Kërko

Vatican News
Nisja e viktimave drejt Italisë Nisja e viktimave drejt Italisë  (AFP or licensors)

Ngushëllimet e Papës për viktimat e atentatit në Kongo, kundër “shërbëtorëve të paqes”

Papa Françesku shpreh, në një telegram ngushëllimi, dhimbjen për vrasjen e ambasadorit italian, të karabinierit shoqërues e të shoferit të autokolonës, që u sulmua nga rebelët, në Kongo.

R. SH. - Vatikan

“Me dhimbje mora vesh lajmin tragjik për atentatin në Republikën Demokratike të Kongos, gjatë të cilit humbën jetën ambasadori i ri italian, Luca Attanasio, karabinieri tridhjetëvjeçar Vittorio Iacovaccio dhe shoferi i tyre kongolez, Mustafa Milambo”. Hapet me këto fjalë, mesazhi i ngushëllimit, që Papa Françesku ia drejtoi presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella.

Shërbëtorë të paqes

Papa u shpreh ngushëllimet edhe familjarëve të viktimave, Trupit Diplomatik  dhe armës së karabinierëve “për humbjen e këtyre  njerëzve, në shërbim të paqes e të drejtësisë”. Kujton edhe “dëshminë shembullore të  ambasadorit, njeri me cilësi të spikatura njerëzore e kristiane, gjithnjë gati për të krijuar lidhje vëllazërore e të përzemrëta dhe për të rivendosur marrëdhënie paqësore e të harmonishme në gjirin e këtij vendi afrikan”. Ashtu si dhe dëshminë e karabinierit, "specialist e bujar në shërbimin e tij, që u shua nësa përgatitej të krijonte familjen e tij të re”.

Lutje

Françesku larton, në përfundim “lutje për pushimin e pasosur të këtyre bijve fisnikë të kombit italian” dhe  nxit për besim “në provaninë e Zotit, në duart e të cilit nuk humbet kurrë e mira e bërë, aq më tepër kur dëshmohet me vuajtje e fljim”. “Ju, Zoti President, familjarëve e kolegëve të viktimave, si dhe gjithë atyre, që qajnë për këtë mort - lexohet në  përfundim  të telegramit - u dërgoj  me gjithë zemër bekimin tim!

Ngjarje e hidhur

Sulmi me armë në Republikën Demokratike të Kongos, është bërë tashmë i njohur në mbarë botën. Ambasadori italian Luca Attanasio u qëllua me armë nga një grup militantësh terroristë, gjatë një sulmi, ku humbën jetën edhe 2 shoqëruesët e tij: njëri, karabinier italian.

43-vjeçari udhëtonte në autokolonën e Programit të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara drejt qytetit Goma, në lindje të vendit, ku vijon ndeshja ndërmjet grupeve rebele dhe trupave qeveritare të Kinshasës.

Sipas Mediave italiane, autokolona u gjend papritur në mes të zjarrit të armëve të lehta, ndërsa vijonte udhëtimin në rrugën kombëtare pranë Gomës. Ambasadori, i plagosur rëndë, u mbart në spitalin e qytetit, ku dha shpirt. Dyshohet se e gjithë kjo ngjarje kriminale mund të ketë qenë pasojë e një tentative grabitjeje në një zonë, si ajo e Kivusë Veriore, arenë luftimesh ndërmjet grupeve të armatosura, që synojnë të marrin nën kontroll burimet natyrore, kryesisht ato të parkut Virunga, ku mbi 600 ushtarë ruajnë gorillat e famshme të maleve.

Krerët më të lartë të shtetit italian, presidenti Matarella dhe kryeministri Draghi, kërkuan hetim të menjëhershëm për sqarimin e kësaj ngjarjeje kaq të hidhur, që flet për vijimin e mungesës së stabilitetit në vendin afrikan.

24 shkurt 2021, 10:59