Kërko

Vatican News
Pamje nga varfëria nëpër botë Pamje nga varfëria nëpër botë 

Françesku: dëgjimi i britmës së të varfërve na bën pjesëmarrës të një bote më të mirë

Fjalët e Papës i drejtohen një grupi vullnetarësh dhe drejtuesish të FIDESCO-s, Organizatë katolike e solidaritetit ndërkombëtar, lindur në Francë e angazhuar që prej dy vjetësh në Jug të botës, në ndihmë të të varfërve. Françesku i falënderoi dhe i nxiti ta çojnë më tej këtë impenjim që të bën të rritesh në nivelin personal e kishtar.

R. SH. - Vatikan

“Ta dëshmojnë Krishtin me kompetencë e profesionalitet, duke i ofruar Kishës mbështetje vullnetare për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor!”. Kjo është puna që, prej dyzet vjetësh, bën FIDESCO - Federata ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik e shoqëror, përmes kooperimit - një Ojq katolike e vullnetariatit e lindur nga Bashkësia Emmanuel më 1981 e, aktualisht, e pranishme në katër kontinente. Në shtegtim këto ditë në Romë, një përfaqësi vullnetarësh e drejtuesish, u prit sot paradite në audiencë nga Papa, pasi një vizite tek Varret e Apostujve  që - siç e kujtoi Françesku në fjalimin e përshëndetjes, “të nxit t’i rrënjosësh edhe më thellë veprimtaritë që kryen  ditë për ditë, në shërbim të fesë në Krishtin e në zemrën e misionit të Kishës. Udhë përtëritjeje shpirtërore e lidhur me atë Kreshmore”,  kjo që po bëni - kujtoi Françesku -  që, në vijim, i uroi miqtë të bëhen akoma më entuziastë e më gazmorë në shërbimin ndaj vëllezërve e motrave të botës.

Vullnetarë, në fund të botës

FIDESCO është specializuar në dërgimin e vullnetarëve katolikë,  motivuar nga feja e formuar profesionalisht, në fund të botës, për t’iu përgjigjur kërkesave të Kishës në sektore të ndryshme ose në mjedise problematike, si kampet e refugjatëve a dispanseritë. Prandaj edhe quhet kështu: “fides-co” – fe e cooperim, domethënë bashkëpunim, pavarësisht nga besimi, nga etnia e kultura.

Në kërkim të të tjerëve

Janë burra e gra në “kërkim të së mirës për të tjerët”, për motrat e vëllezërit më të largët, më pak fatlumë, më nevojtarë, me mundësi më të pakta, por njëlloj të dashur nga Zoti e njëlloj të pajisur me dinjitet:

“Të dëshmosh se Jezusi dhuroi gjakun e Tij për ne, na davarit çdo dyshim lidhur me dashurinë pa kufij, që e fisnikëron çdo qenie njerëzore. Çdo njeri është i denjë. Çdo qenie njerëzore është për mua vëlla e motër. Ju ftoj që, ndërsa jeni në mision, me lidhjen tuaj personale me Zotin e me jetën tuaj të fesë, ta ruani mahnitjen, joshjen entuziamin e të jetuarit të Ungjillit në vëllazëri. Kemi nevojë për të në çastet e vështira të vetmisë, të çkurajimit, të zhgënjimit”.

Dëshmitarë të dashurisë e të mëshirës, për një botë më të mirë

Përballë këtij angazhimi, që vullnetarët e FIDESCO-s e jetojnë prej dyzet vjetësh,  Papa u shprehu mirënjohjen lidhur me misionin e dëshminë e dhënë për Krishtin dhe i inkurajoi të gjithë ta vijojnë ecjen në këtë rrugë, duke ndërtuar një botë më të mirë e duke fuqizuar, kështu, Mbretërinë e Zotit.

20 mars 2021, 14:56