Kërko

Engjëlli i Tënzot Engjëlli i Tënzot 

Papa Françesku: misioni i Kishës është afërsia

“Të përkulesh mbi njeriun që vuan, për ta ngritur përsëri në këmbë, të kujdesesh për të me dashuri e mëshirë. Ky është stili, kjo rruga e zgjedhur nga Biri i Zotit e kështu duhet të jetë edhe Kisha. Por nuk mund të kesh mëshirë, pa marrë forcë nga lidhja e ngushtë me Atin”. Kështu e lexoi Papa Liturgjinë e sotme në reflektimin, që i parapriu lutjes së Engjëllit, kremtuar, pas më se një muaji, nga dritarja e studios së tij, i përshëndetur me brohori nga besimtarët në Shesh, nën një shi të akullt dimëror.

R. SH. - Vatikan

Shërim! Kjo ishte fjala kryesore e së dielës së pestë të Kohës së zakonshme, kur Françesku i përshëndeti përsëri besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nga dritarja e studios së tij, pas një muaj transemtimi drejtpërdrejt në streaming, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, për shkak të  normave të imponuara nga pandemia. “Përsëri në Shesh!” ishte brohoria e besimtarëve, në përshëndetjen e tyre plot dashuri.

Shërimi i parë

Në qendër të vëmendjes në lutjen e Engjëllit të Tënzot, si zakonisht, faqja ungjillore e së dielës, që sot na tregon sesi Jezusi shëroi vjehrrën e Pjetrit e, më pas, edhe të sëmurë e të vuajtur të tjerë, që e ndjekin pas kudo i shkel këmba. Ky i vjehrrës së Shën Pjetrit - kujtoi Papa -  është shërimi i parë: gruaja ishte në krevat me ethe të forta e Jezusi iu afrua me sjellje emblematike - tregon Shën Marku: “Iu afrua dhe e  bëri të ngrihet duke e marrë pë dore. E ethet e lanë sakaq e nisi të shërbente”.

E shëruar, për të shërbyer

Shikojmë, në këtë skenë, fuqinë shëruese të Jezusit, që ia rikthen njeriut të sëmurë jetën normale, duke e bërë të mendojë menjëherë për të tjerët e jo vetëm për vetveten, gjë që është shenjë e shëndetit të vërtetë, atij të shpirtit.

Jezusi i do fort njerëzit, që vuajnë në korp e në shpirt

Ajo ditë ishte e shtunë - vijoi të kujtojë Papa, duke përshkruar atë natë të largët mrekullish - Njerëzit e fshatit prisnin perëndimin e diellit, e pastaj, sapo mbaroi detyrimi i pushimit, dolën e çuan para Krishtit gjithë të sëmurët e të pushtuarit nga djalli:

“Ishte një skenë vërtet e jashtëzakonshme. Ata shpresonin, e Ai i shëroi’. Por duke i ndaluar djajtë të flisnin e të tregonin se ai ishte Krishti.  E gjithë kjo na bind se Zoti, që në fillim të misionit të tij,  zgjodhi të varfërit, të sëmurët, njerëzit që vuajnë në korp e në shpirt…”.

 Është  përzgjedhja e Atit, të cilin ai e mishëron dhe e manifeston me vepra e me fjalë.

Dishepujt, dëshmitarë mrekullish

Dishepujt ishin dëshmitarë të mrekullive të Krishtit – kujtoi Papa në vijim të Engjëllit:

Po Zoti nuk deshi të ishin thjesht spektatorë të misionit të Tij:  deshi të bashkëpunonin me Të. Ndaj i dërgoi nëpër botë, u dha fuqinë të shëronin të sëmurët, të dëbonin djajtë, të bënin mrekulli”.

Kisha vijon veprën e Krishtit

E kjo vijon pandërprerje në jetën e Kishës. Që në kohët për të cilat po flasim e deri më sot. Veprimtaria kryesore e pjesa më e rëndësishme e  misionit të saj është pikërisht të kujdeset për të sëmurët. Ashtu si kujdesej Jezusi. Kisha e vijon këtë mision: i çon dashurinë e Zotit njerëzimit të vuajtur. Këtë  do të na e rikujtojë, pas pak, Dita Botërore e të Sëmurit, themeluar nga Shën Gjon Pali II, i cili i dhuroi Kishës edhe Letrën Apostolike Salvifica doloris, kushtuar kuptimit të krishterë të vuajtjes njerëzore (11 shkurt 1984). – kujtoi Papa Françesku në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot.

Mesazh për sot

Realiteti që po jetojmë në mbarë botën për shkak të pandemisë e bën posaçërisht aktual këtë mesazh. Zëri i Jobit rijehoi përsëri në Liturgjinë e sotme. U bë rishtas interpretues i jetës sonë njerëzore, me dinjitet aq të lartë e njëkohësiht me brishtësi aq të madhe. Përballë këtij realiteti, në zemerën njerëzore nuk mund të mos lindë pyetja: “Pse?”.

Jezusi i përgjigjet pyetjes: “Pse vuajmë?”

Kësaj pyetjeje Jezusi, Fjala e mishëruar, nuk i përgjigjet me ndonjë shpjegim, por me praninë e dashurisë, që pëkulet mbi të sëmurin, që e merr për dore, e bën të ngrihet, siç bëri me vjehrrën e Pjetrit. I biri i Zotit e tregon sundimin e Tij “jo nga lart poshtë”, jo nga larg, por nga afër, me dashuri, me mëshirë.

“E Ungjilli i sotëm - shtoi akoma Papa - na kujton se kjo mëshirë i ka rrënjët thellë, në lidhjen e ngushtë me Atin: para se të shkrepte agimi a të dyndej muzgu, Jezusi tërhiqej gjithnjë mënjanë i vetëm. E lutej! Prej lutjes e merrte forcën për të kryer shërbesën e tij, për të predikuar e për të shëruar të sëmurët”.

Në përfundim të Engjëllit, lutja tradicionale e së dielës, drejtuar Zojës së Bekuar:

“Zoja e Bekuar na ndihmoftë ta lëmë Jezusin të na shërojë – kemi gjithnjë nevojë për këtë - që të mund të jemi pastaj dëshmitarë të dashurisë shëruese të Zotit”.

07 shkurt 2021, 14:24