Kërko

Vatican News
 Sampdoria  gjatë ndeshjes Sampdoria gjatë ndeshjes  (ANSA)

Papa lojtarëve të Sampdorias: fitoret më të bukura janë ato të skuadrës

Françesku u takua, sot paradite, në Vatikan, me drejtuesit e futbollistëve të skuadrës gjenoveze.

R. SH. - Vatikan

Çdo sport, ashtu si futbolli, mund të jetë “udhë jete, pjekurie e shenjtërie”. Papa Françesku foli për këtë udhë, duke pritur në audiencë drejtuesit e futbollistëve të Sampdoria-s, skuadrës së futbollit, themeluar në vitin 1946. Papa kujtoi se askush nuk mund të ecë përpara i vetëm, por “gjithnjë në skuadër”.

Duke iu drejtuar anëtarëve të formacionit gjenovez, Françesku theksoi dy aspektet kryesore, që lidhen me sportin:

“Do të nënvizoj dy gjëra, e kjo është e para: në skuadër, gjithçka bëhet në frymën e skuadrës. Fitoret më të bukura janë ato të skuadrës. Tek ne, lojtarit të futbollit, që luan për vetveten, i themi ‘e han topin’: e merr topin vetëm për vete e nuk i shikon fare të tjerët. Jo! Nuk bën kështu. Gjithnjë në skuadër. Së dyti: nuk duhet humbur amatorialja, domethënë, sporti amatorial, sporti që lind nga thirrja për të luajtur. Interesat e tjera janë të dorës së dytë. E rëndësishme është që loja të mbetet gjithnjë amatoriale”.

Fjalët e Françeskut u paraprinë nga ato të presidentit të Sampdorias, Massimo Ferrero dhe të trainerit të skuadrës ligure, Claudio Ranieri, të cilët e falënderuan Papën për pritjen në Vatikan. Mysafirët i sollën si dhuratë Atit të Shenjtë, për  kujtim të këtij takimi, fanellën e skuadrës, ku ishte shkruar “Papa Françesku”, si dhe një flamur trekëndësh, që përdoret për sinjalet. Papa i përshëndeti një për një të gjithë futbollistët, me të cilët, në përfundim, bëri  një foto, për kujtim të këtij takimi të paharrueshëm!

19 shkurt 2021, 15:08