Kërko

Vatican News
Papa Françesku në rrëfyestore Papa Françesku në rrëfyestore 

Papa e rrëfimi: mëshira mbi zemrën e plagosur nga mëkati

Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Papa foli për meshtarë rrëfyes, të aftë për t’i tërhequr njerëzit, edhe më të druajturit, tek Sakramenti i Rrëfimit. Butësi, mëshirë, dëgjim e falje janë fjalët kyçe, të propozuara shpesh herë në Papninë e tij, për të treguar si duhet të jetë rrëfyesi sot.

Ka gjeste, që të mbeten në kujtesë, të fiksuara nga një forcë e paparë dhe e paharruar. Është data 28 mars 2014, pak më shumë se një vit pas zgjedhjes së Françeskut në Fronin e Shën Pjetrit. Papa është në Bazilikën e Vatikanit për liturgjinë pendestare, çast në qendër të nismës “24 orë për Zotin”: një ditë e tërë kushtuar Sakramentit të Pajtimit. Papritmas Papa drejtohet kah rrëfyestorja për të lypur faljen skramentore. E kjo është hera e parë që një Papë gjunjëzohet publikisht para rrëfyesit. Hyn, rrëfehet e del me një shprehje përplot me dritë, tipike për njeriun e falur, që rinohet nga mëshira e Zotit.

U lumtë  rrëfyesve, që nuk rrinë me kamxhik në dorë

Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Françesku shprehu përsëri një mendim  për meshtarët rrëfyes, të palodhur në dëgjim e mbartës “të revolucionit të dashurisë”, që  zë kryet e vendit në magjisterin e tij:

“E, më lejoni këtu një mendim për shumë meshtarë të mirë, që sillen kështu: i tërheqin njerëzit, shumë njerëz, që e ndjenë veten për tokë, nga pesha e mëkateve të tyre… Me dashuri, me dhembshuri… U lumtë këtyre rrëfyesve, të cilët nuk rrinë me kamxhik në dorë, por mirëpresin, dëgjojnë, thonë se Zoti është i mirë!”.  

Artizanë të mëshirës

Në homelinë e liturgjisë pendestare të vitit 2014, Françesku u foli rrëfyesve për rrugën e mëshirës, duke u kujtuar se kush e provon mëshirën e  Zotit, nuk mund të mos preket thellë në shpirt:

“Nëse ti shkon te Krishti me gjithë jetën tënde, edhe me barrën e mëkateve tua, Ai, në vend që të të qortojë, bën festë; kështu është Ati ynë. Këtë duhet t’u thoni ju njerëzve të sotëm. Kush e provon mëshirën hyjnore, bëhet mjeshtër i mëshirës ndërmjet të varfërve, të munduarve, të fundmëve. Në këta vëllezër më të vegjël Jezusi na pret: marrim mëshirë, e japim mëshirë”

Zemra e Krishtit

“Jo me kamxhik në dorë”- pati shpjeguar Papa, duke u folur pjesëmarrësve në Kursin e organizuar nga Pendestaria Apostolike, në vitin 2014 - rrëfyesit e mirë kanë zemër e jo gur në kraharor. Zemër, që di të preket, e jo për sentimentalizëm!

E gjithnjë në këtë vit, në takimin me famullitarët e Romës, e rikujtoi  temën e “meshtarit shumë zemërngushtë - apo shumë zemërgjërë, atij që nuk të fal, apo që të bën lëshime”:

“Mëshira e vërtetë e merr mbi vete njeriun, e dëgjon me respekt e vëmendje të madhe, e shoqëron në udhën e pajtimit. E kjo është e lodhshme, po, sigurisht, por meshtari vërtet i mëshirshëm sillet si Samaritani i Mirë… po pse e bën këtë? Sepse zemra e tij është e aftë për mëshirë, është zemra e Krishtit!”.

Françesku rrëfyesve:  forcojeni zërin e Zotit për të rinjtë

Në vitin 2018, duke u takuar me Misionarët e Mëshirës - meshtarë të emëruar nga Papa për të falur mëkatet, që mund të zgjidheshin vetëm nga Selia e Shenjtë, Françesku preku rishtas temën e nismës së Zotit:

“Kur  vjen tek ne pendestari… zemra jonë meshtarake duhet të përceptojë mrekullinë e njeriut, që takoi Zotin e që provoi prekjen nga hiri i Tij. Nuk mund të jetë pajtim i vërtetë, nëse nuk niset nga hiri i takimit me Zotin,  që i parapin takimit me ne, rrëfyesit”.

Dashuri e paqe

“Mos u kënaqni me jetën e rëndomtë, me gjallimin ndenjur, ulur rehat-rehat”. Me këto fjalë iu drejtua në homeli Papa, 70 mijë të adoleshentëve dhe shoqëruesve të tyre, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Meshën për Jubileun e adoleshentëve, më 24 prill 2016.

Edhe kur gabon - i porostiti - duhet të kesh guximin të shkosh përpara. Në jetë, vërejti Papa, njeriu nuk shpëton pa u rrëzuar. Rrëzohet gjithnjë, sepse jemi mëkatarë, jemi të ligshtë. Por, kur biem, dora e Zotit na shtrihet e na ngre përsëri në këmbë. Jezusi na do në këmbë! Na fton me atë fjalën e bukur, që ia pati thënë të paralizuarit: “Ngrehu!”. Zoti na krijoi për të qenë në këmbë. Kënga thotë kështu: “Në artin e ngjitjes, nuk ka rëndësi të mos rrëzohesh, por të mos mbetesh përdhe”:

“Duhet të kesh guximin të ngrihesh përsëri e përsëri në këmbë, ta lësh dorën e Jezusit të të ngrejë. E kjo dorë shpesh herë të vjen me pamjen e dorës së një miku, me dorën e prindërve, me dorën e njeriut, që të shoqëron në jetë. Edhe Jezusi vetë është aty. Ngrehu! Zoti ju do në këmbë! Gjithnjë në këmbë!”.

15 shkurt 2021, 15:55