Kërko

Vatican News

Papa: Zoti është i durueshëm, na pret pa u lodhur kurrë

“Jeta e përkushtuar është dhuratë e madhe e Zotit: dhuratë e Zotit për Kishën, dhuratë e Zotit për Popullin e vet. Zoti është i durueshëm, ai na pret pa u lodhur kurrë". Kështu Papa në Meshën me rregulltarët e rregulltaret, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Festa e sotme e Paraqitjes së Zotit në Tempull njëkohësisht shënon edhe Dita 25-tё kushtuar rregulltarёve dhe rregulltareve.

R.SH. - Vatikan

“Jeta e përkushtuar është dhuratë e madhe e Zotit: dhuratë e Zotit për Kishën, dhuratë e Zotit për Popullin e vet”. Kështu shkruante Papa Françesku në tweet-in e sotëm, para se të kremtonte Meshën me rregulltarët e rregulltaret, sot pasdite, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Festa e sotme e Paraqitjes së Zotit në Tempull është njëkohësisht edhe Dita kushtuar të shuguruarve, rregulltarёve dhe rregulltareve.

E Ati i Shenjtë Bergoglio u nis pikërisht nga Liturgjia e festёs sё Paraqitjes sё Jezusit nё Tempull, nё ditën e 25-tё tё Jetёs Rregulltare tё Pёrkushtuar, që na paraqet Simeonin, të cilit i gëzon zemra, sepse mban në krahë Foshnjën Hyjnore, Jezusin – Mesinё e shumëpritur prandaj i thur lavde dhe e bekon Zotin me gjithë qenien e tij.

"Zoti na pret pa u lodhur kurrë". Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku në predikimin e Meshës kremtuar me rastin e ditës botërore të jetës së përkushtuar rregulltare. "Të vështrojmë nga afër durimin e Simeonit, pёr tё cilit na flet Ungjilli i ditёs nga Luka (Lk 2,22-40). Gjatë gjithë jetës së tij ai priti ardhjen e Mesisё dhe ushtroi durimin e zemrës. Në lutje Simeoni mësoi se Zoti nuk vjen në ngjarje të jashtëzakonshme, por e bën punën e tij në monotoninë e të ditëve tona, nganjëherë në ritmet e lodhshme tё veprimtarive, në gjërat e vogla që ne i kryejmë me qëndresë dhe përvujtёri duke u përpjekur të bëjmë vullnetin e Tij  Hyjnor". "Duke jetuar me durim, Simeoni nuk e la veten të lodhej nga kalimi i kohës", shpjegon Papa. Ai nё zemёr e mbajti gjithmonё tё ndezur flakёn e shpresës nё Zotin. "Durimi i Simeonit, pra, është  pasqyrë e durimit të Zotit.  Nga lutja dhe historia e popullit të tij, – pohoi nё homelinё e tij Atij i Shenjtё Françesku -Simeoni mësoi se Zoti është i durueshëm". 

Më pëlqen të kujtoj Romano Guardinin, i cili tha: durimi është një mënyrë përmes së cilës Zoti i përgjigjet dobësisë sonë njerёzore, për të na dhënë kohë të ndryshojmë e pёrmirёsohemi (krh. Glaubenserkenntnis, Würzburg 1949, 28), tha Papa e kujtoi se pikёrisht Mesia, Jezusi, të cilin Simeoni e mban në krahë, na zbulon durimin e Zotit, durimin e Atit që tregon mëshirë ndaj nesh e na thërret, pa kërkuar përsosmërinë tonё, por vetёm rrahjen e zemrës, e cila hap mundësi të re aty ku gjithçka duket e humbur.

Kjo është arsyeja e shpresës sonë - tha Papa - Zoti na pret pa u lodhur kurrë. Dashuria e Tij Hyjnore nuk matet me peshoren e llogaritjeve tona njerëzore, Ai na jep gjithmonë guximin të fillojmë nga e para. Kёshtu, nga durimi i Zotit dhe i Simeonit duhet të mёsojmё tё jemi edhe ne tё durueshёm jetën tonë të pёrkushtuar rregulltare. Kёtu, tha akoma Papa, do të doja t’i tregoja tre "vende" ku realizohet durimi. Vendi parё është jeta jonë personale. Vendi i dytë ku durimi bëhet konkret ёshtё jeta brenda komunitetit e së fundi, "vendi" i tretë, ёshtё bota, ku jemi tё thirrur ta ofrojmё dёshminё e fesёs, tё dashurisё dhe tё shpresёs sonё nё Jezusin – Dritёn e njerёzimit.

 

02 shkurt 2021, 13:40