Kërko

Vatican News

Papa merr pjesë në Ditën e parë Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor

Papa Françesku do të përkujtojë Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor me Imamin e Madh të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb, në një takim virtual më 4 shkurt, datë e zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për këtë rast. Ta

R. SH. - Vatikan

Kremtimi i Ditës së parë Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, themeluar më 21 dhjetor 2020 nga OKB-ja, për kujtim të nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen botërore e Bashkëjetesën , do të bëhet virtualisht me pjesëmarrjen e Papës Françesku,  që ishte nënshkruesi e shpirti i këtij teksti, së bashku me Imamin e madh të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb. Një dokument, që u shkrua pothuajse gjatë një viti e gjysëm.

Papa e Imami i madh: Deklaratë historike për Paqen, lirinë e të drejtat

Të enjten, më 4 shkurt, do të mbahet takimi virtual, i transmetuar në streaming në disa gjuhë, duke nisur nga ora 14.30 (me orën evropiane), 13.30 (GMT), nga Vatican News, përhapur nga Vatican Media. Në nismën e organizuar nga Shehu Mohammed Bin Zayed, në Abu Dabi, do të marrin pjesë si Papa, ashtu edhe Imami i Madh i Al Azhar, por edhe Sekretari  i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres si dhe personalitete të tjera të rëndësishme. Në të njëjtën ditë do të dorëzohet edhe Çmimi Zayed për Vëllazërimin Njerëzor, frymëzuar nga Dokumenti me të njëjtin titull, themeluar pak muaj pas nënshkrimit të tij, më 4 shkurt 2019. Me këtë çmim do të nderohen ata, që dallohen për angazhim të vazhdueshëm në favor të vëllazërimit njerëzor.

E sotmja me paqe

“Ky kremtim i përgjigjet ftesës së qartë drejtuar nga Papa Françesku mbarë njerëzimit për të krijuar një të sotme me frymë paqësore në takimin me tjetrin”. Kështu shprehet kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. “Në tetor 2020 - shton -  kjo ftesë u bë edhe më e pashmangshme me Enciklikën Fratelli tutti. Këto takime janë mënyrë për ta jetuar miqësinë e vërtetë shoqërore, ashtu si dëshiron Ati i Shenjtë.

Nismat e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor  

Në komunikatën e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar flitet për etapat  kryesore, që na çojnë tek e njëjta e ardhme. Nga shtegtimi i Papës në Emiratet Arabe të Bashkuara, më 2019, tek Nënshkrimi i Dokumentit të Vëllazërimit Njerëzor e deri tek krijimi i Komitetit të lartë për këtë  Vëllazërim,  që ka në program të themelojë një Shtëpi Familje Abramitike, me një sinagogë, një kishë e një xhami, në ishullin Saadiyat të Abu Dabit.

 Njerëzimi, në udhëkryq

 Duke folur për Enciklikën Fratelli tutti të Papës Françesku, më 4 tetor 2020, në Konferencën e mbajtur në Sallën e Sinodit, në Vatikan, sekretari i përgjithshëm i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, gjykatësi Mohamed Mahmoud Abdel Salam, pati shpjeguar se “në këtë fazë vendimtare të historisë së njerëzimit jemi në udhëkryq; nga njëra anë vëllazërimi universal, që e gëzon njerëzimin, e nga ana tjetër, mjerimi i  skajshëm, që i thellon më tej vuajtjen e varfërinë e popujve.

T’ia hapim zemrën tjetrit

Papa Françesku e nxiti Selinë e Shenjtë të marrë pjesë në kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, nën udhëheqjen e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Në videon, titulluar “Në shërbim  të Vëllazërimit Njerëzor”, aty nga gjysma e janarit, Françesku pati pohuar edhe një herë sa rëndësi ka të përqendrohesh mbi problemet themelore për fenë, për të gjitha fetë: “Ta adhurosh Zotin e ta duash të afërmin!”. “Vëllazërimi - shpjegonte Papa - na nxit t’ia hapim zemrën Atit të të gjithëve e të shikojmë në tjetrin vëllain, motrën, për të ndarë bashkë me të jetën, për ta ndihmuar njëri-tjetrin, për ta dashur, për ta njohur”.

01 shkurt 2021, 15:00