Kërko

Papa e një vit me koronavirus. Bota në “barkën e shën Pjetrit”

Nga Papa Françesku, lutje, fjalime, gjeste, akte konkrete bamirësie. Duke filluar me ciklin e katekizmit mbi pandeminë e koronavirusit e deri tek enciklika “Fratelli tutti” – kriza, e interpretuar në dritën e Ungjillit

R.SH. - Vatikan

Papa dhe Covid-19. 365 ditë me fjalë, gjeste, lutje, akte konkrete bamirësie. Një korpus i vërtetë magjistral mbi sëmundjen, që vijon të trondisë botën. Kaloi një vit që nga ai 23 shkurt 2020, dita në të cilën Papa Françesku udhëtoi në Bari para bllokimit, për shkak të koronavirusit - i vetmi udhëtim në këta 12 muaj, së bashku me vizitën e shkurtër në Asizi për të nënshkruar enciklikën “Fratelli tutti”. Pak ditë më parë, më 20 shkurt, në Itali zbulohej “Pacienti 1”, që vërtetonte se Covid-19, nga Kina, po përhapej ndërmjet banorëve të gjithë botës. Nga ajo ditë, fjalët dhe gjestet e Papës u kthyen në një lloj ditari të Barkës së shën Pjetrit në kohë koronavirusi, përveçse në një paradigmë për qëndrimin e veprimin e gjithë bashkësisë kishtare. Sidomos, sepse Papa Françesku i përshkoi të gjitha ndërhyrjet e tij me fillin e Ungjillit, që herë pas here lidhej ngushtë me pasojat ekonomike, politike, ambientale dhe bamirëse të kësaj periudhe të trishtuar. Gjithçka është e lidhur, pati shkruar në enciklikën “Laudato si’”. E kriza botërore është konfirmimi më i qartë i gjithë kësaj. Por le ta ndjekim këtë ditar, hap pas hapi, sipas ditëve, që janë gurët e tij kilometrikë.

Masat parandaluese

26 shkurt 2020. Audienca e fundit e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, para mbylljes nëpër shtëpi. Prej asaj dite, audienca do të transmetohej dretpërdrejt në media nga Biblioteka e Pallatit Apostolik. Hymë kështu në një tunel, nga i cili dolëm vetëm më 2 shtator, me audiencën në praninë e besimtarëve, jo në Sheshin e Shën Pjetrit, por në Oborrin e Shën Damazit, më i vogël e më i kufizuar. Fatkeqësisht, pas valës së dytë, audienca u kthye në Bibliotekë, duke filluar nga 4 nëntori. E njëjta metodë u ndoq edhe për Engjëllin e Tënzot. Dalja e fundit e Papës në dritaren mbi shesh daton 1 mars 2020. Besimtarëve iu desh të presin deri më 31 maj, ditën e Rrëshajëve. “Sot që sheshi është i hapur, mund të kthehemi. Ashtë kënaqësi”, tha Ati i Shenjtë atë ditë. E sërish, Engjëlli i Tënzot u kthye në transmetim streaming, më 20 dhjetor. Vetëm më 7 shkurtin e këtij viti, Papa Françesku doli përsëri në dritaren mbi Sheshin e Shën Pjetrit. Por, le të ndjekim datat e vitit të kaluar. Më 10 mars 2020, mbyllen Sheshi dhe Bazilika e Shën Pjetrit. Më vonë, edhe Muzetë e Vatikanit. Masa, që synojnë të kufizojnë infektimin nga ky virus i vogël e i padukshëm, që bën dëme të mëdha. Para së gjithash, shëndeti i njerëzve: ky qëndrimi i përhershëm në Vatikan. Më 8 dhjetor 2020, Papa i bën homazhe Virgjërës Shenjte në Sheshin e Spanjës, në qendër të Romës, në orën 7 të mëngjesit, praktikisht i vetëm, për të shmangur turmën.

