Kërko

Vatican News

Një javë me Papën e me Kishën

Mesazhi i Papës Françesku për Kreshmët e sivjetme në kohë pandemie, fjalët e Atit të Shenjtë për 90-vjetorin e Radio Vatikanit e ato në takimin me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, ndër ngjarjet kryesore të javës së kaluar

R.SH. - Vatikan

“Çdo etapë e jetës është kohë për të besuar, për të shpresuar e për të dashur”. Është i bindur për këtë Papa Françesku që, në mesazhin për Kreshmët e sivjetme, paraqitur të premten e kaluar në Vatikan, nxit të pranojmë “provokimin” e shpresës, në kohë koronavirusi.

“Në kuadrin aktual të shqetësimit, në të cilin jetojmë, ku gjithçka duket e brishtë dhe e pasigurt, të flasësh për shpresën mund të duket si provokim”, vëren Ati i Shenjtë, duke komentuar në tekst temën e mesazhit të zgjedhur për këtë vit: “Ja, po ngjitemi në Jeruzalem… (Mt 20,18). Kreshmët: kohë për të ripërtërirë fenë, shpresën dhe dashurinë”. Papa i nxit të gjithë të thonë “fjalë inkurajimi, që ngushëllojnë, që japin forcë, që përkëdhelin, që stimulojnë, në vend të fjalëve poshtëruese, trishtuese, irrituese, përçmuese”.

“Të jetosh një Kreshmë dashurie e bamirësie do të thotë të kujdesesh për kë jeton në kushte vuajtjeje, braktisjeje, ose ankthi, për shkak të pandemisë së Covid-19”, thirrja përfundimtare e mesazhit, në të cilin Papa thekson sërish temën e “dashurisë shoqërore” si ilaç në “kuadrin e pasigurisë së madhe për të nesërmen”, që e ndiejmë deri në palcë gjatë kësaj emergjence shëndetësore. E një këshillë edhe për agjërimin e Kreshmëve: “Të agjërosh – nënvizon Ati i Shenjtë – do të thotë ta çlirojmë jetën nga gjithçka e mbyt, edhe nga ngopja me informacion, i vërtetë a i rremë qoftë”.

Mesazhi i Atit të Shenjtë për 90-vjetorin e Radio Vatikanit

Po të premten, më 12 shkurt, Radio Vatikani mbushi 90 vjet në shërbim të Papës e të Kishës në mbarë botën. Në mesazhin e tij për këtë rast, Papa Françesku u uron punonjësve nga 69 vende këtë përvjetor e shton: “Është e rëndësishme ta ruajmë kujtesën e historisë sonë dhe të jemi nostalgjikë jo aq për të kaluarën sesa për të ardhmen, të cilën jemi të thirrur ta ndërtojmë. Faleminderit për punën tuaj. Faleminderit për dashurinë, që keni për të. Radio ka këtë gjë të bukur: që e çon fjalën edhe në vendet më të largëta. E sot, e ndërthur edhe me pamje e me shkrime. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari, duke i folur botës e duke ndërtuar kështu, një komunikim të aftë të na bëjë të shohim të vërtetën e gjërave”.

Mesha e kardinalit Pietro Parolin për Radio Vatikanin

Paraditen e së premtes, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin kremtoi një meshë për punonjësit e Radio Vatikanit, në altarin e katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit. Në homelinë e tij, ai nënvizoi se Radio Vatikani është gur kilometrik në historinë e Kishës e të Papëve të fundit. Thirrja e saj është universaliteti, hapja ndaj botës dhe kontakti me jetën e vërtetë të njerëzve në gjithë globin. Në altar, si bashkëkremtues, kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe anëtar i Dikasterit për Komunikimin; sekretari i Dikasterit, imzot Lucio Adrian Ruiz; atë Federico Lombardi, ish-drejtori i përgjithshëm i Radios dhe meshtarë të shumtë, që punojnë në emitenten papnore.

Programi i vizitës së Papës në Irak

Nga 5 deri më 8 mars, Papa Françesku do të shkojë për vizitë apostolike në Irak. Të hënën e kaluar u bë i njohur programi i këtij udhëtimi, me etapa në Naxhaf, Ur, Erbil, Mosul e Karakosh. Parashikohen 4 fjalime, dy homeli e një lutje për kujtim të viktimave të luftës. Programin e shoqërojnë edhe logoja e motoja “Jeni të gjithë vëllezër”. Një nga etapat më të rëndësishme është ajo e Mosulit dhe e Karakoshit, ku Ati i Shenjtë do të takojë bashkësitë e krishtera, që kanë pësuar vuajtje të tmerrshme gjatë pushtimit të Shtetit Islamik.

