Kërko

Vatican News

Papa: ekonomia pa trafik kujdeset për njeriun, pa kërkuar vetëm fitimin

Në videomesazhin për Ditën botërore të lutjes dhe reflektimit kundër trafikut të njerëzve, Françesku flet për një model ekonomik që nuk shpërfytyrohet nga format moderne të skllavërisë. “Duhet guxim për ta harmonizuar fitimin e ligjshëm, me promovimin e punësimit e kushtet dinjitoze të punës” - nënvizon me forcë.

R. SH. - Vatikan

Sivjet dita e sotme i ndezi reflektorët mbi modelin ekonomik sundues, përmes të cilit vijon të lulëzojë “tregu” ilegal, i drejtuar nga organizatat kriminale: trafiku i njerëzve, një nga “bizneset”, më fitimprurëse në botën që pandemia po e bën gjithnjë më çnjerëzuese e çnjerëzore. Viktimat e trafikut radhiten në treg si mallërat, si skllevërit e tregjeve të lashta të historisë njerëzore. Prostitucioni, puna e detyruar, shitblerja e organeve vijojnë xhiron e tyre kriminale... Këtyre dramave u shtohen edhe forma të tjera të rënda të skllavërisë që, në mbarë botën, rëndojnë si zinxhirë mbi këmbët e duart e 40 milionë njerëzve. Janë burra e gra, e gjithnjë më shpesh, edhe të mitur e të mitura, viktimat e etjes së turpshme për pasuri, pasojë e së cilës është çdo vit një xhiro fitimesh prej 150 miliardë dollarësh. Dy të tretat e kësaj shume vijnë nga shfrytëzimi seksual. E 50% e punëtorëve të shfrytëzuar bëjnë punë të detyruara për të shlyer borxhet e grumbulluara nga një jetesë tragjike, në të cilën mungojnë deri streha e  buka e përditshme. E kundërta e kësaj skene dramatike, është ekonomia pa trafik, mbi të cilën Papa mbështet thirrje e shpresa.

Ekonomia e kujdesit

Një ekonomi pa trafik - nënvizon Papa në videomesazhin për Ditën e 7-të botërore të lutjes dhe reflektimit kundër trafikut - kujdeset për njerëzit e edhe për natyrën. Është “ekonomi solidare”. Papa kërkon…:

“Një ekonomi, që kujdeset për punën, duke krijuar mundësi punësimi; që nuk e shfrytëzon punëtorin me kushte zvetënuese e orare rraskapitëse”.

Duke kujtuar më pas se:

“Pandemia e Covidit i rëndoi më tej kushtet e shfrytëzimit të punës e humbja e vendeve të punësimit i dënoi një mori njerëzish të bien viktima të trafikut në procesin e rehabilitimit e të rikthimit në gjirin e shoqërisë. Ndaj në këto çaste, kur gjithçka duket sikur po shkoklohet e po i humbet shpresat, do të na bënte mirë ta pyesnim veten për forcën, që buron kur ndjehemi   përgjegjës ndaj brishtësisë së të tjerëve, duke kërkuar një fat të përbashkët”(Enc. Fratelli tutti). Prej këndej, ekonomi e kujdesit do të thotë ekonomi solidare: do të thotë të punojmë për një bazë të shëndoshë, që përkon me solidaritetin”.

Ekonomi rregullash

Ekonomia pa trafikë - shton Papa - disiplinohet nga “rregullat e tregut që mbrojnë drejtësinë, e jo interesat e veçanta. Njeriu ka nevojë për një ekonomi, që i kundërvihet krizës e nuk e krijon. Por për këtë duhet ndërtim durimtar, programim, i cili nuk shikon gjithnjë e vetëm fitimin afatshkurtër, por frytet me afat të mesëm e të gjatë e, posaçërisht, njerëzit.

“Në kohë krizash të forta, si kjo aktuale, ky guxim është më i nevojshëm se kurrë. Në kohë krize trafiku lulëzon, e dimë të gjithë, e shikojmë çdo ditë. Ndaj duhet fuqizuar ekonomia, që nuk i përgjgjet krizës me dritëshkurtësi, po me durim e në mënyrë solidare”.

08 shkurt 2021, 16:33