Kërko

Vizita e Papës në Irak Vizita e Papës në Irak 

Papa në Irak: me rëndësi për praninë e të krishterëve

Kryeipeshkvi kalde i Erbilit, duke folur me Fondacionin Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan” (Acs), uron që prania e Françeskut në Irak, me takimet dhe fjalimet e tij, të japë ndihmesë për të fuqizuar rolin dhe praninë themelore të të krishterëve në vend.

R. SH. - Vatikan

“Urojmë që vizita e Papës në Kombin tonë ta sensibilizojë opinionin publik kryesisht për praninë e të krishterëve në Irak”: - këtë deklaroi, duke folur për Fondacionin “Ndihmë për Kishën që vuan”, imzot Bashar Warda, kryipeshkëv kaldeas i Erbilit, lidhur me vizitën apostolike të Papës në Irak, në program nga 5 deri më 8 mars 2021.

Përmes vizitës së Papës, bota do të njohë të krishterët irakianë

“Respekti nga ana e popullit irakian për këtë bashkësi do të rritet - shton prelati - Banorët e Irakut dinë pak e gjë për ne. Shpresojmë se me këtë rast do ta kuptojnë se nuk jemi mysafirë në këtë vend, po banorë me rrënjë të thella, qysh në zanafillë". Imzot Warda nënvizon edhe  rëndësinë që  ka takimi i Papës me krerët shiitë, me Ayatollahun Ali Al Sistani, parashikuar me datën 6 mars. Iraku ka shumicë shiite. Al Sistani  konsiderohet si njeri i paqes, që e dënon haptazi korrupsionin në këtë komb - shpjegon kryeipeshkvi kaldeas i Erbilit. - Takimi ndërmjet dy personaliteteve do të ketë, pa dyshim, ndikim pozitiv mbi mendimin që kanë shiitët për të krishterët.

Prelati  imzot Bashar Warda nuk i fsheh as vështirësitë, që do të hasë vizita e kujton  se disa krerë fetarë fundamentalistë po mbajnë qëndrim armiqësor në mjetet e komunikimit, në prag të shtegtimit të Papës. E kjo, sepse për ta, çkado, që vjen nga perëndimi, konsiderohet kryqëzatë e për ta “Papa është mbreti i kryqtarëve, që vjen këtu si misionar”. Ndërsa të rinjtë irakianë mendojnë ndryshe për Papën, mbasi  e kanë vërejtur me sa zell e pasion flet për situatën në Siri e në Irak.

Ndërmjet sigurisë e masave kufizuese, për shkak të pandemisë

Pas fitores ushtarake mbi Shtetin islamik, me ndihmën e bamirësve të “Ndihmë për Kishën që Vuan”, dhjetra mijëra të krishterë janë kthyer në shtëpitë e tyre, të braktisura në vitin e tmerrshëm 2014, për shkak të sulmit të xhihadistëve. Ndihmë për Kishën që Vuan e mbështeti fuqimisht pakicën e krishterë si gjatë mërgimit, ashtu edhe në fazën e ndërtimit të banesave, duke financuar më se 48 milionë euro. Imzot Warda vëren se të krishterët irakianë do të dëshironin që Papa të vizitonte sa më shumë vende që të ishte e mundur, por i kuptojnë edhe problemet që krijon në këtë drejtim pandemia, në një vend ku numri i të prekurve nga sëmundja vijon të rritet, si në Bagdad, ashtu edhe në Erbil.

Prej këndej, në Meshën që do të kremtohet në Stadiumin e Erbilit -  gjatë së cilës do të mund të nderohet shtatorja e Zojës së Karemlesh, e dëmtuar nga terroristët e shtetit të vetëshpallur islamik - parashikohet pjesëmarrja  e 10 mijë vetëve, ndonëse ka vend për 30 mijë. Së fundi, përsa i përket bashkëpunimit me autoritetet e rajonit autonom kurd për ardhjen e Françeskut,  prelati pohon se këto autoritete “po merren me sigurimin e Papës me shumë seriozitet, duke përgatitur për këtë, më se 10 mijë vetë, e se edhe mjetet e informimit do t’i transmetojnë të gjitha ngjarjet  në mënyrë sa më të plotë e të përkryer”.

26 shkurt 2021, 13:26