Lutja

9 mars 2020. Ndërsa Italia mbyllej brenda, edhe mesha nuk mund të kremtohej më në praninë e besimtarëve. Papa autorizon transmetimin e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, pavarësisht se pa njerëz. Deri më 18 maj, Ati i Shenjtë u qëndroi afër të gjithëve me lutjen eukaristike. Por sapo i jepet mundësia (17 prill), Françesku u kujton besimtarëve se “domosdoshmëria objektive”, pra, nevoja për të kremtuar meshën virtualisht, është tjetër gjë në krahasim me “idealin e Kishës gjithnjë me popullin dhe me sakramentet”. Prandaj, më 19 maj, e ndërpret transmetimin përmes mediave e rrjeteve shoqërore, pasi njerëzit mund të kthehen në meshë.

15 mars 2020, faktikisht, e diela e parë e bllokimit për koronavirus. Duke përshkuar rrugët e shkreta të Romës, Papa Françesku shkoi në bazilikën e Zojës së Madhe, gjithnjë e dashur për të, si edhe në kishën e Shën Marçelit në via del Corso, ku ruhet Kryqi i mrekullive, i cili, sipas traditës, i dha fund murtajës në vitin 1522. Një gjest i thjeshtë dhe i lashtë si shtegtimi e, njëkohësisht, edhe modern e komunikues për shoqërinë aktuale. Megjithëse Papa Françesku nuk tha asnjë fjalë atë pasdite, mesazhi ishte i qartë për të gjithë: askush nuk shpëton i vetëm, pa të tjerët. Më 11 mars, gjatë ditës së lutjes dhe agjërimit organizuar nga dioqeza e Romës, Papa ndërhyn me lutjen e tij. E më 19 mars ai lutet së bashku me Kishën, duke thënë Rruzaren në famullinë e Shën Jozefit në Romë, transmetuar drejtpërdrejt. Është hallka e parë e një zinxhiri lutjesh, për muaj me radhë.

Ndihmat

12 mars 2020. Pandemia përhapet e mbjell viktima. Ndihet nevoja e maskave dhe e pajisjeve shëndetësore. Papa i dhuron 100.000 euro Karitasit Italian si “ndihmë e parë”. E pastaj, një listë e gjatë ndërhyrjesh, koordinuar nga Lëmoshtaria Apostolike. Kardinali Konrad Krajewski (i cili do të sëmurej edhe vetë nga Covid-19 në fund të vitit 2020, pa pasoja të rënda) u shpërndan më nevojtarëve dhe bashkësive kishtare e rregulltare më të prekura nga koronavirusi, ndihma e mallra të domosdoshme për mbijetesën.

Dy, drejtimet e bamirësisë së Papës: mbështetja për spitalet, të cilave u dërgon qindra pajisje për frymëmarrjen, praktikisht, në të gjitha kontinentet; dhe ndihma e drejtpërdrejtë për të varfërit në anë të ndryshme të botës. E pamundur, lista e të gjitha ndërhyrjeve. Mjafton të kujtojmë (6 prill) krijimin e një fondi emergjence në kuadrin e Veprave Misionare Papnore, me një donacion fillestar prej 750 mijë dollarësh, në ndihmë të vendeve të misionit. Vatikani përpiqet të kujdeset edhe për tregtarët, që kanë me qera dyqanet e tij, duke ua ulur ndjeshëm qiratë, pas mbylljes e zvogëlimit të xhiros.

Pamja simbol

27 mars 2020. Pamja e Papës, që i vetëm ngjit shkallët e tremes së Bazilikës së Shën Pjetrit, në një shesh të rrahur nga shiu, është fotografia më simbolike e gjithë vitit, një nga kulmet absolute të kësaj papnie. Pamje me një fuqi evokative, që nuk i shpëton syrit të botës. Ikona ungjillore e barkës në stuhi, vendosur nga Papa Françesku në qendër të atij çasti të paharrueshëm lutjeje, nuk është vetëm një fotografi realiste e situatës, por edhe britmë dhimbjeje dhe akt feje, kryer në emër të mbarë njerëzimit. “Mbi këtë barkë, jemi të gjithë”. Vetë Sheshi i Shën Pjetrit kthehet në një Arkë të re të Noesë atë mbrëmje. Mbi të cilën ka vend për të gjithë, duket sikur thotë Papa Françesku. Kryqi i Shën Marçelit në Corso, i pranishëm në sfond, edhe ai i lagur nga shiu, tregon drejtimin: “Pendohuni, kthehuni tek unë me gjithë zemër”.

