Kërko

Vatican News
audienca e përgjithshme audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa Françesku: pa liturgji, nuk ka kristianizëm

Në katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme, kushtuar lutjes liturgjike, Françesku nënvizoi se liturgjitë publike dhe sakramentet “janë ndërmjetësime konkrete” për të arritur në takimin me Krishtin, që është “i pranishëm në Shpirtin Shenjt përmes shenjave sakramentore”. Ati i Shenjtë i thotë “jo” përshpirtërisë intimistike, “pa rrënjë në kremtimin e mistereve shenjte”

R. SH. - Vatikan

Pa liturgjinë, krishterimi është “pa Krishtin”, është intimistik, sepse ritet liturgjike, Shkrimi Shenjt e sakramentet janë “ndërmjetësim konkret” për të arritur tek takimi me Krishtin. E Krishti “është i pranishëm  në Shpirtin Shenjt përmes shenjave sakramentore”. Prandaj i krishteri nuk mund t’ia besojë vetëm lutjes personale, spontane, marrëdhëniet me Zotin, në një përshpirtëri, që nuk i përfill liturgjitë publike. Sepse pikërisht liturgjia  është akt që themelon përvojën e krishterë në tërësinë e saj, e prej këndej, edhe lutje.

Tundimi për “krishterim intimistik”

Këtë nënvizoi Papa në fillim të katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, për të shmangur grumbullimin e besimtarëve, në kohë pandemie, duke vijuar reflektimet kushtuar lutjes. Ati i Shenjtë kujtoi se në historinë e Kishës ndjehej shpesh tundimi për ta praktikuar kristianizmin intimistik, që nuk e pranon vlerën shpirtërore të riteve liturgjike publike.

Besimtarë, që e ushqejnë jetën shpirtërore nga burime devocionale   

Pandehej - vijoi Françesku - se kishte shumë më tepër pastri feja, që nuk varej nga ceremonitë e jashtme, të cilat quheshin barrë e kotë, e dëmshme dhe e panevojshme e arrihej deri atje, sa të kritikohej jo “një formë e veçantë rituale”, “a një nga mënyrat e kremtimit, por vetë liturgjia”.  Prej këndej, Papa kujtoi se në Kishë mund të gjenden ca forma përshpirtërie, që nuk dinë ta integrojnë si duhet çastin liturgjik. Kështu shumë besimtarë,  edhe pse marrin pjesë në meshë, “e ushqejnë fenë e tyre dhe jetën e tyre shpirtërore, në burime të tjera, të tipit devocional”.

Koncili: liturgjia është themelore për jetën e të krishterëve

Po Kisha “ka ecur shumë përpara në këtë rrugë” - kujtoi Papa - e Kushtetuta Apostolike Sacrosanctum Concilium e Koncilit II të Vatikanit  e sintetizon shumë mirë këtë udhë:

“Ajo e pohon në mënyrë konkrete e organike rëndësinë e liturgjisë hyjnore për jetën e të krishterëve, të cilët gjejnë në të meditimin objektiv, që kërkohet nga fakti  se Jezusi nuk është ide, as ndjenjë, por Vetje e gjallë, e Misteri i Tij, ngjarje historike”.

Përshpirtëria e krishterë kërkon kremtimin e mistereve

Lutja e të krishterëve - vijoi Papa - kalon përmes meditimeve konkrete:

“Shkrimi Shenjt, Sakramentet, ritet liturgjike, bashkësia’. Kjo është ‘sfera trupore e materiale’, e domosdoshme ‘për jetën e krishterë’, sepse ‘në Jezu Krishtin ajo bëhet udhë e shëlbimit’. Prej këndej - sqaroi Papa – ‘nuk ekziston përshpirtëri e krishterë, që nuk i ka rrënjët në kremtimin e mistereve’”.

Në katekizëm (n. 2655) shkruhet:

“Misioni i Krishtit dhe i Shpirtit Shenjt që, në liturgjinë sakramentore të Kishës kumton, aktualizon e komunikon Misterin e shëlbimit, vijon në zemrën që lutet”.

Liturgjia, në vetvete, nuk është thjesht lutje e vetvetishme, por diçka më shumë e më origjinale: është akt, që themelon përvojën e krishterë në tërësi e, prandaj, edhe lutjen. “Është ngjarje, dukuri, prani, takim”.

Krishterimi pa liturgji, “është pa Krisht”

Krishti - pohoi Françesku - “bëhet i pranishëm në Shpirtin Shenjt përmes shenjave sakramentore”. Prej këndej, është e nevojshme që ne, të krishterët, të marrim pjesë në misteret hyjnore:

“Një krishterim pa liturgji, është krishterim pa Krishtin. Edhe në ritet më të thjeshta, si ato që të krishterët i kremtojnë ndër burgje ose në skutat e shtëpive të tyre gjatë persekutimeve, Krishti bëhet realisht i pranishëm dhe u dhurohet besimtarëve të Tij”.

Të gjitha lutjet e krishtera hamendësojnë liturgjinë

Liturgjia - vijoi Françesku - duhet kremtuar me entuziazëm, që hiri i dikuar në rit të mos humbasë, por të arrijë në jetën e secilit:

“Shumë lutje të krishtera nuk janë liturgjike, por të gjitha, nëse janë të krishtera, hamendësojnë liturgjinë, domethënë, ndërmjetësimin sakramentor të Jezu Krishtit”.

Krishti, i pranishëm në Kremtimin e çdo sakramenti

Krishti është i pranishëm “sa herë që kremtohet ndonjë pagëzim, sa herë shugurohet buka e vera në Eukaristi, sa herë lyhet me Vaj Shenjt trupi i ndonjë të sëmuri”. E lutja e të krishterit “bën të vetën praninë sakramentore  të Jezusit”. Çka është e jashtme në ne, bëhet pjesë e jona e - shpjegoi Papa Françesku - “liturgjia e shpreh edhe me me gjestin konkret të ngrënies”.

Mesha jo vetëm dëgjohet, por edhe kremtohet, gjithnjë

Meshën nuk mund ta ndjekim si të ishim spektatorë të ndonjë shfaqjeje, së cilës ia vëmë e nuk ia vëmë fort veshin. Mesha kremtohet, gjithnjë, e jo vetëm nga meshtari, që i prin, “por nga gjithë të krishterët, të cilët nuk e shikojnë, por e jetojnë. Qendra e saj është Krishti. Ai është protagonisti i liturgjisë”.

Në kultin e të krishterëve të parë aktualizoheshin gjestet dhe fjalët e Krishtit

Të krishterët e parë - kujtoi në përfundim Françesku - duke nisur ta jetonin kultin e tyre, i aktualizonin “gjestet dhe fjalët e Jezusit, me dritën e forcën e Shpirtit Shenjt, në mënyrë që jeta e tyre të bëhej fli shpirtërore për Zotin”. Ishte një aktualizim revolucionar, sipas të cilit:

“Jeta është e thirrur të bëhet kult për Zotin, por kjo nuk mund të bëhet pa lutjen, posaçërisht pa lutjen liturgjike”.

03 shkurt 2021, 12:39