Kërko

Papa: Zoti na ndihmon sot, në këtë ditë që po e jetojmë

Ishte lutja e përditshme, tema e katekizmit të sotëm të Papës Françesku, që edhe në këtë të mërkurë e mbajti audiencën e përgjithshme në Bibliotekën e Pallatit Apostolik. Nuk ka çaste më të përshtatshme se të tjerat për të dialoguar me Zotin, nënvizoi, çdo çast është rast për t’i folur. Lutja, pohoi, na ndihmon t’i duam të tjerët. E nuk duhet menduar për të kaluarën a për të ardhmen. E kaluara shkoi. E ardhmja do të vijë. Të përqendrohemi, prandaj, në të sotmen, kohë e përshtatshme për të folur me Zotin.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku ia kushtoi audiencën e përgjithshme të kësaj së mërkureje  lutjes së përditshme, asaj, që mund ta themi në çdo çast të ditës: “udhës, në zyra, në mjetet e transportit…”. Kudo - pohoi - mund ta vijojmë dialogun me Zotin: e kush lutet, është si i dashuri, që e ka gjithnjë e gjithkund në zemër të dashurën. E ne mund të lutemi me fjalë e pa fjalë: sepse gjithçka bëhet rast për të folur me Zotin. Inteligjenca njerëzore - vërejti Papa “është fasadë e hapur mbi misterin, mbi çka e tejkalon atë”:

“Ky mister nuk ka fytyrë shqetësuese, as ngashëryese: njohja e Krishtit na mbush me besimin se atje ku sytë tanë e sytë e mendjes sonë nuk mund të shikojnë dot, nuk është asgjëja! Sepse atje është hiri i pafundmë! Lutja e krishterë ngjall në zemrën njerëzore një shpresë të pamposhtur: dashuria e Zotit mund ta shndërrojë në të mirë çdo gjë, që  na ndodh në udhën e jetës, kur ecim drejt e edhe kur rrëzohemi”.

As dje, as nesër, por sot!

Papa Françesku citoi, më pas, një fragment nga Katekizmi i Kishës Katolike, në të cilin nënvizohet se pikërisht në ngjarjet e përditshme na jepet Shpirti Shenjt, të cilin e takojmë në të përditshmen tonë. “As dje, as nesër. E takojmë sot”. E nënvizoi: “Takohemi sot me Zotin! Sot është dita e takimit!”:

“Nuk ekziston një ditë tjetër e mrekullueshme, veç së sotmes, që po e jetojmë. Njerëzit që jetojnë duke menduar gjithnjë për të ardhmen ‘e po, do të jetë më e mirë…’, e nuk e marrin të sotmen ashtu si të vijë, janë njerëz që  jetojnë në  botën e ëndrrave, të fantazisë, njerëz që nuk dinë ta marrin jetën realisht. Realiteti është e sotmja. E sotmja konkrete. E lutja bëhet sot, Jezusi na ndihmon sot, në këtë ditë, që po e jetojmë. E lutja vjen dhe e shndërron këtë ditë, falë hirit. Lutja e shndërron e na shndërron: paqëton inatin, forcon dashurinë, shumëfishon gëzimin, dikon forcën e nevojshme për të falur. Në ndonjë çast na duket se nuk jemi ne që po jetojmë, por hiri i gjallë, që vepron në shpirtin tonë, përmes lutjes”.

Lutja na ndihmon për t’i dashur të gjithë

Lutja na jep guxim, na shoqëron në jetë. Të lutemi, prandaj, për gjithkënd e për gjithçka - nxiti Papa - edhe për ata, që nuk i njohim, e edhe për armikun tonë:

“Lutja të mbush me një dashuri të pamasë. Të lutemi, prandaj, për njerëzit e palum, për ata që qajnë në vetmi, me bindjen se nuk i do askush. Lutja bën mrekullira; të varfërit, atëhere, e ndjejnë, për hir të Zotit, se edhe në mjerimin e tyre, lutja e një të krishteri dikoi mbi ta mëshirën e Krishtit”.

Mos gjykoni, po shikojeni botën me sytë e mëshirës

Jezusi nuk erdhi për ta gjykuar botën - vijoi Françesku - erdhi për ta shpëtuar. E më pas shtoi, duke folur lirisht:

“Jetë e keqe, ajo e njerëzve që rrinë duke gjykuar të tjerët. Gjithnjë. Nuk bëjnë tjetër, veçse dënojnë, gjykojnë… jetë e keqe, kjo, e trishtuar. Gjykojnë, kur Jezusi vjen për të shpëtuar! Hape zemrën, fal, përligji të tjerët, kuptoji, ji pranë të tjerëve, ki mëshirë, duaj, si Jezusi!”.

Të gjithë jemi  mëkatarë - kujtoi Papa - e të gjithë të dashur nga Zoti, një për një. Duke e dashur kështu këtë botë, duke e dashur me dhembshuri – pohoi - zbulojmë se çdo ditë e çdo gjë fsheh në vetvete një shkëndijë të misterit të Zotit.

T’i mbrujmë me lutje ngjarjet e përditshme

Papa citoi përsëri një fragment nga Katekizmi:

“Lutja në ngjarjet e çdo dite e të çdo çasti, është një nga sekretet e Mbretërisë së Zotit, që iu dëftua të ‘vegjëlve’, shërbëtorëve të Krishtit, të varfërve të lumnive. Gjë e mirë dhe e drejtë të lutesh që ardhja e Mbretërisë së drejtësisë dhe paqes të ndikojë mbi udhën e historisë, por po aq e rëndësishme edhe ‘t’i mbrujmë’ me lutje situatat e përvujta të përditshme”.

Jemi qenie të brishta - përfundoi Papa - por të dimë të lutemi është dinjiteti ynë më i lartë, është forca jonë! Zotin e kemi pranë e lutja “bën mrekulli”.

Të japim ndihmesën për pajtim e vëllazërim     

Gjatë përshëndetjeve në gjuhën italiane, në përfundim të katekizmit, Papa i ftoi besimtarët për një angazhim konstruktiv në rrethanat e jetës së tyre:

“Në një shoqëri, që vijon të dërmohet nga ndeshjet e përçarjet - kujtoi - jini shenjë e projektit të pajtimit e të vëllazërimit, që i ka rrënjët në Ungjill e në ndihmën e domosdoshme të lutjes”.

Françesku kujtoi edhe se nesër kremtohet  festa e Zojës Lurdë. E, në përfundim, urimi.

“Ju uroj t’i përngjisni Zojës, gjithnjë në gatishmëri të plotë për të bërë vullnetin e Zotit!”.

10 shkurt 2021, 11:53