Ritet e Pashkëve

Sheshi i Shën Pjetrit, në qendër të vëmendjes, edhe në mbrëmjen e së Premtes së Madhe, gur i çmuar i një Jave Pashkësh të paparë kurrë më parë, të paktën në historinë e viteve të fundit të Kishës. Në Udhën e Kryqit, që zëvendëson atë tradicionale në Koloseum, Ati i Shenjtë mbetet në heshtje, ndërsa flasin meditimet e shkruara nga disa të burgosur. Vërtet, e gjithë bota është si në burg nga virusi. Ritet e Pashkëve duhet të respektojnë rregullat kundër infektimit dhe kremtohen pa besimtarë në Altarin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ditën e Pashkëve, mesazhi “Urbi et Orbi” nuk u shqiptua nga Lozha qendrore e Bazilikës, si zakonisht. Por Papa, duke e kumtuar drejtpërdrejt në TV, na kujtoi se nga ringjallja e Krishtit “një tjetër sëmundje transmetohet nga zemra në zemër. Ajo e shpresës”.

Katekizmi

Ardhja e verës duket se i jep hapësirë kësaj shprese. Por bën edhe që të ndihemi disi më të lirë e të mos i respektojmë si duhet masat e sigurisë. Pasojat, dihen tashmë! Ndërkaq, vëmendja e Papës Françesku u përqendrua mbi mësimet, që duhen nxjerrë dhe mbi të ardhmen, që duhet planifikuar. Nga 5 gushti deri më 30 shtator, Papa i kushton pandemisë një cikël të tërë katekizmi. E që nga ndërhyrja e parë, përvijon parimet udhëzuese, “që mund të na ndihmojnë të ecim përpara”. “Dinjiteti i njeriut, e mira e përbashkët, opcioni preferencial për të varfërit, destinacioni universal i të mirave të kësaj bote, solidariteti, subsidiariteti, kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët”. Faktikisht, një traktat i doktrinës shoqërore të Kishës. Më 4 shtator, Papa i dërgon një mesazh Forumit të Çernobios. Nga kjo përvojë, u kujton ekonomistëve, “kuptuam më mirë se çdo vendim personal ndikon mbi jetën e të tjerëve”. Në raste të tjera, nuk mungon thirrja për një politikë në shërbim të të gjithëve.

Enciklika

4 tetor, në Asizi, Papa nënshkroi enciklikën e tij të tretë, “Fratelli tutti”. “Nëse gjithçka është e lidhur - kujton ai - vështirë të mendosh se kjo katastrofë botërore nuk ka të bëjë me mënyrën me të cilën e konsiderojmë realitetin, duke pretenduar të jemi zotëruesit absolutë të jetës e të gjithçkaje ekziston”. Françesku e hedh poshtë idenë e ndonjë ndëshkimi hyjnor dhe thekson: “Është vetë realiteti, që rënkon dhe rebelohet”. Gjatë muajve në vijim, magjisteri i Papës Bergoglio do të ketë shumë raste për t’u bërë gjithnjë e më i qartë. Më 20 tetor, për shembull, Françesku mori pjesë në takimin e Bashkësisë së Shën Egjidit, që mbahet në selinë e bashkisë së Romës, me temën: “Askush nuk shpëton i vetëm. Paqja dhe vëllazërimi”.

