Kërko

Vatican News

Papa: që dje, ushtrime shpirtërore për Kreshmë, por pa lëvizur nga Vatikani

Për shkak të masave kundër koronavirusit, këtë vit, ushtrimet shpirtërore të Papës e të Kuries Romake mbahen në mënyrë individuale. Françesku nuk lëviz nga Vatikani, por nuk ka veprimtari publike gjatë kësaj jave

R.SH. - Vatikan

Këtë vit ushtrimet shpirtërore kreshmore të Papës dhe Kuries Romake, që filluan dje pasdite e do të përfundojnë të premten, më 26 shkurt, nuk mbahen në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor në Ariccia, sipas traditës, por ndiqen individualisht. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Ati i Shenjtë e kardinajtë nuk mund të mblidhen në të njëjtën sallë për të dëgjuar predikimet.

Libri “Ta kesh Zotin në zemër”

Megjithatë, javën e kaluar, Papa u shprehu pjesëmarrësve afërsinë e tij, duke u dhuruar bashkëpunëtorëve të vet në Kurien Romake, librin “Ta kesh Zotin në zemër”, botuar nga San Paolo dhe redaktuar nga jezuiti italian, atë Daniele Libanori, ipeshkëv ndihmës i Romës. Autori i dorëshkrimit të viteve ‘600, që publikohet në këtë libër, është një murg çisterçens, ndoshta nga Ferrara e Italisë, që njihet si “Mësuesi i Shën Bartolit”. “Është fjala për shënime shpirtërore, që i referohen tekstit të jashtëzakonshëm klasik ‘Imitimi i Krishtit’ – shpjegon prelati, i cili ka përgatitur për shtyp edhe dy ese të autorëve tejet të dashur për Papën Françesku, si Adolphe Tanquerey dhe Claudio Acquaviva. – I kam pasur me vete këto fletë për më se 20 vite. Në fund të fundit, u binda se ndoshta, përvoja e këtij ‘Mësuesi të lashtë të Shën Bartolit’ mund të jetë e dobishme edhe për shumë të tjerë, në këtë kohë të vështirë, që po jetojmë”.

Papa, një javë pa veprimtari publike

Vitin e kaluar, ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake i predikoi jezuiti e biblisti, atë Pietro Bovati. Ati i Shenjtë nuk mundi të marrë pjesë, për shkak se nuk ndihej mirë me shëndet. U bashkua “shpirtërisht” me të gjithë pjesëmarrësit në Ariccia. Kësaj radhe, për herë të parë në histori, kardinajtë nuk mblidhen së bashku, por secili, siç këshillon Ati i Shenjtë, do t’i ndjekë ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve “aty ku ta shohë të përshtatshme”. Sipas traditës, gjithsesi, ndërpriten të gjitha veprimtaritë papnore, përfshirë audiencën e përgjithshme të së mërkurës.

Shën Injaci i Lojolës e Papa Piu XI

Praktika e ushtrimeve shpirtërore të Papës e të Kuries Romake u themelua zyrtarisht nga Papa Piu XI me enciklikën “Mens nostra” të vitit 1929. Por natyrisht, thelbi i tyre ka të bëjë me shën Injacin e Lojolës, themeluesin e Shoqërisë së Jezusit. Jo rastësisht, Papa Françesku, edhe ai jezuit, sapo u zgjodh, vendosi që ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve të mbaheshin jashtë mureve të Vatikanit, në një vend larg zhurmës e kaosit të përditshëm, për të ndihmuar kështu heshtjen e dëgjimin e zërit të brendshëm, për t’i lënë vend Zotit që t’i flasë shpirtit të njeriut.

Sot, secili mbetet i mbyllur në shtëpinë e vet, pa një predikatar a udhëheqës shpirtëror, por në vetmi. Sepse kjo përvojë, pavarësisht nga vështirësitë e shkaktuara nga koronavirusi, mund të ndihmojë vërtet në dialogun me Zotin “edhe në distancë”, duke e shndërruar sprovën e distancimit fizik në mundësi për të vendosur një “komunikim të menjëhershëm ndërmjet Krijuesit e krijesës së vet”, siç thotë shën Injaci në n.15 të Ushtrimeve të tij.​

22 shkurt 2021, 15:54