Kërko

Vatican News

Papa: të impenjohemi për vëllazërim, çdo ditë të vitit

Një ditë angazhimi global për vëllazërimin: është dita, e caktuar nga Kombet e Bashkuara e cila, duke nisur që sivjet, do të kremtohet çdo 4 shkurt. Me kremtimet, nesër pasdite, do të bashkohet virtualisht edhe Papa.

R. SH. - Vatikan

Një ditë angazhimi global për vëllazërimin: është dita, e caktuar nga Kombet e Bashkuara e cila, duke nisur që sivjet, do të kremtohet çdo 4 shkurt. Me kremtimet, nesër pasdite, do të bashkohet virtualisht edhe Papa. Njoftimi u dha në përfundim të audiencës së përgjithshme, njëherësh me inkurajimin e Françeskut për t’i mbështetur këto vlera me lutje e angazhim të përditshëm.

Nesër - kujtoi Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën Apostolike - kremtohet Dita Ndërkombëtare e Vëllazërimit - sipas vendimit marrë më 21 dhjetorin e kaluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e cila, gjatë seancës plenare, vendosi që 4 shkurti i çdo viti t’i kushtohet Ditës ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor. Duke adoptuar një rezolutë të tillë, Asambleja - lexohet në Komunikatën e OKB-së - i fton  Shtetet anëtare ta kremtojnë këtë Ditë “për të promovuar dialogun ndërfetar e ndërkulturor”.

 Ati i Shenjtë kujtoi, më pas, edhe takimin e 4 shkurtit 2019 në Abu Dabi, kur Ai, së bashku me Imanim e Madh të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb, nënshkruan Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor për paqen dhe bashkëjetesën paqësore:

“Jam shumë i kënaqur që Kombet e mbarë botës marrin pjesë në këtë kremtim, i cili synon të nxisë dialogun ndërfetar e ndërkulturor”.
Këtë theksoi Papa, për të njoftuar, më pas:

 “Nesër pasdite do të marr pjesë në takimin virtual me Imamin e Madh të Al-Azhar, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, zotin António Guterres dhe me personalitete të tjera”.

Françesku kujtoi edhe se Rezoluta e OKB-së e vlerëson lart  kontributin e dialogut ndërmjet grupeve të ndryshme fetare, duke theksuar se ndikon fuqimisht në përmirësimin e vetëdijes e të mirëkuptimit të vlerave të përbashkëta të mbarë njerëzimit”

Në përfundim, urimi:

“Kjo qoftë sot lutja jonë, e edhe angazhimi ynë, në çdo ditë të vitit!”.

03 shkurt 2021, 12:47