre të origjinës. Papa i ftoi katolikët e vendit aziatik t’i bëjnë të gjithë të thonë edhe për Kishën, si për Zotin “e deshi shumë botën”.

Procesioni me Kryqin e Shën Ninos

Në fillim të kremtimit Papa arriti tek Altari i Katedrës në procesion,  me bashkëkremtuesit, kardinalin Luis Antonio G. Tagle, prefektin filipinas të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve; Angelo de Donatis, mëkëmbësin e tij për Dioqezën e Romës dhe tetë meshtarë të bashkësisë filipinase. Shoqëruar me këngën “Bato balani sa gugma”, arritën në altar edhe kryqi i Magelanit e një shtatore e Shën Ninos - Krishtit Fëmijë.

Zoti e deshi fort botën

Para së gjithash - kujtoi Papa në homeli - Zoti e deshi fort botën. E kjo është  fjala e parë, që Jezusi ia drejtoi Nikodemit - njërit nga pleqtë judeas, që donte ta njihte Mësuesin - e që na ndihmon edhe ne ta njohim fytyrën e vërtetë të Zotit. Ai na shikon gjithnjë me dashuri; e, për dashuri erdhi mes nesh në korpin e të Birit. Në Të  erdhi Të na kërkojë, në viset ku humbëm; në Të erdhi, për të na ngritur përsëri në këmbë pas rrëzimeve tona! Në Të i derdhi lotët tanë e i shëroi plagët tona! Në Të e bekoi gjithnjë jetën tonë. Kushdo beson në Të - na kujton Ungjilli - nuk humbet kurrë. Në Jezusin Zoti shqiptoi fjalën përfundimtare të jetës sonë: ti nuk je i humbur, je i dashur. Gjithnjë i dashur:

“Zoti të do aq, sa të japë jetën për ty. Nuk është Zot indiferent, që rri e shikon nga lart, por Atë i dashuruar, që merr pjesë aktive në historinë tonë; nuk është Zot që kënaqet për vdekjen e mëkatarit, por Atë, që dëshiron të mos humbasë askush; nuk është Zot, që dënon, por Atë, që shpëton me përqafimin bekues të dashurisë së Tij”.

E fjala e dytë - kujtoi Papa , është “Zoti dhuroi Birin e vet, sepse na do tepër. Zoti dhuron vetveten e na fal jetën e vet. E kush do, del nga vetvetja. Dashuria gjithnjë ofrohet, dhurohet, thyen guaskën e egoizmit, shemb muret e fiton mbi frikën, për t’u bërë dhuratë”.

Zoti del nga vetvetja, sepse deshi shumë

Prandaj Zoti del nga vetvetja, sepse deshi shumë:

“Dashuria e Tij është aq e madhe, sa nuk mund të bëjë tjetër, veçse të na dhurohet ne. Kur populli në shtegtim nëpër shkretëtirë u sulmua nga gjarpërinjtë e helmatisur, Zoti e mësoi Moisiun të bënte gjarprin prej bronzi, ndërsa në Jezusin, lartuar mbi kryq, Ai vetë erdhi të na shërojë nga helmi, që të mbyt! U bë mëkat, për të na shpëtuar nga mëkati. Zoti nuk na do me fjalë: na dhuron të Birin, që kushdo ta shikojë e të besojë në Të, të shpëtojë”.

E ky është burimi  i gëzimit tonë:

“Nganjëherë e kërkojmë gëzimin aty ku nuk është, në iluzionet që zhduken, në ëndrrat e madhështisë, në sigurinë që duket sikur na japin sendet materiale, në kultin e vetvetes. Por përvoja e jetës na mëson  se gëzimi i vërtetë është ta ndjesh veten të dashur, të shoqëruar, pranë dikujt që ëndërron të njëjtat ëndrra e që, kur rrezikohemi të fundosemi, vjen të na prijë drejt portit të sigurt”.

Vijoni veprën e ungjillëzimit, që nuk është prozelitizëm!

E, si foli për gëzimin e vërtetë, Papa shfletoi edhe faqet e historisë së krishterimit në Filipine. Kanë kaluar pesëqind vjet nga koha kur kumtimi i krishterë arriti në Filipine - vijoi - duke iu drejtuar banorëve të këtyre ishujve të largët, asokohet shumë pak të njohur, në botën e njohur.  Pesëqind vjet, që kur  e morët gëzimin e Ungjillit: mësuat se Zoti na deshi aq, sa të jepte të Birin për ne.  E ky gëzim vihet re në popullin tuaj, vërehet në sytë tuaj, në fytyrat tuaja, në këngët tuaja e në lutjet tuaja. Dëshiroj t’ju falënderoj  për gëzimin që sillni në mbarë botën e në bashkësitë e krishtera. Mendoj për përvojën  e bukur në familjet romake, e po kështu, edhe në mbarë botën, ku prania juaj e mençur e punëdashëse diti të bëhet edhe dëshmi feje. Me stilin e Marisë e të Jozefit, Zoti dëshiron të sjellë gëzimin e fesë me shërbim të përvuajtur, të fshehur, të guximshëm e ngulmues.

E me këtë festë  kaq të rëndësishme për popullin shenjt të Zotit në Filipine  Papa deshi t’i nxisë filipinasit të vijojnë veprën e ungjillëzimit, që nuk është prozelitizëm:

“Ai kumt i krishterë, që e morët, duhet t’u përcillet gjithnjë edhe të tjerëve; ungjilli i afërsisë së Zotit kërkon të gjejë shprehjen e vet në dashurinë për vëllezërit;  dëshira e Zotit që askush të mos humbasë kërkon që Kisha të kujdeset për kë është i plagosur e jeton në skutat e jetës”.

Misioni i Kishës

Këtë theksoi Papa, duke kujtuar misionin e Kishës:

“Nëse Zoti  do aq, sa  të dhurojë vetveten,  edhe Kisha e ka këtë mision: nuk dërgohet për të gjykuar, por për të mirëpritur;  jo për t’u imponuar, por për të mbjellë; jo për të dënuar, por për të çuar kudo Krishtin, që është shpëtim”.

E në vijim Papa shprehu bindjen se pikërisht ky është programi i Kishës së Filipinasve: angazhim misionar, që i përfshin të gjithë e arrin tek të gjithë.  Ndaj u drejtoi filipinasve ftesën të mos çkurajohen, por të vijojnë ecjen në këtë rrugë. Të mos kenë frikë ta kumtojnë Ungjillin, por të shërbejnë, të duan:

“E me gëzimin tuaj do të mund të bëni që edhe për Kishën të thuhet: ‘e deshi shumë botën’. Është e bukur e tërheqëse një Kishë, që e do botën, pa e gjykuar e që për botën dhuron vetveten. Ashtu qoftë, në Filipime e në të katër anët e botës!”.

14 mars 2021, 11:56