Kërko

Vatican News
Mesha në të Dielën e Mëshirës Hyjnore Mesha në të Dielën e Mëshirës Hyjnore  (Vatican Media)

Papa: Zjarri i Krishtit të Mëshirshëm u përhaptë në mbarë botën

90 vjet pas dukjes së parë të Jezusit të Mëshirshëm, Motrës Faustina Kowalska, Papa i dërgoi një mesazh ipeshkvit të Płock. “Ky mesazh – pohon - i cili arriti në mbarë botën, nuk është tjetër, veçse Ungjilli i Jezu Krishtit, që vdiq e u ngjall e na dhuron mëshirën e Atit”, përmes të cilit nxit për kthimin “tek burimi i mëshirës”, që të bëhemi të aftë për “durim, falje, dashuri”.

R. SH. - Vatikan

“Përhapeni në mbarë botën zjarrin e Jezusit të Mëshirshëm. Jini për të gjithë shenjë e pranisë së Tij ndërmjet jush”. Papa Françesku ia dorëzon polakëve këtë detyrë të rëndësishme, në 90-vjetorin e dukjes së Jezusit Shën Faustina Kowalskas, apostulle e Mëshirës Hyjnore e cila, në qelinë e kuvendit të Płock, të Kongregregatës së Motrave të Zojës së Mëshirës, mori nga Zoti porosinë të pikturonte një kuadër me shënimin: “Jezus, besoj në Ty!”. Detyra që Papa ua beson sot besimtarëve, pasqyron pikërisht “këtë mesazh të fuqishëm, këtë dhuratë ndriçimi të veçantë”, siç pati thënë Gjon Pali II në Meshën e lumnimit të motrës, më 18 prill 1993. Gjë që ndikoi fuqimisht për kthimin në rrugën e fesë të njerëzve në të katër anët e botës.

Mëshirë, që përqafon

Në letrën drejtuar ipeshkvit të Płock, imzot Piotr Libera, Françesku bashkohet në lutje me besimtarët polakë, duke ndarë me ta gëzimin e Kishës së tyre. Kujton edhe fjalët e Krishtit, shkëputur nga ditari i motër Faustinës:

“Njerëzimi do të ketë paqe vetëm atëhere, kur t’i drejtohet  burimit të mëshirës sime”.

Prej këndej, ftesa e qartë e Papës:

“Ti drejtohemi këtij burimi. T’i kërkojmë Krishtit dhuratën e mëshirës. Ta lëmë të na përqafojë e të na hyjnë në shpirt. Të kemi guximin për t’u kthyer tek Jezusi, ta takojmë dashurinë e Tij e mëshirën e Tij në sakramente. Ta ndjejmë afërsinë dhe dashurinë e Tij e atëhere edhe ne do të jemi të aftë për mëshirë, durim, falje, dashuri”.

Paqja është në mëshirë

Në mesazhin e tij, Papa kujton edhe fjalët e Gjon Palit II, shqiptuar në Meshën e kushtimit të Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore, më 17 gusht 2002:

“Zjarri i mëshirës duhet të përhapet në mbarë botën. Në mëshirën e Zotit bota do të gjejë paqe e njeriu, lumturi”.

Është një “sfidë e posaçme për Kishën e Płock - shpjegon Françesku - për Kongregatën e motrave të Zojës së Mëshirës, për qytetin e Płock e për secilin prej jush”. Sfidë, nën shenjën e zjarrit të Krishtit dashuri.

Jezus, besoj në Ty!

Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi  festën e sotme si dhe Mesazhin e Mëshirës Hyjnore që, falë Gjon Palit II, u përhap në mbarë botën:

“Ky mesazh, që arriti në mbarë botën, nuk është tjetër, veçse Ungjilli i Jezu Krishtit, që vdiq e u ngjall e na dhuron mëshirën e Atit”.

Më 19 prill 2020, në të dielën kushtuar Mëshirës Hyjnore, në kohën kur mbi botën vijon të përhapet pandemia, Françesku kremton Meshën në Kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, që u bë shenjtërore e Mëshirës Hyjnore falë Papës Wojtyla. Fjalët e Papës polak gërshetohen me shqetësimin se po lë pas një botë ku thellohen pabarazitë, por edhe me mendimet e Motër Faustinës që, pasi e pati takuar Jezusin, shkroi:

“Në  shpirtin  e njeriut që vuan duhet të shikojmë Krishtin e kryqëzuar, e jo një parazit, një barrë…[O Zot] na jep mundësinë  të ushtrohemi në veprat e mëshirës e jo në gjykimet për tjetrin!”.

Një zemër e shndritur nga dashuria

Motër Faustina Kowalska, e lindur më 25 gusht 1905, në Poloni, në fshatin Glogowiec, më 1925 hyri në kuvendin  e Motrave të Zojës së Mëshirës, në Varshavë. Ndërmjet 1926-tës e 1938-tës, pati vegime të shumta e Jezusi i dorëzoi  figuren, që sot njihet në botën mbarë, me dy rreze drite  që i dalin  nga zemra e ndriçojnë çdo gjë. Në Meshën e kanonizimit të rregulltares polake, më 30 prill të vitit 2000, Gjon Pali II pati pohuar:

“Përmes Zemrës së Krishtit të kryqëzuar, Mëshira Hyjnore  arrin tek gjithë njerëzit: ‘Bija ime, thuaju se unë jam vetë Dashuria e Mëshira’, do t’i kërkonte Jezusi motër Faustinës” (Ditar, 374).

Dashuria e Gjon Palit II

Në zemrën e Gjon Palit II figura e motër Faustinës lidhet me një fazë të rëndësishme të jetës së tij, kur, gjatë pushtimit nazist, punonte në një stabiliment. E tregoi këtë në vitin 2002:

“E kujtoj akoma sot rrugën, që të çon nga Borek Falecki - në Debniki. E përshkoja çdo ditë duke shkuar për të punuar në turne të ndryshme, me ‘këpucë’ prej druri në këmbë. Kësisoj këpucësh mathnim asokohe. Si mund ta përfytyroja aso kohe se njeriu me nallane një ditë do të shuguronte Bazilikën  e Mëshirës Hyjnore në Lagiewniki të Krakovisë?”.

E Diela e Mëshirës Hyjnore

Papa Wojtyla e shpalli të dielën e dytë  të Pashkëve “E Diela e Mëshirës Hyjnore”. Françesku, në maj të vitit 2020, miratoi një dekret të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, që e cakton më 5 tetor kujtimin liturgjik të Shën Faustinës, e cila na la pas një mesazh që, siç kujtonte Papa Wojtyla, e shoqëron në çdo hap njeriun e sotëm:

“Mesazhi yt i dritës dhe i shpresës u përhaptë në mbarë botën! I nxitët mëkatarët të kthehen, i zhduktë rivalitetet e urrejtjet, i mbushtë njerëzit e kombeve të ndryshme me frymën e vëllazërimit. E sot, duke i ngulur sytë mbi fytyrën e Krishtit të Ngjallur, e bëjmë tonën lutjen tënde të lëshimit plot besim në duart e Krishtit dhe themi me shpresë të patundur: ‘Jezus, besoj në Ty!’”.

22 shkurt 2021, 14:08