Kërko

Një javë me Papën dhe me Kishën

Veprimtaria më e rëndësishme e Papës Françesku javën e kaluar ishte, pa dyshim, kremtimi i Ditës së parë Botërore të Vëllazërimit Njerëzor, më 4 shkurt. E pastaj, audienca e përgjithshme e së mërkurës, mesha në Ditën e Jetës së shuguruar e ndjeti i lutjes për muajin shkurt.

R.SH. - Vatikan

Veprimtaria më e rëndësishme e Papës Françesku javën e kaluar ishte, pa dyshim, kremtimi i Ditës së parë Botërore të Vëllazërimit Njerëzor, më 4 shkurt. Në një takim virutal, organizuar nga shehu Mohammed Bin Zayed, në Abu Dabi, kryeqytet i Emirateve të Bashkuara Arabe, Ati i Shenjtë foli i lidhur në videokonferencë, së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad al-Tayyeb, vetë shehun Zayed, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së e personalitete të tjera. Një ditë më parë, u dha Çmimi Zayed për Vëllazërimin Njerëzor, frymëzuar nga Dokumenti me të njëjtin titull, nënshkruar nga Papa dhe Imami i Madh, më 4 shkurt 2019. Sivjet, atë e fituan Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe një nënë me 5 fëmijë, themeluese e një shoqate për rininë dhe paqen, që mban emrin e djalit të saj, Imad. I riu humbi jetën, për shkak të një akti terrorist. Një grua, që diti ta shndërrojë dhimbjen e saj në ndihmë për të rinjtë.

 “Ne jemi vëllezër, të lindur nga i njëjti Atë. Me kultura, tradita të ndryshme, por të gjithë vëllezër. E duke respektuar kulturat dhe traditat tona, qytetërimet tona të ndryshme, ne duhet ta ndërtojmë këtë vëllazërim. Pa bërë pazar me të”.  Ky qe thelbi i fjalës së mbajtur nga Papa Françesku në takimin virtual të 4 shkurtit. “Është koha e dëgjimit – nënvizoi Ati i Shenjtë. - Është momenti i pranimit të njëri-tjetrit me sinqeritet. Është koha e sigurisë se një botë pa vëllezër është një botë armiqsh. Dua ta nënvizoj: nuk mund të themi vëllezër, ose jo vëllezër. Ta themi ashtu siç është, ose vëllezër, ose armiq. Sepse shpërfillja – kur nuk pyesim për tjetrin - është një formë shumë e hollë armiqësie. Nuk është vetëm lufta, që bën armiq. Mjafton shpërfillja. Mjafton kjo teknikë – sepse është shndёrruar nё teknikë - ky kthim i syve nga ana tjetër, duke mos e marrë as parasysh tjetrin, sikur të mos ekzistonte”.

Audienca e përgjithshme

“Një krishtërim pa liturgji është krishtërim pa Krishtin”. Papa Françesku nuk përdori aspak doreza për të shpjeguar, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, se “nuk ka përshpirtëri të krishterë që të mos jetë e rrënjosur në kremtimin e mistereve të shenjta”. “Liturgjia, në vetvete, nuk është vetëm lutje spontane, por diçka më shumë, që ka të bëjë me zanafillën: është akt, që themelon tërë përvojën e krishterë e, pra, edhe lutjen”, nënvizoi Ati i Shenjtë në audiencën e transmetuar drejtpërdrejt nga biblioteka private e Pallatit Apostolik. “Liturgjia – vijoi Papa - është një ngjarje, një dukuri, një prani, një takim, takim me Krishtin. Krishti bëhet i pranishëm në Shpirtin Shenjt, përmes shenjave sakramentore: prej këndej rrjedh nevoja që ne të krishterët të marrim pjesë në misteret hyjnore”. “Lutja e të krishterëve kalon përmes ndërmjetësimeve konkrete: Shkrimit Shenjt, Sakramenteve, riteve liturgjike. Në jetën e krishterë ne nuk e shpërfillim sferën trupore dhe materiale, sepse në Jezu Krishtin ajo është kthyer në udhë shëlbimi”.

Papa kremtoi meshën në Ditën e Jetës së shuguruar

“Jeta e përkushtuar është dhuratë e madhe e Zotit: dhuratë e Zotit për Kishën, dhuratë e Zotit për Popullin e vet. Zoti është i durueshëm, ai na pret pa u lodhur kurrë”. Kështu, Papa në Meshën me rregulltarët e rregulltaret, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Festa e Paraqitjes së Zotit në Tempull, më 2 shkurt, shënoi edhe Ditën e 25-tё kushtuar jetës së shuguruar.

Ndjeti i lutjes për muajin shkurt

Në shkurt, Papa Françesku u kërkon besimtarëve të luten dhe të impenjohen në favor të grave, që pësojnë abuzime çdo ditë, në gjithë botën. Si zakonisht, ndjeti i tij iu besua videomesazhit të publikuar të hënën, më 1 shkurt, nga Rrjeti Botëror i Lutjes, që përpiqet ta bëjë të dukshëm dramaticitetin e këtij argumenti edhe përmes pamjeve të përdorura.

 “Të lutemi për gratë që janë viktima të dhunës, që ato të mbrohen nga shoqëria dhe që vuajtjet e tyre të merren parasysh dhe të dëgjohen nga të gjithë”: ky ndjeti i Papës për këtë muaj.

07 shkurt 2021, 08:31