Kërko

 Papa Françesku e  Lamborghini, në  Vatikan Papa Françesku e Lamborghini, në Vatikan 

Nga ankandi i Lamborghini-it, në rindërtimin e Irakut

Automobili i qe dhuruar Papës. Shitja e tij ndihmoi për realizimin e dy projekteve, falë Fondacionit “Ndihmë për Kishën që Vuan”, që vijon t’i mbështesë të krishterët irakianë të Rrafshit të Ninives.

R. SH. - Vatikan

Ndërsa bashkësia e krishterë në Irak pret me padurim arritjen e Papës, Fondacioni  “Ndihmë për Kishën që Vuan” vijon t’i mbrojë e t’i ndihmojë të krishterët e dëbuar prej Rrafshit të Ninives, nga Shteti i vetëshpallur islamik. Pikërisht falë bujarisë së Papës, Fondacioni papnor mundi të realizojë dy projekte. Donacioni  arrin në 200 mijë euro dhe është pjesë e shitjes në ankand të Lamborghini-it, modeli Huracán, dhuruar Atit të Shenjtë nga shtëpia automobilistike në vitin 2017. Pasi e fotografoi dhuratën, Françesku vendosi ta shesë në ankand, për t’ia besuar, pastaj, një pjesë të të ardhurave, Fondacionit mik të të krishterëve që vuajnë kudo në botë, që t’i përdorte në ndihmnë të të krishterëve irakianë të Rrafshit të Ninives.

Për fëmijtë e jo vetëm…

Dy projektet e financuara me donacionet, janë salla polivalente siro-katolike, titulluar “Virgjëra Mari”, në Bashiqa, krejtësisht e  rrënuar nga Shteti i vetëshpallur Islamik, dhe  shkolla fillore siro-katolike, që u pagëzua me emrin “Shtëpia e Marisë”, po në Bashiqa. Për këto vepra u shpenzuan 166 mijë euro, të cilave iu shtuan edhe 124 mijë dhuruar nga bamirësit e Fondacionit, për një shumë totale prej 290 mijë eurosh. Ndërtesa, ku do të mësojnë 70 fëmijë, tashmë është gati e së shpejti aty do të nisë edhe mësimi. E kënga! Sapo të kalojë covidi.

E të vijë Papa!

27 shkurt 2021, 16:21