Të varfërit dhe vaksinat

15 nëntor, kremtohet Dita e 4-t Botërore e të Varfërve. “Shtrija dorën të varfërit”: kjo, tema e zgjedhur. E Papa, në mesazhin e tij, kujton sa e sa “duar të shtrira”, që “mundëm të shohim” në këto muaj pandemie. E “kjo - shton ai - është kohë e favorshme për të ndierë edhe një herë se kemi përgjegjësi ndaj të tjerëve dhe ndaj botës”. Vetë Françesku vijon të jetë zëri i atyre, që nuk kanë zë. Vazhdimisht kërkon vaksina për të gjithë: “Do të ishte e trishtë nëse për vaksinimin kundër Covid-19 do t’u jepej përparësi të pasurve. Duhet të dalim nga logjika e fitimit”. E ai vetë jep shembullin. Tampona, ushqim dhe maska ​​falas për më të varfrit. Në janar 2021, vaksinohen disa të varfër, që ndihmohen nga Lëmoshtaria Apostolike. Më 10 janar, në një intervistë në Mediaset, Ati i Shenjtë njoftoi se ai do ta bëjë vaksinën (doza e parë më 13 janar, e dyta më 3 shkurt, njëlloj si për Benediktin XVI) dhe i ftoi të gjithë ta bëjnë për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Krishtlindja dhe virusi

21 dhjetor, në fjalën e tij për Kurien Romake, Papa Bergoglio tha: “Kjo plagë ishte një sprovë jo e pakët, por, njëkohësisht, edhe një mundësi e shkëlqyer për t’u kthyer në udhën e Zotit e të së vërtetës”. Në mesazhin “Urbi et Orbi” të 25 dhjetorit, shqiptuar në Sallën e Bekimeve, bëri sërish thirrje për “vëllazërim”. Në “Te Deum”-in e 31 dhjetorit, Papa na ftoi ta kërkojmë kuptimin e pandemisë në mundësinë për të ndihmuar nevojtarët. E, më 1 janar 2021 tha: “Do të jetë një vit i mbarë nëse kujdesemi për të tjerët”. Fjalimi para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, më 8 shkurt, mbylli idealisht ciklin e Krishtlindjes. Françesku radhiti krizat aktuale - shëndetësore, mjedisore, ekonomike dhe shoqërore, edukative dhe politike – e nënvizoi se më e rënda është ajo antropologjike, pra, “kriza e marrëdhënieve njerëzore, e cila ka të bëjë me vetë konceptin e njeriut e me dinjitetin e tij transhendental”.

Kreshmët, udha e re

Arrijmë kështu në ditët e fundit. Mesazhi i Papës për Kreshmë (12 shkurt 2021), rithekson se “të jetosh Kreshmë bamirësie do të thotë të kujdesesh për ata, që përjetojnë kushte vuajtjeje, braktisjeje, ose ankthi, për shkak të pandemisë së Covid-19” dhe se koha e përgatitjes për Pashkët “është për të shpresuar”, pavarësisht nga periudha, që po kalojmë. Nga kjo pikëpamje, sinjali më i fuqishëm ishte njoftimi i vizitës në Irak, planifikuar për 5-8 mars. Sërish një udhëtim, pra, për të mbyllur parantezën e gjatë dhe të dhimbshme të këtij viti, i cili filloi me vizitën në Bari.

Papa Françesku, si gjithmonë, e hedh vështrimin drejt së ardhmes. E nuk dëshiron të humbasë asnjë minutë. Në fund të fundit, ai vetë për Rrëshajë pati thënë: “Më keq se kjo krizë është vetëm drama e humbjes së këtij rasti”. Prandaj, nuk duhet të shkojnë dëm vuajtjet dhe lotët e kaq shumë burrave dhe grave në gjithë botën. Sepse, siç theksoi Bergoglio që në vitin 2015 në Manila, “disa gjëra mund të shihen vetëm me sytë e pastruar nga lotët”. Ato, që virusi po derdh mbi botën. E që, sipas Papës, mund të bëhen lente të fuqishme për të parë dhe për të planifikuar një të ardhme të re.

28 shkurt 2021, 08:12