Kërko

Vatican News

Papa: si samaritani, të prekemi nga vuajtja e të tjerëve

Në një videomesazh me rastin e Kongresit të Edukimit Fetar në kryedioqezën e Los Angeles, Françesku citon disa herë enciklikën Fratelli tutti, duke nënvizuar se vuajtja nga pandemia do të na ndryshojë. Një mori dëshmish dashurie, që i pamë këto muaj, na mësojnë sa të nevojshme janë, për të ushqyer vëllazërimin, afërsia, kujdesi, shoqërimi, flijimi.

R. SH. - Vatikan

Për të ndërtuar të nesërmen, pas kësaj pandemie, që ndikon mbi jetën e çdo njeriu e edhe mbi historinë e bashkësive tona”, duhet “vepruar me stilin e samaritanit”, domethënë “duhet të prekemi nga ajo, që shikojmë”,  me vetëdijen se sëmundja do të na bëjë njerëz të rinj, duke na kërkuar t’i shpërvjelim mëngët në luftën kundër saj”. Ky, reflektimi i Papës Françesku për pjesëmarrësit e Kongresit të 65-të të Edukimit Fetar, organizuar nga Kryedioqeza e Los Angeles, që nisi sot e do të vijojë deri më 21 shkurt, në formë virtuale, në një videomesazh në gjuhën spanjolle,  përhapur në rrjet në fillim të punimeve.

Online edhe Dita e 50-të dioqezane e Rinisë

Njëheresh me Kongresin, kremtohet sot edhe Dita e 50-të e rinisë së dioqezës kaliforniane, e kryesuar nga kryeipeshkvi José Horacio Gómez i cili, që nga nëntori 2019, është kryetar i Konferencës ipeshkvnore të SHBA-ve. Papa shpreh kënqësinë për “ udhën e gjatë e të frytshme”  të dy nismave, sivjet vetëm online për shkak të pandemisë së Covid-19  dhe e quan shumë të përshtatshme, në këtë çast krize, temën e zgjedhur  për Kongresin: “Shpalle premtimin!”.

Premtimi, që e kemi në zemra

“Duhet ta kumtojmë e ta kujtojmë premtimin e Zotit. Me bindjen se Zoti i mban gjithnjë premtimet” - nënvizon Françesku, që citon, më pas, Enciklikën “Fratelli tutti”, duke pohuar  se “çdo burrë, çdo grua e çdo brezni e kanë në shpirt premtimin, nga i cili mund të burojnë energji relacionale, intelektuale, kulturore e shpirtërore.

Vuajtja e të tjerëve kërkon angazhimin tim

Për të ndërtuar të nesërmen, pas pandemisë - shpjegon Papa - duhet angazhim, forcë e përkushtim i përgjithshëm:

“Duhet vepruar me stilin e samaritanit, stil që më kërkon të prekem thellë në shpirt nga ajo, që shikoj, me vetëdijen se vuajtja do të më bëjë njeri tjetër e se duhet ta ndihmoj njeriun, që vuan”.

Vëllazërimi ushqehet me afërsi

Dëshmitë e shumta të dashurisë bujare, dashurisë së dhuruar - vijon Papa Françesku - të cilat i pamë me sytë tanë gjatë këtyre muajve, “lanë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjet e në indin shoqëror”, duke na mësuar “ sa të nevojshme janë afërsia, kujdesi, shoqërimi e flijimi, për të ushqyer vëllazërimin”. Nga krizat - kujton Papa - “dilet më mirë ose më keq, por kurrë njëlloj”:

“Në kriza secili zbulon zemrën e tij: qëndrueshmërinë, mëshirën, madhështinë a vogëlsinë. Krizat na vënë përballë nevojës për të zgjedhur!”.

Të ëndërrojmë së bashku, si vëllezër

Në këtë kohë, duke njohur dinjitetin e çdo njeriu - propozon Françesku - e duke kujtuar gjithnjë “Fratelli tutti”, paragrafi 8 - mund të na rilindë dëshira për vëllazërim botëror. Kemi nevojë për një bashkësi, që na mbështet, na ndihmon, na nxit të ecim krah për krah me njëri-tjetrin  e të shikojmë përpara, së bashku. Sa rëndësi ka të ëndërrosh së bashku!

Të rinj, jini poetë  të vëllazërimit

Duke i përshëndetur posaçërisht të rinjtë, Papa i fton për shpresë “realitet ky, i rrënjosur thellë në zemrën e njeriut”. Jini poetë të bukurisë së re njerëzore! - kjo, thirrja papnore drejtuar të rinjve - poetë të bukurisë vëllazërore e miqësore:

“Ëndrrat ëndërrohen së bashku. Të ëndërrojmë si një njerëzim i vetëm,  si shtegtarë  të gatuar me të njëjtin mish njerëzor, si bij të së njëjtës tokë, që na strehon të gjithëve, secilin me pasurinë e fesë së vet e me bindjet e veta, secilin me zërin e vet, por të gjithë vëllezër!”.

19 shkurt 2021, 11:59