Kërko

Vatican News
Furnizim me ujë të pijshëm Furnizim me ujë të pijshëm 

Dita Botërore e Ujit. Papa: është dhuratë, jo mall

Më se 2 miliard njerëz nuk kanë akoma ujë të pijshëm e më se 4 miliardëve, u mungojnë shërbimet higjienike. Nesër, siç e kujtoi Papa pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, “kremtohet Dita Botërore e Ujit”, që na fton të reflektojmë mbi vlerën e kësaj dhurate të mrekullueshme e të pazëvendësueshme të Zotit

R. SH. - Vatikan 

“Për ne, besimtarët, ‘vëllai ujë’ nuk është mall - kujtoi Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit - është simbol universal, burim jete e shëndeti. Tepër vëllezër, shumë, shumë vëllezër e motra kanë vetëm pakëz ujë, edhe ai i ndotur. U duhet siguruar të gjithëve uji i pijshëm, ashtu si edhe shërbimet higjienike. I falënderoj e i inkurajoj të gjithë ata që, me profesionalitet e përgjegjësi të ndryshme, punojnë për arritjen e këtij qëllimi kaq të rëndësishëm. Mendoj, për shembull - vijoi Françesku - për Universitetin e Ujit, në atdheun tim, për ata, që e çojnë përpara këtë dëshirë e për të bërë që të gjithë ta kuptojnë rëndësinë dhe vlerën e ujit. Shumë faleminderit ju, argjentinas, që punoni në këtë Universitet të ujit”.

Kështu u shpreh Papa Françesku pas përfundimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar se nesër kremtohet “Dita Botërore e Ujit”.

Një britmë, që dëgjohet rrotull botës

Më se 2 miliard vetë nuk kanë ujë të pijshëm! Kërkesa për ujë është shndërruar prej kohe në një britmë e fuqishme, që dëgjohet në shtyp, në media, vrapon në web, përmbyt mjetet shoqërore të komunikimit, i ngjyros me blu monumentet, në mungesë të nismave e manifestimeve publike, të ndaluara për shkak të pandemisë së Covid -19. Britmë që të gjithë, në rrallë të parë qeveritë, duhet ta dëgjojnë, siç nuk lodhet së përsërituri Papa.

Uji, në qendër të Ditës së tij botërore

Uji është në qendër të Ditës botërore, themeluar nga OKB-ja më 1992. Sivjet titullohet  “Valuing Water”. Vlerësoje, prandaj, ujin, që mungon akoma në shumë, tepër shumë zona të botës. Kur e përdor, mos harro se 2,2 milionë njerëz nuk kanë ujë të pijshëm  e 4,2 miliardë, janë ende pa shërbime higjieno-sanitare të sigurta!

21 mars 2021, 14:30