Më 7 mars, Papa do të shkojë pikërisht në katedralen siro-katolike të Zojës së Papërlyer në Karakosh, në Pllajën e Ninives, që ruan akoma shenjat e furisë xhihadiste, pavarësisht se e rindërtuar. Shtyllat prej mermeri të nxira nga zjarri janë kthyer sot në të bardha e shkëlqejnë si dikur. Bangat prej druri janë të reja e kanë zëvendësuar ato, që iu vu flaka. Paramentet e përdorura nga terroristët për të ndezur zjarrin, janë zëvendësuar nga të tjera, krejt të reja. Sheshi para kishës, shndërruar atëherë në poligon qitjeje kundër shtatoreve të Virgjërës Shenjte, është sërish në dispocizion të besimtarëve. Përtokë nuk ka më gëzhoja e plumba.  

Vizita e Atit të Shenjtë në këtë vend do të jetë balsam mbi plagët e shkaktuara nga Isis. Është fjala për tokën e Abrahamit, banuar historikisht nga të krishterët, është Pllaja e Ninives, që xhihadistët  e pushtuan më 6 gusht 2014, duke detyruar rreth 120 mijë njerëz të largohen brenda një nate. E tani, të krishterët numërojnë minutat, që i ndajnë nga takimi me Papën Françesku, që shkon t’i ngushëllojë e t’i përforcojë në fe.

Zoja Lurdë, kremtimi në kohë pandemie

Më 11 shkurt, Kisha Katolike kremtoi Zojën Lurdë e Ditën Botërore të të Sëmurit. Të dyja, për shkak të pandemisë, u kremtuan kryesisht në distancë e në internet. E, megjithatë lutja nuk u ndal. Njerëzit mundën të qëndronin në këmbë para Shpellës së Masabielës, në shenjtëroren e Lurdës e mundën ta lusin Zojën për çdo nevojë. Ndërkaq, janë menduar një sërë masash sigurie për t’u dhënë mundësi shtegtarëve të shkojnë në shenjtërore së paku për kremtimet liturgjike.

“Sëmundja ka përherë një fytyrë – kujtoi, ndërkaq, Papa në mesazhin për Ditën e të Sëmurit - madje jo vetëm një, por disa: ka fytyrën e çdo të sëmuri e të sëmure, edhe të atyre, që harrohen, që përjashtohen, që janë viktima të padrejtësive shoqërore e që u mohohen të gjitha të drejtat themelore”.  E Ati i Shenjtë përmendi edhe pandeminë e pabarazitë, që dolën në shesh lidhur me trajtimin e të sëmurëve. Sidomos të moshuarve, të cilëve shumë shpesh u mungoi kujdesi mjekësor. E kjo - vërejti Papa - varet nga qëndrimet politike, nga mënyra e shfrytëzimit të burimeve e nga angazhimi i atyre, që kanë role me përgjegjësi. Investimi i burimeve për asistencën e njerëzve të sëmurë - nënvizoi Papa në mesazhin për Ditën e të Sëmurit - është detyrë parësore, që lidhet me parimin e shëndetit, parë si pasuria më e çmuar e njeriut.

Audienca e përgjithshme

 “Kush lutet është si i dashuruari, i cili e mban gjithnjë njeriun e dashur në zemrën e vet, kudo që të jetë”. Papa e shpjegoi këtë në katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, më 10 shkurt, transmetuar drejtpërdrejt nga biblioteka private e Pallatit Apostolik dhe kushtuar lutjes në jetën e përditshme. “Në një shoqëri që vazhdon të ndahet nga konfliktet dhe përçarjet, të bëhemi shenjë e një projekti pajtimi dhe vëllazërimi, që i ka rrënjët në Ungjill dhe në ndihmën e domosdoshme të lutjes”: kjo, ftesa për besimtarët. “Lutja – nënvizoi Papa - është gjithmonë e gjallë në jetë, si prushi, edhe kur goja nuk flet, por zemra flet”. Lutja e shndërron çdo ditë në hir, pa na lënë të ecim përpara me shijen e hidhur të zemërimit, trishtimit apo zhgënjimit, pohoi Ati i Shenjtë.

Fjala e Papës Françesku për Trupin Diplomatik

Papa Françesku u takua me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë në Sallën e Bekimeve, për shkak të masave kundër koronavirusit. Pesë, krizat e analizuara nga Ati i Shenjtë, në fillim të vitit 2021, të cilin Bergoglio e quajti “një vit, që nuk duhet humbur”: kriza shëndetësore, kriza mjedisore, kriza ekonomike dhe shoqërore, kriza politike, kriza e marrëdhënieve njerëzore. Ilaçi për to është po ai: vëllazërimi universal. Bota ka nevojë për të, ashtu si për vaksinat, e ngriti zërin Papa, duke kërkuar që për këto të fundit, të mos mbizotërojë logjika e fitimit, por e solidaritetit.

Papa: ekonomia pa trafik kujdeset për njeriun, pa kërkuar vetëm fitimin

Në videomesazhin për Ditën botërore të lutjes dhe reflektimit kundër trafikut të njerëzve, më 8 shkurt, Papa Françesku foli për një model ekonomik, që nuk shpërfytyrohet nga format moderne të skllavërisë. “Duhet guxim për ta harmonizuar fitimin e ligjshëm, me promovimin e punësimit e kushtet dinjitoze të punës” - nënvizoi me forcë.

14 shkurt 2021, 08:21