Papa: Kreshmët, kohë shprese në krizën tonë
R. SH. - Vatikan
Në të dielën e tri fjalëve, që ndryshojnë nga legalizmat e egoizmat: afërsi, mëshirë e dashuri - Papa, në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, kujtoi se koha e fortë liturgjike, tashmë fare pranë, është më e përshtatshmja për ta vënë në jetë afërsinë:
“Të mërkurën e ardhshme do të nisim Kreshmët. Do të jetë kohë për ta shikuar me fe e shpresë krizën që po jetojmë”.
Shën Çirili e Metodi, pajtorë të Evropës e prijës në udhën e unitetit
Françesku kujtoi, më pas, shkurtimisht edhe Shën Çirilin e Metodin, dy ungjillëzuesit e popujve sllavë. U ndalua tek 31 dhjetori i vitit 1980, kur Shën Gjon Pali II i shpallte Bashkëpajtorë të Evropës, me Letrën Apostolike Egregiae Virtutis. E më pas, përshëndeti me shumë dashuri të gjitha bashkësitë, që jetojnë në trojet e ungjillëzuara nga Vëllezërit Shenjtorë. Papa i Kishës në dalje, vuri theksin mbi shembullin e tyre të shkëlqyer misionar:
“Ndërmjetësimi i tyre ndihmoftë që të gjinden rrugë të reja për ta komunikuar Ungjillin. E ndërmjetësimi i tyre e shtoftë në Kishat e krishtera dëshirën për të ecur drej unitetit të plotë, duke respektuar ndryshimet”.